20150922HP01 |
Presidenti i Grupit "Tiens" Li Jinyuan është cilësuar kohët e fundit nga disa si "bosi më i mirë në botë". Në majin e sivjetshëm ai organizoi një udhëtim katërditor në Francë për më shumë se gjysmën e punonjësve të kompanisë së vet, për të kremtuar pikërisht 20-vjetorin e krijimit të kësaj kompanie. Ata bënë vizita në pika të tilla simbol të Parisit, si Muzeu i Luvrit e Kulla "Eifel", si edhe në Nisë e Monako, duke shënuar edhe disa rekorde gjatë kësaj vizite. Megjithatë, rruga e biznesit e bosit të tyre nuk ka qenë një udhëtim turistik, por e mbushur plot peripeci.
Li Jinyuan-i ka lindur në vitin 1958 në qytetin Cangzhou të provincës Hebei. Kur ishte në moshën 14-vjeçare ai nuk e vazhdoi shkollën e mesme, por nisi punë në një fushë naftëmbajtëse të provincën e tij, për t'i ardhur në ndihmë familjes së varfër ekonomikisht, ashtu si pjesa dërrmuese e familjeve kineze në atë kohë. Li Jinyuan-i ishte punëtori më i ri aty. Pas dy vjetësh, në vitin 1974, ndonëse biznesi privat nuk ishte i lejuar, 16-vjeçari Li Jinyuan nisi të merret me tregti të vogël. Ai vuri re se veshjet dhe pajisje të tilla si radiot e magnetofonët ishin më të lira në Jug të Kinës sesa në Veri, ndërsa drithërat dhe disa specialitete vendore ishin mjaft më të lira në Veri, dhe se mallrat e Jugut ishin shumë më të shtrenjta në Veri dhe anasjellas. Li Jinyuan-i e bëri pasurinë e parë pikërisht duke përfituar nga ky ndryshim çmimesh. Ai kurseu 400 juanë (afro 63 dollarë amerikanë), një shumë e madhe për kohën. Ai e huajti pjesën më të madhe të kësaj shume, por për fat të keq ato para nuk iu kthyen më.
Li Jinyuan-i kishte nevojë tashmë ta niste gjithçka nga fillimi. Ai hapi një mulli, që mund të vlerësohet si paraardhësi i grupit "Tiens" të sotëm. Më pas, teksa ky biznes nisi të ecte mbarë, Li Jinyuan u zgjerua edhe në prodhimin e foragjereve, kurse më vonë hapi edhe një shtypshkronjë. Të gjitha këto biznese i sollën Li Jinyuan-it fitime të mëdha. Në vitet '80 të shekullit të kaluar, kur në Kinë lindi togfjalëshi "familje dhjetëmijëjuanëshe", që do të thotë se në atë kohë një familje quhej e pasur po të kishte të paktën 10 mijë juanë (rreth 1570 dollarë amerikanë), kishte një periudhë që pasuria e Li Jinyuan-it arriti në 20 milionë juanë (afro 3 milionë e 140 mijë dollarë amerikanë).
Në vitin 1993, Li Jinyuan-i, që në atë kohë ishte 35 vjeç, shkoi në Tianjin, një qytet pranë vendlindjes së tij dhe kryeqytetit Pekin. Pasi u përfshi për një periudhë në sektorin e pasurive të paluajtshme, aventura e re e Li Jinyuan-it ishte në produktet e shëndetit, kryesisht nga lëndë të para bimore, të tilla si xhenseni. Li Jinyuan-i iu përkushtua i tëri këtij projekti, madje edhe vendosi të jetonte pranë vendit ku po ndërtonte fabrikën, në Zonën e Zhvillimit Ekonomik "Wuqing" të Tianjin-it.
Megjithatë, dukej se fati kishte vendosur t'i bënte një shaka Li Jinyuan-it. Tre muaj provë për sipërmarrjen e re përfunduan në dështim, dhe më shumë se 20 milionë juanë të përdorura në teknologji dhe pajisje, për blerjen e tokës, për ndërtimin e fabrikës etj., shkuan kot. Ky kapital përfshinte të gjitha pronat që ai kishte siguruar gjatë 20 vjetëve dhe paratë që kishte huajtur nga të afërmit dhe miqtë e tij. Humbja dhe dështimi e bënë Li Jinyuan-in që të qante për herë të parë në jetën e vet prej të rrituri.
Dhe jo vetëm kaq: një natë të errët prilli të vitit 1994 nga dëshpërimi Li Jinyuan-i u hodh në një liqen që ndodhej në afërsi të sheshit të ndërtimit të fabrikës. Uji i ftohtë i liqenit e solli në vete dhe e bëri të reflektojë thellë për jetën dhe karrierën e tij. Dhe pastaj ai i tha vetes: "Vetëm nëse nuk më lëshon zemra, mund ta nis çdo gjë nga fillimi përsëri."
Li Jinyuan-i vendosi ta ndryshojë përbërjen e produktit. Me ndihmën e Zheng Pengran-it, një specialist i famshëm kinez në fushën e të ushqyerit, Li mblodhi 4.8 milionë juanë (pak më shumë se 754 mijë dollarë amerikanë) për të prodhuar një produkt të ri, duke zëvendësuar xhensenin me një suplement kalciumi, produkt të cilin e quajti "Pluhuri ushqyes me përmbajtje të lartë kalciumi 'Tiens'". Në të njëjtin vit, produkti i ri nisi të prodhohet në masë.
Në vitin 1995, Li Jinyuan-i krijoi grupin "Tiens", ose "Tienshi" në gjuhën kineze, që do të thotë fjalë për fjalë "luani qiellor". Ai dhe kolegët e tij në "Tiens" prodhuan dhe hodhën në vijim në treg edhe shtatë produkte të tjera kujdesi shëndetësor ushqyese me përqindje të lartë kalciumi. Në vitin 1996 nisi marketimi i serisë së produkteve ushqyese me përmbajtje të lartë kalciumi "Tiens" në të gjithë Kinën kontinentale.
Megjithatë, në atë kohë, borxhet e krijuara që nga dështimi i kaluar dhe mbledhja e kapitalit për rifillimin nga e para të biznesit bënë që Li të kishte probleme të reja financiare. Li Jinyuan-it iu desh të shiste mullirin, biznesin e prodhimit të foragjereve, si edhe makinën e tij të parapëlqyer, një "Mercedes-Benz", për të paguar borxhet, kreditë bankare dhe rrogat e punëtorëve. I mbetën vetëm 1 000 juanë (157 dollarë amerikanë) për të mbajtur familjen.
Por siç ndodh ndonjëherë, gjërat e këqija dalin për mirë. Problemet financiare e bënë Li Jinyuan-in të ndryshonte metodat e marketingut dhe strategjinë e shitjeve të kompanisë së tij, duke kaluar nga agjencitë e reklamave në shitjen e drejtpërdrejtë. Brenda tre vjetësh, Li Jinyuan-i krijoi një "ushtri" prej tre milionë shitësish, që shitnin produktet e shëndetit të "Tiens"-it derë më derë në mbarë Kinën. Metoda e re sfidoi mënyrën tradicionale të funksionimit të biznesit dhe i solli një fillim të ri e fitime të mëdha kompanisë. Në vitin 1997 të ardhurat e Grupit "Tiens" arritën në 2 miliardë juanë (mbi 314 milionë dollarë amerikanë).
Megjithatë, tregu nuk ishte pjekur në atë kohë dhe kishte prej atyre që përfituan nga shitjet e drejtpërdrejta për të fituar para në mënyrë të paligjshme. Për këtë arsye, për të ruajtur rregullin në tregun e brendshëm, Këshilli i Shtetit i Kinës vendosi në vitin 1998 ndalimin e shitjeve të drejtpërdrejta. Të gjitha kompanitë që ndiqnin modelin e shitjes së drejtpërdrejtë, duke përfshirë Grupin "Tiens", u detyruan ta zhvendosin shitjen në dyqane. Për një kohë, shumë shpërndarës të produkteve të "Tiens"-it shkuan në zyrën e Li Jinyuan-it për t'i kthyer këto produkte, që llogariteshin me një vlerë 100 milionë juanë (15 milionë e 700 mijë dollarë amerikanë).