PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Rruga e Mëndafshtë" e suksesit të Shen Aiqin-it dhe familjes së saj
2015-08-11 15:21:54 CRI Komenti juaj Printoni

Pa dyshim Grupi "Wensli" është një rast i suksesshëm në këtë drejtim.

Ndërsa Tu Hongyan-i është kryetare e grupit, bashkëshorti i saj Li Jianhua është president i "Wensli"-së. Por kjo jo pa meritë. Li Jianhua ishte ndërkohë një veteran i industrisë së prodhimit të mëndafshit. Ai hyri në biznesin e familjes në vitin 2003, dy vjet pasi u martua me Tu Hongyan-in. Edhe pse është Tu Hongyan-i që e ka fjalën e fundit, ajo dhe i shoqi Li Jianhua punojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin për drejtimin e Grupit "Wensli": ata e shpërfillin egon e tyre për hir të të bërit të asaj që është më e mirë për kompaninë.

Tu Hongyan-i dhe bashkëshorti i saj Li Jianhua luajnë role shumë të ndryshme në kompani. Tu Hongyan-i është e fokusuar më shumë në çështjet e jashtme dhe zbatimin e strategjive, ndërsa i shoqi është më i përqendruar në çështjet e brendshme dhe në hartimin e strategjive të kompanisë. Kur nuk bien në një mendje mbi strategjinë e kompanisë apo çështjet e menaxhimit, ata përpiqen të arrijnë konsensus nëpërmjet një komunikimi të hapur. Tu Hongyan-i dhe Li Jianhua kanë hartuar madje edhe një përmbledhje të qartë parimesh lidhur me menaxhimin e konflikteve, emocioneve dhe roleve të tyre.

Respekti i ndërsjellë për njëri-tjetrin është i qartë, siç është qëllimi i tyre i përbashkët për të bërë atë që është e mirë për të siguruar zhvillimin e vazhdueshëm të biznesit familjar. Në të vërtetë, kompania ka vazhduar të lulëzojë edhe teksa çifti e ka çuar atë nëpër një transformim strategjik dhe globalizim gradual. Kompania ka qenë edhe në gjendje të rekrutojë talente të njohura ndërkombëtare, si ish-kryezyrtari ekzekutiv i "Hermes Tekstil Holdings", i cili u bë kryezyrtar ekzekutiv i saj. Kalimi nga nëna te vajza i drejtimit të Grupit "Wensli" dhe modeli i menaxhimit të partneritetit në biznes dhe në jetë që ndjekin Tu Hongyan-i dhe i shoqi janë shembuj të mirë për bizneset e tjera familjare që përgatiten për udhëtimin e tyre të vazhdimësisë.

Tu Hongyan-i u bë fillimisht zëvendëspresidente e "Wensli"-së pas një periudhe të gjatë trajnimi, duke përfshirë studimet në universitet për menaxhim biznesi, një vit në një kompani tekstilesh në Japoni dhe disa vjet përvojë në një fabrikë të "Wensli", fillimisht duke punuar me makinat qepëse.

Dhe strategjia e saj e menaxhimit të kompanisë tani më shumë mbështetet në forcimin e markës dhe jo thjesht tek eksportet.

Tu vëren se eksportuesit kineze të prodhimeve të mëndafshit kanë konkurruar për të ofruar çmime më të ulëta për një kohë të gjatë. Në vitin 1993 dhe 1994, kur konkurrenca ishte e ashpër, një ton mëndafshi vlente vetëm 100 000 juanë dhe me 10 juan mund të blije tre kravata mëndafshi.

"Dukej se të gjithëve ua lejonte xhepi të blinin mëndafsh, nga biznesmenët te punëtorët e thjeshtë", thotë Tu Hongyan-i. Por konkurrenca e parregulluar gjithashtu e dëmtoi industrinë e mëndafshit. Prodhimi i mëndafshit është një proces i koklavitur, që kërkon kohë dhe mund. Duhet një vit që të rritet pema e manit, dhe një vit tjetër që fshikëza e krimbit të mëndafshit të kthehet në mëndafsh dhe veshje. Për shkak të konkurrencës së çmimeve të ulëta, kujton Tu Hongyan-i, mijëra fabrika falimentuan dhe dhjetëra mijëra punëtorë humbën vendet e punës në provincën e Zhejiang-ut.

Për fat, "Wensli" ia doli të mbijetonte, duke kuptuar se duhej të krijonte dhe të fuqizonte markën e vet të produkteve të cilësisë së lartë dhe me modele tërheqëse e të veçanta.

Por krijimi i markës nuk ka qenë një punë e lehtë. Për një kohë të gjatë, nënë e bijë ishin përpjekur për të pasur një markë që synonte nivelin mesatar, pra as atë të lartë, dhe as atë të ulët, të tregut. Ato hapën dyqane zinxhir në shumë qytete në Kinë, por gjërat nuk ecën shumë mirë.

"Ne mësuam nga dështimet dhe nxorëm mësime mjaft të vlefshme," vëren Tu Hongyan-i. Tani "Wensli" ka si objektiv konsumatorët vendës të nivelit të lartë, dhe gjithashtu merret me prodhimin dhe dizenjimin e dhuratave prej mëndafshi.

Tu Hongyan-i synon të grishë gratë e shtresës së mesme të lartë të qytete të moshës 40 – 50 vjeçe. Ajo përmend pronaren e një kompanie pasurish të patundshme në Pekin, e cila shkon me aeroplan në Hangzhou një herë në vit dhe porosit në "Wensli" për veten e vet veshje me vlerë 300 000 juanë.

Tu Hongyan-i shprehet se megjithatë nuk nxiton për krijimin e markës dhe se ka vendosur që "Wensli" të mos shpenzojë për reklama. Në vend të tyre, ajo i vlerëson lëvdatat nga konsumatorët si reklamën më të mirë për mëndafshin e "Wensli"-së.

Tu Hongyan-i e adhuron të ëmën, Shen Aiqin-in, e cila e shndërroi një fabrikë të vogël në një nga prodhuesit më të mëdhenj të mëndafshit në mbarë vendin, e madje edhe në botë, por thotë se i është dashur të zbatojë strategji të ndryshme për menaxhimin e kompanisë.

"Për brezin e nënës sime vëllimi kishte shumë rëndësi dhe ishte kut matës për mbarëvajtjen e biznesit", shprehet ajo, "por tani edhe e vogla mund të jetë e bukur. Ne nuk duam më që të jemi thjesht më të mëdhenjtë, por kemi si objektiv që të zotërojmë markat tona dhe të mbetemi të fokusuar".

Vëllimi i eksportit të kompanisë "Wensli" që kur Tu Hongyan-i mori drejtimin, nuk është rritur dhe ajo e kalon shumicën e kohës për promovimin e markës.

"Nëna ime ka një pasion të vërtetë për mëndafshin dhe e dashuron atë," vë në dukje Tu, dhe thotë se edhe asaj i pëlqen mëndafshi, por është e vetëdijshme se për të bërë biznes ka lindur nevoja për më shumë risi sesa gjatë brezit të kaluar.

Idhulli i "Wensli"-së ka qenë prej kohësh ikona franceze e modës "Hermes". Në fakt, "Wensli" ka bërë biznes me market e luksit si "Hermes" për një kohë të gjatë. Në vitin 2000, "Wensli" siguronte pothuajse 90 për qind të mëndafshit që përdorte "Hermes"-i.

Sa për procesin e krijimit të markës, Tu Hongyan-i thotë se kompani si "Hermes"-i kanë kaluar disa breza për një gjë të tillë, dhe "Wensli" është më pak se 40-vjeçare. "'Hermes'-i ka një përvojë më shumë se 100-vjeçare. Ata synojnë pareshtur arritjen e cilësisë dhe të mjeshtërisë," vë në dukje Tu Hongyan-i

Tu Hongyan-i e krahason markën "Wensli"-në me një fëmijë: "'Wensli' sapo ka mësuar të ecë." Por ajo është e bindur se, me gjithë vështirësitë që kompania e krijuar nga e ëma ka kaluar, rruga ku do të ecë do të jetë ajo e suksesit.


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China