20150923HP02 |
Li Jinyuan-i kishte nevojë për të gjetur përsëri një mënyrë të re për të dalë nga kjo gjendje. Ndërsa e ristrukturoi biznesin brenda vendit, për një model më të përshtatshëm marketingu e shitjesh, ai vendoi t'i hedhë sytë edhe në tregun ndërkombëtar. Në vitin 2001 "Tiens" nisi t'i shesë produktet e veta në Rusi, që u pasua nga Ukraina, Hungaria dhe Polonia. Grupi "Tiens" i ka paraqitur në tregun botëror produktet e veta të kujdesit shëndetësor të teknologjisë së lartë, që janë të mbushura me kulturën tradicionale kineze, nëpërmjet shitjeve të drejtpërdrejta. Aktualisht, Grupi "Tiens" i tregton produktet e veta në më shumë se 190 vende dhe rajone, nëpërmjet më shumë se 12 milionë shitësve, ndërsa numri i klientëve të vet arrin në rreth 200 milionë. Tani të ardhurat nga tregu ndërkombëtar zënë më shumë se 60 % të vëllimit të përgjithshëm të të ardhurave të "Tiens"-it.
Lidhur me të ardhmen, Li Jinyuan-i thotë: "Qëllimi i 'Tiens'-it është që të hyjë në renditjen e 500 kompanive kryesore botërore të revistës 'Fortune'. Në të ardhmen, 10 rajonet e marketingut jashtë vendit të Grupit 'Tiens' do të blejnë kompanitë vendore të produkteve të kujdesit shëndetësor ose do të bashkohen me to. Grupi ynë gjithashtu ka pasur si objektiv të investojë në tregjet vendore të kapitaleve dhe të zbatojë strategjinë e vet të regjistrimit në disa bursa jashtë vendit." Dhe tani disa nga bizneset e "Tiens"-it janë të kuotuara në Bursën "NASDAQ"
Grupi "Tiens" tashmë është një shumëkombëshe që e ushtron veprimtarinë e vet edhe në logjistikë, financë, pasuritë e patundshme, tregtinë ndërkombëtare, shitje me pakicë, turizëm e hoteleri, biznes elektronikë e arsim. "Tiens"-i është tashmë një kompani globale dhe një pioniere e novatore në sektorin e shitjes së drejtpërdrejtë. Grupi "Tiens" ka më shumë se 12 mijë punonjës, dhe të ardhura vjetor neto që i kalojnë 600 milionë dollarët amerikanë.
Për sa i përket pasurisë së Li Jinyuan-it, mund të thuhet se askush nuk e di me saktësi se sa është vlera e saj. Ka mbetur si anektodë tashmë në qarqet e biznesit që në vitin 2004, kryetari i bordit dhe presidenti i Grupit "Tiens" Li Jinyuan renditej i treti në Listën e 100 njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës të Institutit "Hurun", me një pasuri që kapte shifrën e 6 miliardë juanëve (940 milionë dollarë amerikanë), por më vonë po atë vit, në "Listën e njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës" të hartuar nga revista "Fortune", Li Jinyuan-i renditej në vendin e 29-të, me një pasuri që llogaritej në vetëm 294 milionë dollarë. Sidoqoftë, sipas "Listës së njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës" të Institutit "Hurun", tani pasuria e Li Jinyuan-it llogaritet në 5.8 miliardë dollarë, duke e bërë atë të renditet i 24-ti në këtë listë.
Sigurisht do të ishte një nder i madh dhe një ëndërr për shumë biznesmenë kinezë që të ishin në këto lista të njerëzve më të pasur të Kinës, por për Li Jinyuan-in përfshirja në to nuk do të thotë ndonjë gjë të madhe, e as vlera e pasurisë që shënohet në to. "Qofshin 200 milionë apo 6 miliardë dollarë amerikanë, ato janë thjesht vetëm disa shifra për mua dhe asgjë më shumë," shprehet Li duke buzëqeshur. Në të vërtetë, siç e thamë, Li Jinyuan-i ka një ambicie shumë më të madhe: që ta udhëheqë grupin e tij "Tiens" drejt përfshirjes në listën e 500 kompanive kryesore të botës të revistës "Fortune" në një të ardhme të afërt.
Li Jinyuan-i ka synuar gjithmonë, përveç rritjes e zhvillimit të kompanisë së vet, e krahas me to, edhe mbajtjen e përgjegjësisë shoqërore, duke qenë sot një ndër biznesmenët më të njohur për bamirësi në Kinë.
Në "Listën e bamirësve" të pjesës kontinentale të Kinës për vitin 2004 të hartuar nga Instituti "Hurun", Li Jinyuan-i u rendit i treti, me dhurime që vlerësoheshin në më shumë se 66 milionë juanë. Dhe më vonë, në Listën e Bamirësve të pjesës kontinentale të Kinës të hartuar nga revista "Fortune" po për vitin 2004, Li Jinyuan-i u rendit në vendin e 16-të, me 9.15 milionë juanë. Duket se, ashtu si askush nuk e di pasurinë e tij me saktësi, po ashtu askush nuk e ka një ide të qartë se sa para ka dhuruar Li Jinyuan-i.
Sipas Bai Ping-ut, zv.president i Grupit "Tiens", Li Jinyuan-i është shumë kursimtar. Edhe pse miliarder, ai shpesh merr me vete në shtëpi në një qese ushqimin që mbetet kur drekon a darkon në restorant. Megjithatë, kur është fjala për dhurime, ai është shumë bujar.
"Kur sipërmarrja është e vogël, ajo i takon pronarit të saj, ndërsa kur rritet, ajo i takon të gjithë shoqërisë," përsërit shpesh Li Jinyuan-i.
Që nga themelimi i vet në vitin 1995, Grupi "Tiens" ka dhuruar mbi 500 milionë juanë.
Në vitin 1996, Grupi "Tiens" i dhuroi 420 000 juanë Shoqatës së Bamirësisë të Tianjin-it për të ndihmuar 200 studentë të varfër. Li Jinyuan-i personalisht i dhuroi 120 000 juanë Fondit të Mirëqenies për Njerëzit me Aftësi të Kufizuara Fizike. Në vitin 1997, ai dhuroi 8 milionë juanë për të ndihmuar në ndërtimin e shkollave në kuadër të Projektit "Shpresë" në Rajonin Autonom të Tibetit dhe Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit.
Në vitin 1998, "Tiens" dhe Li Jinyuan-i personalisht dhuruan 22 milionë juanë për të ndihmuar zonat e përmbytura përgjatë lumenjve Jance, Songhua dhe Nengjiang.
Kur shpërtheu SARS-i në fillim të vitit 2003, punonjësit e "Tiens"-it, nën udhëzimin e Li Jinyuan-it, dhuruan 3 milionë juanë, kurse "Tiens"-i dhuroi produkte me vlerë 42 milionë juanë. Pas cunamit të rënë në fund të dhjetorit të vitit 2004, Li Jinyuan-i ishte i pari dhurues nga Kina, duke i dhënë 80 000 juanë Shoqatës së Bamirësisë të Kinës, ndërsa punonjësit e "Tiens"-it në mbarë botën dhuruan 4 milionë juanë.
Për ta bërë sa më mirë punën e bamirësisë dhe të mirëqenies shoqërore, grupi krijoi Fondacionin Ndërkombëtar të Bamirësisë "Tiens Meijing", kryetar i të cilit është Li Jinyuan-i. Në vitin 2005 Grupi "Tiens" bashkëpunoi me Shoqatën e Kryqit të Kuq të Kinës për të themeluar Fondacionin e Bamirësisë "Tiens".
Li Jinyuan-i është një sipërmarrës me ambicie të mëdha për sa i përket punës së bamirësisë. "Grupi 'Tiens' e sheh bamirësinë si një sipërmarrje. Aty ku është e nevojshme, aty janë edhe dhurimet e 'Tiens'-it", thekson Li Jinyuan-i. Dhe thekson: "Nga shoqëria për shoqërinë dhe qëllimi për shëndet, paqe dhe zhvillim janë temat e përjetshme të Grupit 'Tiens' në zhvillimin global."
Grupi "Tiens" dhe vetë Li Jinyuan-i nuk kanë qenë zemërgjerë vetëm kur është fjala për ndihmën dhe dhurimet për shoqërinë, por edhe ndaj punonjësve e bashkëpunëtorëve të vet. Në vitin 2005, me rastin e 10-vjetorit të krijimit, Grupi "Tiens" habiti botën kur, për të shpërblyer shpërndarësit e produkteve me rezultate më të spikatura, u dhuroi atyre 260 limuzina, 54 aeroplanë, 71 jahte dhe 21 vila. Por edhe më spektakolar ishte kremtimi sivjet i 20-vjetorit të krijimit të kompanisë. Në maj magnati 57-vjeçar kinez organizoi një udhëtim katërditor në Francë e Monako me të gjitha shpenzimet të paguara për më shumë se gjysmën e 12 000 punonjësve të "Tiens"-it.
Li Jinyuan-i rezervoi 140 hotele në Paris për 6 400 punëtorët e kompanisë së tij, 5400 prej të cilëve nga Kina, ndërsa të tjerët nga vende e rajone të ndryshme anekënd botës, të cilët vizituan pika të ndryshme turistike në Paris, duke përfshirë muzeun e famshëm të Luvrit dhe Kullën "Eifel", si edhe bënë pazar në qendrën tregtare luksoze "Galeries Lafayette", madje panë edhe një shfaqje në "Moulin Rouge".
Li Jinyuan-i po ashtu kishte rezervuar 7 600 vende në tren për udhëtimin në jug të Francës, në Cote d'Azur, si edhe 4 760 dhoma në 79 hotele luksoze në Monako and Kanë.
Pas dy ditësh qëndrimi në Paris, grupi i vizitorëve nga Kina shkoi në qytetin jugor turistik të Nisës, ku ata thyen një rekord botëror "Guinness" për formimin e fjalisë më të madhe me njerëz. Të 6400 pjesëtarët e tij u rreshtuan në "Promenade des Anglais" për të krijuar shprehjen në gjuhën angleze, që ishte e dukshme që nga lart "Tiens' dream is Nice in the Côte d'Azur", që falë kuptimit që ka në gjuhën angleze emri i qytetit të bukur në Rivierën Franceze, mund të përkthehet në dy mënyra: "Ëndrra e 'Tiens'-it është e bukur në Côte d'Azur", por edhe "Ëndrra e 'Tiens'-it është Nisa në Côte d'Azur".
Vizita e punonjësve të "Tiens"-it është vizita në grup më e madhe në historinë e turizmit francez, e mbase edhe të atij botëror, duke qenë edhe një ndihmë e madhe për sektorin francez të turizmit. Sipas "The Economist", turistët kinezë përbëjnë një ndër dhjetë turistë në mbarë botën, duke shpenzuar më shumë se turistët e çdo vendi tjetër. Vlerësohet se 15 milionë dollarë amerikanë u harxhuan për dhoma hoteli, transport, ushqim dhe blerje mallrash luksi nga Li Jinyuan-i dhe punonjësit e tij.
Prandaj nuk është çudi që bosi bujar dhe disa drejtues të tjerë të lartë të Grupit "Tiens" u ftuan për t'u takuar me ministrin e Jashtëm francez Laurent Fabius. Ëndrra e "Tiens"-it ishte e bukur edhe për ekonominë franceze.