PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Nanxi Liu, sipërmarrësja që ulet përherë në ndenjësen e mesit
2015-08-18 16:07:27 CRI Komenti juaj Printoni

Ajo nisi të ndjekë një kurs për sipërmarrje, ku projekti përfundimtar ishte paraqitja e ideve të studentëve, për të cilat ata kishin punuar gjatë gjithë semestrit, para një jurie, një ndër anëtarët e së cilës ishte edhe themeluesi i "Bing"-ut, motori i kërkimit në internet i "Microsoft"-it. "Kur e paraqita projektin tim," kujton Nanxi Liu, "profesorja më tha: 'Unë zakonisht nuk ua them studentëve këtë, por ti duhet të bëhesh sipërmarrëse dhe ta vësh në jetë vërtet këtë projekt'." Nanxi nuk ishte e sigurt në i kishte karakteristikat që duhen për të qenë një sipërmarrëse, por profesorja e vet këmbënguli.

"Ajo profesore më dha besim," thekson Nanxi Liu. "Një pjesë e madhe e asaj që nevojitet për fillimin e biznesit është besimi te vetja jote dhe besimi se ke aftësi për të mbledhur ekipin që duhet për ta bërë realitet idenë tënde."

Dhe një natë Nanxi Liu gjeti njeriun që do të bëhej pjesë e ekipit me të cilin do të vinte në jetë idenë për nisjen e biznesit. Ajo ndodhej në një bar në lagjen e vet në Kolorado bashkë me disa shokë e shoqe, kur pa një djalë simpatik. Shokët i thanë: "Ai është Balaji Sridhar-i, një biokimist i talentuar." Balaji mund të fliste rrjedhshëm në pesë gjuhë, ishte fitues i Konkursit të Kërkimit të Talenteve Shkencore "Intel", konkursi më i njohur i kërkimit shkencor për shkollat e mesme në ShBA, kishte studiuar në një universitet të njohur si MIT dhe kishte marrë gradat "master" dhe "doktor". "Dukej që ishte shumë i zgjuar," shprehet Nanxi Liu. Kur ai iu afrua, Nanxi i tha: "Nuk e kam problem të lidhem me ty, sepse kriteret e mia për t'u lidhur me një djalë janë më të ulëta sesa ato për të punuar me dikë. Ti je në nivelin më të lartë — le të nisim të punojmë së bashku."

Ishte mesnatë në një bar dhe ata të dy nisën të flitnin për studimin e qelizave rrënjore dhe për ripërtëritjen e kolagjenit.

"Pa kaluar shumë, ne krijuam 'Nanoly Bioscience', një kompani që ka krijuar një mburojë kimike, e cila i lejon vaksinat të mbijetojnë pa ngrirje, për të mundësuar dërgimin e sigurt dhe të lirë të tyre edhe në zonat më të largëta të botës," shprehet Nanxi Liu, e cila shton se një arsye që e bëri t'i lindë kjo ide, ishte vështirësia për vaksina në fshatin në Kinë ku kaloi vitet e para të fëmijërisë. Sërish ishte të vetëmësuarit që e ndihmoi Nanxi Liu-n. "Në 'Nanoly Bioscience' të gjithë përveç meje kishin gradën 'doktor'," shprehet ajo duke qeshur.

Në vitin 2012 "Nanoly Bioscience" fitoi Çmimin e Novacionit Shoqëror në Çmimet e Teknologjisë të sponsorizuara nga "Microsoft" dhe "Nokia". "Njerëzit na pyetën se si e arritëm këtë. Ne kishim aftësitë, zellin dhe vendosmërinë për ta kthyer këtë shpikje në biznes dhe ia dolëm mbanë ta bëjmë një gjë të tillë. Ka shumë ide të mëdha që dështojnë – njerëzit i kanë aftësitë ose idetë, por ata nuk arrijnë t'i vënë ato në jetë," vë në dukje Nanxi Liu.

Më pas Nanxi Liu u bë një ndër pesë bashkëthemelueset e "Enplug"-ut, një kompani që lindi me qëllimin për ta shndërruar mënyrën e të reklamuarit. E pyetur përse kaloi nga kryezyrtare ekzekutive e "Nanoly Bioscience", një kompani bioteknologjike, në "Enplug", ajo thekson: "Aftësia ime është krijimi i gjërave. Më jep një ide interesante dhe unë do të gjej një mënyrë për ta vënë atë në jetë." Më tej Nanxi tregon: "Pyetja që unë i bëj gjithmonë vetes është: 'Nëse do të krijoj diçka, a mund të jetë ajo diçka e madhe dhe që sjell ndryshim?' Me 'Enplug'-un ishte shumë e qartë që, po, kishte një mundësi të madhe tregu, të cilën asnjë kompani nuk e kishte shfrytëzuar në mënyrë të efektshme. Ne jemi duke hedhur hapin e ardhshëm. Mendoni posterat ose reklamat që shihni në stadiume, restorante, hotele: ato nuk kanë ndryshuar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Ato tregojnë të njëjtën përmbajtje të vjetër e të ngurtë, me të cilën nuk mund të ndërveprosh. Nëse shikon filmat futuristë, të gjitha reklamat dixhitale në këto filma mund të flasin me ty, mund të të përgjigjen. Mund të ndërveprosh e të shkëmbesh informacion me to."

Nanxi Liu shprehet se në "Enplug" ata po krijojnë softuerë për të transformuar të gjitha reklamat publike në reklama inteligjente. "Qëllimi ynë është të mundësojmë që çdo reklamë publike që funksionojë nën drejtimin e softuerit tonë, t'i lidhim ato të gjithë së bashku në një rrjet dhe ta bëjmë këtë një përvojë më të mirë për përdoruesit," vëren Nanxi. Ajo thekson se tani qindra kompani, duke filluar nga kafenetë vendore deri në ato të përfshira në listën e 500 kompanive kryesore botërore të revistës "Fortune", përdorin softuerin e "Enplug"-ut dhe aplikacionin "Enplug" për media sociale, lajme, lojëra etj. "Enplug"-u është përfshirë ndër 30 kompanitë e reja kryesore të botës të revistës prestigjioze "Enterpreneur", dhe ndër 5 kompanitë e reja kryesore të botës të drejtuara nga sipërmarrëse femra të revistës "Inc.".

E ëma iu nda nga jeta kur Nanxi Liu ishte ende studente në universitet. Nanxi shprehet se një gjë e tillë ia ndryshoi vërtet këndvështrimin që kishte për jetën: lidhur me atë që donte të bënte me jetën e vet dhe se çfarë donte të thoshte rrezik.

"Kuptova se, edhe po të mos kisha bërë qoftë edhe një qindarkë, më e keqja që mund të ndodhte, ishte t'u bija në qafë shokëve të mi e të flija në divanët e tyre. Unë mund ta bëja një gjë të tillë. Anët negative të të mosbërit para nuk duken aq të tmerrshme. Mund të mos kem asnjë dollar në bankë dhe, megjithatë, një gjë e tillë nuk do të ketë aspak ndikim te unë: ajo për të cilën jam shumë më tepër e interesuar është sigurimi i përvojës. Shokët e mi u befasuan se nuk fillova punë në bankë, ku unë mund të kisha bërë 150 000 dollarë në vitin e parë pas përfundimit të universitetit. Po unë mendoja: '150 000 dollarë? E çfarë? Nuk do ta ndryshoj jetën time për hir të kësaj.' Unë isha e interesuar për krijimin e diçkaje domethënëse e me ndikim, me të cilën mund të bëja 150 milionë dollarë'.

Me gjithë pasurinë, Nanxi Liu mund të thuhet se bën një jetë prej asketi: "Unë nuk jetoj në luks. Dyshekun tim të parë e bleva në dhjetor të vitit 2013. Më parë flija në dysheme, mbi një mbulesë të trashë. Arsyeja e vetme që pata dyshek, ishte se mbulesa ku flija u prish gjatë një stuhie shiu dhe pronari i shtëpisë bleu një dyshek për të zëvendësuar mbulesën. Apartamenti im i parë në Berkeley ishte vendi më i lirë që mund të gjendej: një dhomë pa dritare. Kishte dush dhe lavaman, por tualeti ishte në katin e poshtëm. Thosha me vete: 'Prej nga këtu ku jam, mund të ngjitem vetëm lart.' Dhe pikërisht një gjë e tillë ka ndodhur!"

Këtë jetë asketeje Nanxi Liu në njëfarë mënyre e ka përçuar edhe tek ortakët e saj në biznes dhe shokët e shoqet e ekipit, ndonëse më tepër mund të quhet një mosndarje e jetës personale nga puna. Të gjithë themeluesit e "Enplug"-ut morën fillimisht me qira një apartament të vogël në Los-Anxheles, për t'i ndërthurur, a më mirë, për t'i njëjtësuar në njëfarë mënyre stilet e tyre të jetesës. Duke larë dhëmbët në mëngjes bri njëri-tjetrit dhe duke gatuar në darkë për njëri-tjetrin, ata mund të thuhet me plot gojën se flenë dhe zgjohen në "Enplug". Dhomën e ndenjies ata e kthyen në një zyrë me pesë tryeza pune, secila me nga një kompjuter në të. "Kur krijuam 'Enplug'-un, të pestë bashkëthemeluesit (katër djem dhe unë) jetonim në një apartament me një dhomë e një kuzhinë," shpjegon Nanxi. "Pjesa më e madhe e tyre bënin një jetë mjaft të mirë më parë, madje njëri kishte një 'Aston Martin'. Po atëherë, përse ne të gjithë vendosëm të jetojmë së bashku në ato kushte shumë të thjeshta? Sepse unë besoj se dikush e arrin rritjen e zhvillimin më të madh pikërisht kur ndodhet në rrethana jo fort të mira e të këndshme. Mënyra më e mirë që ne bashkëthemeluesit e kompanisë ta njihnim njëri-tjetrin, ishte që të jetonim që të pestë së bashku për disa muaj në një apartament të vogël".

Dhe një gjë e tillë funksionoi fort mirë. "Ne i ramë në të se mund të kursenim mjaft duke mos i paguar vetes rroga dhe duke banuar e ngrënë bashkë," thekson Nanxi Liu. "Më pas vendosëm kishte ardhur koha të merrnim një shtëpi me qira. Dhe kështu morëm një shtëpi në Bel-Air dhe pastaj thamë: 'Le t'i ftojmë ata që duan të punojnë me ne, të jetojnë në këtë shtëpi. Në vend që t'u paguajmë rroga të plota, le t'u japim një pagesë të vogël dhe t'u ofrojmë strehim falas. Dhe pikërisht kjo është ajo që bëmë dhe kështu ishim në gjendje të bënim të mundur që ai investim i vogël fillestar, të zgjaste shumë. Ekipi ynë ka arritur në 37 veta dhe një e treta prej nesh jetojmë bashkë."

U deshën vetëm tre muaj që "Enplug"-u të kalonte nga koncepti te produkti dhe pastaj te shitja. Si kryezyrtare ekzekutive e kompanisë, Nanxi Liu ka rolin kryesor në këtë sukses, duke qenë në krye të një ekipi ku mbizotërojnë meshkujt.

Nanxi Liu thotë se ajo ndjek atë që e quan rregull të 10-përqindëshit. "Ndonjëherë suksesi im vjen për shkak se kam bërë 10 % më shumë se të tjerët. Herë të tjera, nuk është domosdoshmërisht 10 % më shumë kohë, por sigurimi i 10 % më shumë rezultate. I kam parë prindërit e mi duke u munduar në situata të vështira, dhe po ashtu i kam parë ata të gjejnë rrugëzgjidhje nga këto situata. Prindërit më mësuan se nuk ka rëndësi gjendja ku je, por ajo se çfarë bën në atë gjendje; nuk ka rëndësi vendimi që merr, por ajo se çfarë bën me vendimin tënd.

Nanxi nuk e sheh jetën nga prizmi i një sipërmarrëseje. "Edhe po të punoja në një kompani të madhe, do të përpiqesha për të qenë punonjësja më e mirë aty," shprehet Nanxi Liu. "Kjo jam unë. Në çfarëdo pozicioni të jem, përpiqem të bëj sa më shumë të jetë e mundur. Dua të jetoj dhe një jetë më mjafton."

Por talenti i Nanxi Liu-t nuk mbetet vetëm te teknologjia dhe biznesi. Ajo është edhe një pianiste e talentuar, që ka marrë pjesë në një numër konkursesh ndërkombëtare. Nanxi është po ashtu një nga 7 fituesit e Çmimeve Kombëtare të Lidershipit të uebajtit "mobilize.org", së bashku me ish-guvernatorin e Kalifornisë Arnold Shvarceneger. Nanxi Liu është po ashtu anëtare e bordit këshillimor të Nismës së Fëmijëve Kinezë të UNICEF-it dhe anëtare e bordit këshillimor të të rinjve të Fondacionit "Born This Way" të Lady Gaga-s. Dhe së fundi, Nanxi nuk është vetëm e zgjuar, por edhe e bukur, duke fituar në vitin 2011 çmimin "Miss Oakland." Nanxi Liu është pa dyshim shembulli më i mirë se bukuria dhe zgjuarsia nuk kanë asgjë kontradiktore.


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China