Kur e pyet nëse krijimi i afrisë me punonjësit mund të cenojë autoritetin e tij, Zhang Yong-u përgjigjet me bindje: "Jo". "Askush nuk e shpërfill autoritetin tim, ndonëse në të vërtetë unë jam shumë i shkueshëm. Për shembull, në qoftë se një menaxher i lartë ose menaxher restoranti bën një gabim, unë i them: 'Unë kujdesem për ty dhe dua që të bisedoj me ty, por meqë e kam kohën të kufizuar, duhet të vish ti të më takosh. Meqë je ti që ke bërë gabim, ti duhet të paguash biletën, hotelin dhe kafen që do pimë. Unë i quaj këto 'rregullat e kafes'."
Zhang Yong-u është i angazhuar në krijimin e një sistemi të duhur të burimeve njerëzore për "Haidilao"-n. Shumica e të punësuarve të tij janë të rinj, me arsim të kufizuar dhe nga qytetet e vogla apo fshatrat. Dalja nga varfëria dhe përmirësimi i jetesës është pa dyshim një nxitje e madhe për këta punëtorë.
"Thelbi i filozofisë së 'Haidilao'-s është se mund të ndryshosh me duart e tua. Unë u jap punëtorëve të mi shpresë për një jetë më të mirë duke punuar shumë," thekson Zhang Yong-u.
Në "Haidilao" çdo punonjës ka mundësinë të promovohet. Zhang Yong-u thotë se i shmanget emërimit të menaxherëve që nuk e kanë filluar "nga pozicioni më i ulët". "Të gjithë drejtuesit tanë zgjidhen nga radhët e punëtorëve. Kjo është ajo gjë ku ne ndryshojmë nga të tjerët: punonjësit tanë ndihen të vlerësuar dhe e dinë se mund të ngjisin shkallët e karrierës," thekson Zhang Yong-u.
Yuan Huaqiang-u është një shembull i tillë. Djali nga fshati dikur merrej me përshëndetjen e klientëve në hyrje të njërit prej restoranteve të "Haidilao"-s, dhe punonte gjithashtu edhe si pjatalarës e kamerier. Kurse sot ai është menaxher i përgjithshëm në Pekin dhe në vitin 2007 bleu një apartament me vlerë 3 milionë juanë në kryeqytet, ku jeton me prindërit.
Punonjësit e "Haidilao"-s që kanë më shumë se tre vjet punë në këtë kompani, mund të marrin edhe një subvencion vjetor për arsimimin e fëmijëve të tyre, me vlerë nga 3000 deri në 10 000 juanë.
Një nga ëndrrat e Zhang Yong-ut ka qenë ajo për ta nxjerrë biznesin e vet jashtë Kinës, me idenë se një mjedis i ashpër konkurrues mund të nxisë zhvillimin e kompanisë dhe të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme shërbimin e ofruar prej saj. Në këtë mënyrë do të përfitojë, sipas tij, edhe biznesi i brendshëm.
Në vjeshtën e vitit 2013, në Kaliforninë Jugore u hap një restorant "Haidilao", i cili po bëhet gjithnjë e më i pëlqyer, duke qenë një shembull i suksesit të biznesit kinez jashtë vendit, sidomos në ShBA.
Sipas një vlerësimi të fundit, numri i restoranteve kineze në ShBA e kalon numrin e restoranteve "McDonalds" në mbarë botën.
"Kuzhina kineze ka tregun e vet jashtë vendit. Megjithatë, ajo është quajtur si e lirë dhe e nivelit të ulët," thotë Zhang Yong-u. "Unë shpresoj se 'Haidilao' përfundimisht do të ndihmojë për ta ndryshuar këtë imazh."