PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhang Yong, "shija djegëse" e suksesit
2015-09-01 15:45:44 CRI Komenti juaj Printoni

Njerëzit qëndrojnë me durim në radhë pothuajse në të gjitha restorantet "Haidilao". Mjaft prej tyre presin orë të tëra për të shijuar gatimet e këtij restoranti. Ndonjëherë kjo pritje është përshkruar si e ngjashme me atë para dyqaneve të "Apple"-it për të blerë llojin e ri të "iPhone"-it. Po cili është çelësi i suksesit të themeluesit të këtyre restoranteve?

Në vitin 1994 themeluesi dhe presidenti i kompanisë "Haidilao Catering" të Sichuan-it Zhang Yong, në atë kohë vetëm 24-vjeçar, ishte një punëtor i thjeshtë në një fabrikë në vendlindjen e vet, Jianyang, një qytet në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore. Ai fitonte diçka më shumë se 90 juanë (më pak se 15 dollarë) në muaj dhe me të ardhura të tilla të ulëta nuk mund të përballonte as qiranë e shtëpisë.

Dhe kështu ai mendoi të niste një biznes. Bashkë me të dashurën e vet (e cila më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij), dhe një shokun e vet me të dashurën e tij, Zhang Yong-u hapi një restorant të së ashtuquajturës "tenxhere në zjarr". "Tenxherja në zjarr" është një mënyrë gatimi, sipas së cilës në një tenxhere që valon në qendër të tryezës së ngrënies hidhen përbërës të ndryshëm, si thela mishi të prera hollë, fruta deti, perime të ndryshme etj. Ata vendosën ta quajnë restorantin e tyre "Haidilao", që pak a shumë do të thotë "nxjerr thesar nga fundi i detit". Dhe vërtet "Haidilao" do të ishte një thesar për themeluesit e tij, veçanërisht për Zhang Yong-un.

Vitet '90 të shekullit të kaluar ishin një periudhë kur shumë njerëz në Kinë nisën biznesin privat. Zhang Yong-u thotë se ishte me fat, sepse të gjithë ata që dëshironin të përmirësonin jetën e tyre nëpërmjet çdo lloji biznesi, kishin mundësi të mira të pasuroheshin. Një sipërmarrësi i duhej vetëm të zgjidhte njërën prej këtyre mundësive, shprehet Zhang Yong-u.

"Biznesi i restorantit ishte pak a shumë i lehtë, pasi nuk kishte nevojë për shumë para për të filluar. Kjo është arsyeja pse shumë biznesmenë kinezë në vitet '90 të shekullit të kaluar zgjodhën biznesin e ushqimit për të bërë pasurinë e tyre të parë ", thekson Zhang Yong-u.

Në fillim restoranti i Zhang Yong-ut kishte vetëm katër tryeza, dhe investimi fillestar për të ishte vetëm 10 mijë juanë. "Unë nuk kisha as edhe një qindarkë, kështu që të tjerët ishin investitorët e vërtetë," kujton Zhang Yong-u. "E megjithëse nuk ndihmova shumë sa u përket parave, mua më dhanë postin e menaxherit të përgjithshëm. U premtova që pasuria jonë do të shtohej dhe do të arrinte në 150 000 juanë brenda pesë vjetëve. U betova që, në qoftë se nuk ia dilja mbanë, do t'ua ktheja paratë. 10 000 juanë ishin shumë për një grup njëzetecavjeçarësh në vitet '90 të shekullit të kaluar, kështu që ata ishin pak të shqetësuar.

Lloji i "tenxheres në zjarr" që Zhang Yong-u dhe ortakët e tij vendosën që shërbenin në restorantin e tyre, ishte malatang-u, një supë djegëse që e ka zanafillën në Sichuan. Ajo është e lirë, por shumë e pëlqyer nga kinezët, që duan të "detoksikojnë" trupin e tyre me ushqime djegëse e të nxehta.

Në të vërtetë, kjo ishte ajo që mendoi Zhang Yong-u, por siç do ta zbulonte fill më pas, dhe siç edhe pohojnë ekspertët, sipërmarrja në fushën e restoranteve është ndër më të vështirat, ngase shumë njerëz përfshihen në të, pasi ashtu si Zhang Yong-ut, u duket diçka e thjeshtë. Asnjë klient nuk e vizitoi restorantin e vogël në dy apo tre ditët e para.

"Në fillim unë nuk mund të bëja atë që duhej, për shkak të aftësive dhe të njohurive të mia të kufizuara," sjell në kujtesë Zhang Yong-u. "Unë po ashtu nuk e dija se si bëhej një 'tenxhere në zjarr' tipike e Sichuan-it. E megjithatë vazhdimisht eksperimentoja pas ankesave të klientëve. Në atë kohë, kur ata thoshin se 'tenxherja në zjarr' ishte shumë i kripur apo nuk ishte mjaftueshëm djegëse, unë menjëherë e ndryshoja dhe u bëja zbritje klientëve, apo edhe nuk u merrja para fare. Mësova nëpërmjet goditjeve e vuajtjeve. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme që mësova, ishte që mirësia shpërblehet, duke sjellë klientë dhe para."

Brenda pak muajsh, Zhang Yong-u kishte mjaft klientë të rregullt, shumë prej të cilëve ishin bërë miq personalë, nga kryetari i bashkisë së qytetit deri te shitësit në rrugë. Tani biznesi i tij i tenxheres në zjarr vërtet po "ziente".

"Edhe pse restoranti ishte i vogël, arritëm të triumfonim nda restoranteve të tjerë të 'tenxheres në zjarr' përqark. Të gjithë mendonin se unë isha marrosur, sepse vazhdoja t'i investoja të gjitha paratë në restorant. Por unë nuk kam ndonjë interes të madh për paratë. Është botëkuptimi yt që përcakton qëndrimin që ke ndaj parave dhe lidhjet që mban me kolegët e tu. Nëse je i interesuar vetëm për të fituar para, ke frikë nga rreziqet dhe i shkel parimet e tua. Nëse ke një ëndërr të madhe, i shikon paratë si një burim për investime. Kjo është mënyra se si mendojnë sipërmarrësit e vërtetë," vë në dukje Zhang Yong-u.

Brenda pak muajsh, "Haidilao" u bë restoranti më i madh i 'tenxheres në zjarr' në Jianyang. "Nga vetëm katër tryeza fillimisht," thotë Zhang Yong-u, "më vonë ne u zgjeruam në tërë katin e ndërtesës. Restoranti ynë kishte dekorin më të mirë, dhe madje kishte ajër të kondicionuar, kur asnjë restorant tjetër aty në atë kohë nuk kishte. Në vitin 1998 ne hapëm restorantin tonë të dytë."

Zhang Yong-u vendosi ta quante restorantin "Louwailou", sipas një poeme të lashtë kineze. "Nuk dija si ta pozicionoja këtë restorant të ri," ndërmend Zhang Yong-u. "Por meqë ishte i zbukuruar më mirë, ne menduam se mund të tërhiqte klientë më të pasur, ndërsa restoranti i parë synonte më shumë të ishte për njerëzit e zakonshëm. Kështu që i dhashë këtij restoranti të ri edhe një emër të ri. E bëra këtë instiktivisht - si mund ta bënin njerëzit dallimin ndërmjet të dy restoranteve në qoftë se që të dy quheshin 'Haidilao'?"

Gjithsesi, më në fund edhe ky restorant e zuri pozicionin e vet në treg dhe Zhang Yong-u nisi të shohë mundësinë e zgjerimit të provinca të tjera të Kinës.

Pas hapjes së "Louwailou"-t një shok i veti, i cili shiste pajisje mjekësore dhe kishte një kompani në Xian, kryeqendër e provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, e pyeti Zhang-un nëse ishte i interesuar që të hapte një restorant "tenxhereje në zjarr" atje. "Unë i thashë po," tregon Zhang Yong-u. "Nuk kisha para të mjaftueshme apo njohuri në lidhje me tregun atje, por besoja se Kina Veriore duhej të ishte një treg i madh. Shoku im ishte në një mendje me mua. Ai më tha se restorantet e 'tenxheres në zjarr' të Sichuan-it janë shumë të pëlqyera në mbarë vendin. Ai donte që unë të isha partner i tij, por unë kisha vetëm 200 000 juanë, që nuk ishin të mjaftueshme, e megjithatë shoku im më tha se nuk kishte problem."

Më në fund Zhang Yong-u hapi një restorant "Haidilao" në Xian, por që zgjati vetëm rreth gjysmë viti. "Shija nuk ishte e duhura dhe duhej kohë që të bëhej e pëlqyer. Përveç kësaj, nuk mund ta menaxhoja vetë restorantin. Rrallë shkoja në Xian, pasi kisha edhe dy restorante të tjera dhe familja ime ishte në Jianyang."

Restoranti pësoi 330 000 juanë humbje. Zhang-u tregon: "Ortaku im ishte shumë i mirë. Ai më tha se do të paguante pjesën më të madhe të humbjeve, por unë nuk pranova. Në fund unë pagova 180 000 juanë dhe ai 150 000 juanë. Isha në trysni të madhe në atë kohë dhe m'u desh një kohë e gjatë ta shlyeja atë shumë, por i jam mirënjohës shokut tim, sepse më dha kohë për ta paguar borxhin."

Dështimi e bëri Zhang Yong-un të jetë i kujdesshëm me zgjerimin. Tani "Haidilao" ka më shumë se 40 restorante në mbarë Kinën, së bashku me katër baza logjistike dhe një bazë prodhimi. Të ardhurat vjetore të kompanisë i kalojnë 1 miliard juanët, ndërsa numri i punonjësve të saj është më shumë se 10 000 mijë. Zhang Yong-u parashikon ta rrisë numrin e restoranteve që ka në pronësi me 20 për qind në vit.

Zhang Yong-u ka një ëndërr: ta bëjë "tenxheren në zjarr" djegëse të tij po aq të njohur e të përhapur ndërkombëtarisht sa edhe hamburgerat e "McDonald"-it dhe kafenë e "Starbucks"-it.

"Kompania jonë është në procesin e bërjes një kompani ushqimi e standardizuar dyqanesh zinxhir, me objektivin e zgjerimit në tregun botëror të ushqimeve," vëren biznesmeni.

Motoja e "Haidilao"-s është "Shërbimi i pari, klientët të parët", dhe kompania e vetë Zhang Yong-u njihen për zbatimin rigoroz të saj.

Një nga taktikat e para që përdori "Haidilao" për të joshur klientët, ishte shërbimi falas i lyerjes së thonjve për femrat, ndërsa ato prisnin në radhë në restorant, ndërsa meshkujt mund të luanin me letra ose shah. Po ashtu në restorantet e "Haidilao"-s ofrohen edhe pije, fruta dhe ëmbëlsira falas, si edhe lustrim këpucësh. Klientët po ashtu mund të kalonin kohën në internet në kompjuterat e ofruar nga restoranti.

Një ditë vere të vitit 2009, Zhang Yong-u rastësisht vizitoi një nga restorantet "Haidilao" në Pekin dhe pa se shalqinjtë që ofroheshin falas për ata që qëndronin në pritje, nuk ishin shumë të ëmbël.

1 2 3
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China