PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Ariana Berberi, gruaja e fortë e "biznesit të burrave"
2015-12-08 10:58:21 CRI Komenti juaj Printoni

Ariana Berberi, themeluese dhe drejtuese e kompanisë "Artinel 95", është një ndër pionieret e biznesit privat në Shqipëri. E vendosur për të nisur rrugën e sipërmarrjes vetjake, ajo guxoi duke dhënë dorëheqjen nga një punë e lakmueshme në një nga ndërmarrjet shtetërore të tregtisë së jashtme, ku punonte prej vitesh, për të hapur një zyrë konsulence për bizneset e saponisura të tregtisë së mallrave me jashtë, duke shfrytëzuar përvojën e vet, përvojë të cilën e përdori më vonë për të nisur vetë tregtinë, fillimish të artikujve elektroshtëpiakë, e më pas atë që vlerësohet si një domen i burrave, pra tregtinë e makinave. Dhe sot, në tregun e koncesionarëve zyrtarë të automjeteve në Shqipëri është e vetmja grua, duke sjellë disa marka të njohura botërore dhe duke qenë një nga shembujt më të spikatur të femrave të suksesshme edhe në ato që vlerësohen ndër bizneset më të vështira.


Ariana Berberi

Patjetër ishte guximi që e bëri Ariana Berberin në vitin 1991 të lërë punën në një nga ndërmarrjet e tregtisë së jashtme, por duket se edhe instinkti i thoshte se kjo ishte sakrifica që duhej të bënte për të arritur një qëllim më të madh. Nuk ishte diçka që gjithkush mund ta bënte në atë kohë ndryshimesh të mëdha politike, ekonomike e shoqërore, përballë pasigurisë që sjell e reja dhe e panjohura, kështu që kuptohet edhe kundërshtimi që hasi përballë marrjes së një vendimi të tillë. "U shqetësuan të gjithë në familje se do të mbetesha pa rrogën mujore," kujton Ariana Berberi. Por ajo e kishte marrë tashmë vendimin për të lënë punën në shtet e për të nisur biznesin e saj vetjak, dhe nuk kishte më kthim prapa. Dhe liria që të jep një gjë e tillë dukej se ishte po ashtu një arsye e rëndësishme për marrjen e këtij vendimi. "Doja të punoja e çliruar dhe që çdo gjë që të bëja, të varej vetëm nga unë," vë në dukje Ariana. Dhe një tjetër kosto që duhej të paguante ishte se nuk përfitoi asgjë prej ndërmarrjes që la, në një kohë kur, me shpërbërjen e sistemit të tregtisë së jashtme, u privatizua gjithçka, zyrat, baza e ndryshme materiale etj. Edhe sot e kësaj dite znj. Ariana nuk e ka marrë librezën e punës, por megjithatë nuk ndien asnjë lloj keqardhjeje dhe shprehet me qetësi: "Kjo ishte sfida ime".

Pothuajse çerek shekulli në veprimtari private e kanë bërë Ariana Berberin që ta dijë mirë se "biznesi është një aventurë shumë e fortë, e cila, nëse nuk e llogarit si duhet, mund të të përmbysë". Por që në fillim ajo e ndiente se ishte e mirorientuar drejt zhvillimeve të reja që do të sillte hapja e tregjeve dhe mundësia e lirisë për të bërë biznes, duke bërë parashikime të sakta që në çastet e para. "Pasuria ime e vetme ishin njohuritë dhe dëshira për të punuar në liri," thotë Ariana Berberi, që njihte disa gjuhë të huaja, kishte kryer studimet pasuniversitare në tregtinë e jashtme dhe kishte përvojë pune.

Në atë kohë në Shqipëri sapo kishin filluar veprimtaritë e para të tregtisë me jashtë nga njerëz që ishin krejt pa njohuri në këtë fushë, por që patën edhe ata guximin për të hyrë në tregun botëror, të udhëhequr edhe ata nga njëfarë instinkti. "Këta njerëz pa përvojë, por me shpirt të spikatur sipërmarrës, ishin të parat dallëndyshe të biznesit privat në Shqipëri," vë në dukje Ariana Berberi, që në të vërtetë ishte edhe ajo pjesë e kësaj "pranvere" të iniciativës së lirë që kishte filluar në Shqipëri asokohe.

Duke qenë se ajo kishte përvojë pune në tregtinë e jashtme, përvojë që këtyre sipërmarrësve që sapo e kishin nisur këtë rrugë, u mungonte, Ariana vendosi t'u vijë atyre në ndihmë me anën e një zyre konsulence. "Hapa zyrën e konsulencës dhe thjesht organizova njerëzit, që kishin filluar të krijonin kapitale të vogla. Kështu nisën të hynin në treg televizorët e frigoriferët e parë dhe të tjera mallra konsumi. Unë bëja e ndiqja kontratat me tregtarët e huaj për importuesit e parë shqiptarë dhe organizoja transportin e mallrave deri në shitjen e tyre, kundrejt një përqindjeje për shërbimin," tregon Ariana Berberi.

Shumë shpejt puna e Ariana Berberit i dha frytet e saj, duke i krijuar një kapital të vogël. Ariana vendosi se kishte ardhur koha që të kalonte nga konsulenca te përfshirja edhe e vetë asaj në tregtinë e mallrave, duke krijuar kompaninë "Imex International". Por sigurisht një gjë e tillë kërkonte kapital dhe për këtë Ariana iu drejtua Bankës së Kursimeve, që kishte filluar të kreditonte biznesin privat, i cili ishte ende në hapat e vet të parë. "Mora kredinë e parë prej 28 mijë dollarësh dhe fillova vetë importin e pajisjeve elektroshtëpiake, për të cilat tregu kishte mungesë të madhe," shprehet Ariana Berberi. Por tërheqja e një kredie sigurisht nuk ishte një gjë aq e thjeshtë. "Për të marrë një kredi atëherë duhej të lije një të katërtën e vlerës, kështu që lashë të ardhurat dhe kursimet e mia të pakta për të siguruar financimin e parë nga banka," vëren Ariana. Dhe më tej shton: "Kjo ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për punën time, por në të njëjtën kohë, edhe fillimi i një jete me stres. Të punosh kur ke marrë kredi është një punë jo e lehtë." E megjithatë, udhëtimi në rrugën e gjatë të biznesit i Ariana Berberit tashmë kishte filluar. "Kështu solla kamionin e parë me mallra me kompaninë time të parë tregtare 'Imex International'," vë në dukje Ariana.

Ariana Berberi vëren se në kohën kur ajo nisi biznesin, tregu lëvizte me dinamizëm marramendës, duke të dhënë mundësi që të punoje në shumë fusha. Në këtë mënyrë ajo kaloi nga importi i artikujve të konsumit, tek ekskluziviteti i markave botërore të automjeteve. Shkencat e sakta dhe teknologjia ishin një ëndërr e vjetër dhe pasion i parealizuar i rinisë së saj të hershme, dhe ndoshta kjo e çoi Ariana Berberin drejt fushës së vështirë të industrisë së makinave, që vlerësohet si një nga bizneset jo pak të vështira, veçanërisht për një grua. "Me këtë drejtim kam realizuar pasionin tim për teknikën dhe shkencat e sakta," shprehet ajo për biznesin e makinave.

Kështu, në vitin 1992-1993, kompania e Ariana Berberit nisi të ishte distributore e markës "Lada" të kompanisë ruse të prodhimit të makinave "AvtoVAZ". Në vitin 1995 kompania e saj riorganizohet dhe merr emrin e sotëm, "Artinel 95", duke nisur të bëhet njëkohësisht më pas importuese në Shqipëri e produkteve të Grupit "Hyundai Motor", prodhuesi i dytë për nga madhësia i makinave në Azi dhe i katërti në botë. Suksesi në këtë sipërmarrje bëri që "Artinel 95" të bëhet përfaqësuesja zyrtare edhe e gjigantëve të tjerë koreanë të prodhimit të makinave, si i "KIA Motors" në vitin 2002 dhe katër vjet më pas edhe i "SsangYong Motor". Në vitin 2008 kompania e Ariana Berberit nisi përfaqësimin edhe të markave japoneze, e pikërisht të "Suzuki Motor", duke i ofruar tregut shqiptar gjithë gamën e prodhimeve "Suzuki", si automjetet, ashtu dhe motoçikletat. Më pas "Artinel 95" vijoi të sigurojë ekskluzivitetin edhe të produkteve të kompanive të tjera të njohura aziatike, si të kinezeve "Geely" e "Dongfeng Motors" (DFM), si edhe të indianes "Mahindra". "Artinel 95" është po ashtu distributore zyrtare e kompanisë spanjolle të prodhimit të makinave "Santana Motor".

Sot Ariana Berberi vlerësohet si pionere e biznesit të automjeteve në tregun shqiptar. "Është një punë që kërkon përkushtim, që të përball çdo ditë me çështje për zgjidhje", tregon me qetësi Ariana Berberi betejat e saj në një treg, ku është e vetmja grua mes burrave.

"Artinel 95" ofron tani një gamë të gjerë automjetesh dhe shërbimesh dhe aksesorësh për to. Kompania e themeluar dhe e drejtuar nga zonja Ariana Berberi tregton edhe automjete pune, si kamiona dhe autobusë të markave të ndryshme.

"Artinel 95" ka ardhur duke e përmirësuar shërbimin e vet në mënyrë të vazhdueshme dhe Ariana Berberi është mjaft e përkushtuar dhe e sigurt se rezultatet e kompanisë që ajo drejton, do të vijnë vetëm në rritje. Garanci për këtë përfundim është cilësia e shërbimit në kompani dhe aftësia e saj për të administruar biznesin, pavarësisht problematikës së tij.

Ariana Berberi dhe kompania e saj janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Në vitin 2003 "Artinel 95" mori në Paris "Kupën e Yllit të Artë" nga BID (Business Initiative Directions) për arritje në fushën e shërbimit ndaj klientit, aftësive drejtuese, risive dhe teknologjisë. Në vitin 2006 "Artinel 95" vlerësohet po nga BID, këtë herë në Nju-Jork, me Çmimin e Platinit për "Arritje të shkëlqyera dhe prestigj në biznes", për kërkimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe të risive.

Në vitet 2004, 2005, 2006 dhe 2007 zonja Ariana Berberi zgjidhet nga Qendra Shqiptare për Gazetari Investiguese si një nga më të mirët në profilin e biznesit në shkallë kombëtare.

1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China