PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Nanxi Liu, sipërmarrësja që ulet përherë në ndenjësen e mesit
2015-08-18 16:07:27 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkëthemeluesja dhe kryezyrtarja ekzekutive e kompanive "Nanoly Bioscience" dhe "Enplug" Nanxi Liu u rrit e ndarë nga prindërit në një fshat të varfër të Kinës. Më pas ajo emigroi bashkë me prindërit e vet në ShBA, ku më pas do të ndiqte studimet në një prej univeriteteve më të mira, e ku shfaqi talent jo vetëm në krijimin e risive, por edhe në biznes. Fill pas përfundimit të studimeve Nanxi krijoi "Nanoly Bioscience", një kompani për prodhimin e polimereve që bënin të mundur që vaksinat të mbijetonin edhe pa ngrirje. Më pas ajo u bë bashkëthemeluese e një tjetër kompanie, "Enplug"-ut, që kishte si objektiv shndërrimin e reklamave digjitale statike në ndërvepruese. E megjithëse një vajzë e pasur, e zgjuar dhe e bukur, fituese çmimesh për krijimin e risive, çmimesh konkursesh bukurie, apo edhe të lidershipit, ajo sërish jeton në të njëjtën shtëpi bashkë me 11 prej 37 punonjësve të kompanisë, me qëllim që të jetë e përkushtuar gjithë kohën ndaj punës dhe të mos humbë kohë në lëvizje apo të mos i tërhiqet vëmendja nga bota e jashtme.

Nanxi Liu i kaloi vitet e para të jetës në një fshat në Kinë ku mungonin shumë gjëra, mbi të gjitha uji i rrjedhshëm, duke u rritur nga gjyshërit, xhaxhallarët dhe hallat e veta. Prindërit e saj kishin fituar bursa për të studiuar në Europë, por nuk kishin para të mjaftueshme për ta marrë edhe vajzën e tyre ende të vogël me vete. Kur Nanxi Liu ishte pesë vjeçe, prindërit e saj shkuan në Shtetet e Bashkuara, ku i ati kishte siguruar një bursë për të studiuar për doktoraturë, ndërsa e ëma për masterin e vet të dytë. Këtë herë ata e morën të bijën me vete, por duke sakrifikuar. Të dy mbrëmjeve punonin si kamerierë.

Megjithëse një fëmijëri e kaluar në varfëri, Nanxi Liu ka edhe mbresa të bukura prej saj. "Një nga kujtimet më të gjalla të fëmijërisë sime ishte kur ne u vendosëm në Kolorado dhe jetonim pranë aeroportit. Kur shihja aeroplanët, dilja me vrap jashtë, e hidhja vështrimin nga qielli dhe thosha: 'Një ditë edhe unë do të udhëtoj, do të fluturoj me aeroplan'," ndërmend Nanxi Liu. "Edhe sot e kësaj dite, kur jam e lodhur dhe duhet të shkoj në udhëtime pune, më kujtohen ato çaste dhe mendoj: 'Jam vërtet me fat që kam mundësi të fluturoj me aeroplan'."

Përveç shikimit të aeroplanëve dhe dëshirës për të fluturuar me ta, një tjetër pasion i lindi Nanxi Liu-t të vogël: pianoja. Nanxi iu lut prindërve të vet t'i blinin një piano dhe më në fund dëshira iu realizua. Ata gjetën në një dyqan vjetërsirash një piano që kushtonte vetëm 100 dollarë, por që ishte një pjesë e madhe e kursimeve të tyre, dhe e blenë. Vajza e vogël nisi të mësonte pianon me një mësues privat me 7 dollarë në orë, sërish një shumë e madhe për prindërit e vet. Megjithatë, ata ishin të vendosur të sakrifikonin për pasionin e vajzës së tyre, dhe ajo nuk i zhgenjeu. Nanxi ishte një nxënëse e zellshme dhe e talentuar dhe fitoi në disa prej konkurseve të interpretimit të pianos ku mori pjesë. Ajo shprehet se pjesëmarrja në këto konkurse ishte njëfarë hapjeje sysh dhe marrje mësimi për të. Nanxi Liu vë në dukje: "Unë mendoja: 'Në qoftë se i kushtoj përpjekje pianos, mund të fitoj.' Por edhe nga humbjet nxora një mësim të vlefshëm. Nëna ime më thoshte: 'Ti nuk je më pak e talentuar se konkurrentët e tjerë. Mund të kishe fituar, por arsyeja pse nuk fitove, ishte koha e paktë që i kushtove përgatitjes.' Kjo mbeti e ngulitur përgjithmonë në mendjen time. Mësova se mund t'i kontrolloja rezultatet e disa gjërave, në qoftë se u kushtoja kohën dhe mundin e duhur atyre gjërave. Unë mund të kontrolloja fatin tim."

Vite më vonë Nanxi Liu po merrte pjesë në një seminar me Scott Sherman-in, drejtorin ekzekutiv të Institutit të Veprimit Transformues. Scott Sherman-i iu drejtua së resë: "Unë kam për të të mësuar se si të bëhesh me më shumë fat." Ai i tha se gjithçka kishte të bënte me numrin e njerëzve që njeh dhe numrin e njerëzve që takon. "Kurrë nuk e kisha menduar këtë më parë, por kjo është pikërisht ajo gjë që unë kam bërë që prej atëherë - kam krijuar fatin tim," thekson Nanxi Liu.

Sipas saj, suksesi dhe fati janë një lojë numrash. "Kudo ku shkoj, takoj sa më shumë njerëz që të kem mundësi dhe krijoj sa më shumë marrëdhënie të jetë e mundur," shprehet Nanxi Liu. "Gjithmonë ulem në ndenjësen e mesit në aeroplan, në mënyrë që të kem mundësi të flas me njerëzit pranë meje. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm në aeroplanë, të cilët më kanë njohur me njerëz të tjerë të mrekullueshëm."

Nanxi tregon se, sa herë që hyn në një sallë a zyrë, mendon: "Këtu ndodhen 60 veta. Duhet të marr kartëvizitat e 40 prej tyre dhe t'u shkruaj menjëherë e-mail." Më tej ajo shprehet: "Unë nuk jam nga natyra një njeri i shoqërueshëm. Kur organizohet ndonjë veprimtari, përgatitem mendërisht dhe i them vetes se duhet të shkoj dhe të takoj njerëz, sepse unë besoj se fati im ka të bëjë me numrin e njerëzve që i mundësoj vetes të takoj."

Nanxi Liu mori pjesë në shumë konkurse gjatë shkollës së mesme. Si një vajzë e bukur, ajo konkurroi në gara bukurie dhe të nxitëseve të tifozave, por edhe për të qenë anëtare e qeverisë së shkollës etj. "Fitova shumë dhe humba shumë. Mësova se si t'u përkushtohem gjërave që dua në jetë dhe të mos e lë frikën nga dështimi të më nxjerrë pengesa në rrugën time," vë në dukje Nanxi Liu.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Nanxi Liu nisi studimet në një universitet të njohur, siç është Universiteti i Kalifornisë në Berkli. Aty Nanxi ndoqi një kurs inxhinierie, ku krijonin pajisje të ndryshme. "Në vend që t'i lija këto pajisje të mbeteshin vetëm projekte të shkollës, i merrja gjërat ne kishim krijuar dhe përpiqesha të fitoja para prej tyre. Ndër gjërat e para që kam shitur ishte një program kompjuterik për ndezjen dhe shuarjen e llambave. Ia tregova atë universitetit dhe fitova 10 000 dollarë. Nuk u thashë se i kisha bërë brenda 24 orëve." Nanxi Liu gjithashtu krijoi një sistem të thirrjeve telefonike të emergjencës me bazë tekstin për policinë e kampusit, që mori një çmim nga Qendra për Kërkime të Teknologjisë Informative në Interes të Shoqërisë. Ajo thotë se programimin kompjuterik e mësoi vetë, në mënyrë autodidakte, nga interneti.

"Të gjitha këto ndodhën në dy vitet e para, të cilat ishin një periudhë kur gjithë ato gjëra të vogla gëlonin në mendjen time. Por vitet e fundit të universitetit ishin koha kur u përpoqa vërtet për fillimin e biznesit," vëren Nanxi Liu.

1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China