PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Rruga e Mëndafshtë" e suksesit të Shen Aiqin-it dhe familjes së saj
2015-08-11 15:21:54 CRI Komenti juaj Printoni

Kina ka një histori të gjatë të prodhimit të mëndafshit e të veshjeve të mëndafshit. Në mesin e viteve '70 të shekullit të kaluar zuri fill një sipërmarrje që do të shndërrohej në një ndër prodhuesit më të mëdhenj të produkteve të mëndafshit jo vetëm në Kinë, por edhe në botë. Themeluesja e saj është një grua e thjeshtë kineze, e quajtur Shen Aiqin.

Shen Aiqin-i ka lindur në vitin 1946 në një fshat pranë qytetit Hangzhou, kryeqendra e provincës Zhejiang të Kinës Lindore. Familja e saj ishte e varfër, ndonëse ishte marrë prej disa brezash me prodhimin dhe tregtimin e mëndafshit. Shen Aiqin-i ishte e vendosur për ta ndryshuar një gjendje të tillë.

Në vitin 1975, Shen Aiqin-i, në atë kohë vetëm 29 vjeçe, u caktua drejtore e fabrikës së mëndafshit "Jianqiao" të Hangzhou-t, që ishte në prag të falimentimit.

Kur Shen Aiqin-i mori detyrën, kuptoi se duhej ta fillonte çdo gjë nga e para. Fabrika kishte vetëm 17 makina të vjetra, 22 fermerë të kthyer në punëtorë, një kapital prej vetëm 40 000 juanësh (diçka më shumë 6500 dollarë amerikanë) dhe më shumë se 100 000 juanë (mbi 16 000 dollarë amerikanë) borxhe.

Shen Aiqin-i punoi shumë për ta ndryshuar gjendjen e mjerueshme të fabrikës. Ajo ftoi specialistët e fabrikës të dalë në pension për t'u rikthyer e për të dhënë këshillat e tyre. Ajo gjithashtu udhëtoi në mbarë Kinën për të reklamuar prodhimet e fabrikës, që ishin kryesisht mbulesa jorganësh.

Përpjekjet e Shen Aiqin-it më në fund u shpërblyen në vitin 1978, kur prodhimet e fabrikës së mëndafshit "Jianqiao" të Hangzhou-t arritën të depërtojnë në tregun e Pekinit. Këto prodhime spikatën mbi të tjerat si për sa i përket cilësisë, ashtu edhe modeleve dhe ngjyrave, duke sjellë 60 000 juanë (afro 10 mijë dollarë) fitime, një shumë jo e vogël për kohën dhe për fabrikën e Shen Aiqin-it.

Në vitin 1999, fabrika e mëndafshit "Jianqiao" e Hangzhou-t, e shndërruar tashmë në kompaninë e prodhimeve të mëndafshit "Wensli" (më vonë Grupi "Wensli"), u bë një shoqëri aksionare. Shen Aiqin-i mbajti 51 për qind të aksioneve. Pas qartësimit të çështjes së pronësisë, u krijua rruga për zgjerimin e mëtejshëm të "Wensli"-së. Ndonëse pasuria e Shen Aiqin-it vlerësohet në disa qindra milionë dollarë, ajo kurrë nuk e ka parë veten si një pasanike, por si një administratore, së cilës i është besuar përgjegjësia e drejtimit të biznesit të veshjeve të mëndafshit drejt lulëzimit të mëtejshëm.

Pas dhjetëvjeçarësh zhvillimi, "Wensli" është shndërruar në një prodhues gjigant të mëndafshit, me pasuri të mëdha dhe mbizotërues i eksporteve të mëndafshit nga Kina.

Me Shen Aiqin-in në krye, "Wensli" regjistroi të ardhura me një vlerë të përgjithshme 500 milionë juanë (rreth 82 milionë dollarë amerikanë) në vitin 2000, ndërsa të ardhurat nga eksporti arritën në 130 milionë juanë (më shumë se 16 milionë dollarë amerikanë). Një vit më pas, të ardhurat e kompanisë "Wensli" kapën vlerën 600 milionë juanë (mbi 98 milionë dollarë amerikanë), nga të cilat gati 200 milionë juanë (më shumë se 32 milionë dollarë amerikanë) nga eksportet e produkteve të mëndafshit.

Që pas atij viti, të ardhurat e "Wensli"-së nga eksporti filluan të jenë të barabarta me të ardhurat e siguruara nga tregu brenda vendit. "Ne i kushtojmë pothuajse të njëjtën rëndësi si tregjeve të huaja, ashtu edhe tregut të brendshëm, për shkak se biznesi jashtë vendit ka nisur të luajë rol gjithnjë e më të madh tani që Kina ka hyrë në Organizatën Botërore të Tregtisë," u shpreh në një intervistë të asaj kohe Shen Aiqin-i.

Shen Aiqin-i pa potencial edhe më të madh për zhvillimin e "Wensli"-së dhe shumë mundësi për të eksploruar tregun e gjerë botëror. Grupi filloi të kërkojë më shumë mundësi për të punuar me partnerët dhe investitorët e huaj.

"Ne i mirëpresim të gjitha llojet e bashkëpunimit me sipërmarrjet e industrisë tekstile dhe të veshjeve nga vende e rajone të ndryshme. Bashkëpunimi mund të përfshijë teknologjinë, investimet apo shkëmbimin e ekspertëve në këtë fushë," shprehet Shen Aiqin-i.

"Wensli" tashmë ka një përvojë të mirë në tërheqjen e fondeve dhe në edhe futjen në tregje jashtë Kinës kontinentale. Kjo kompani ka krijuar ndërmarrje të përbashkëta me partnerë nga Shtetet e Bashkuara, Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut dhe provinca e Tajvanit. Grupi ka degë apo zyra përfaqësuese në Hong-Kong, Los Anxhelos dhe Nju-Jork.

"Veshjet tradicionale kineze të bëra prej mëndafshi janë shumë tërheqëse edhe jashtë vendit", vëren Shen Aiqin-i. "Arsyeja që unë kam arritur të kem këtë sukses që kam, është ngaqë kam ndërthurur veshjen tradicionale me shkencën e teknologjinë moderne."

Edhe përpara krizës ekonomike globale, industria kineze e veshjeve të mëndafshit ishte prekur nga rritja e ngadaltë e kërkesës në treg, por Shen Aiqin-i ka qenë e patundur në besimin e vet se, si produkte që përfaqësojnë një shije të hollë dhe kulturë autentike, veshjet e mëndafshit kanë një perspektivë të shkëlqyer për zhvillim të mëtejshëm.

Shen Aiqin-i ka investuar qindra milionë juanë në pajisje dhe teknologji të përparuara nga vendet perëndimore. Investimi, së bashku me materialin origjinal dhe të cilësisë së lartë në Kinë, ka bërë që "Wensli" të jetë prodhuesi kryesor i mëndafshit jo vetëm në Kinë, por madje edhe në tregun global.

Sot fitimet vjetore të "Wensli"-së arrijnë në dhjetëra milionë juanë dhe rritja shkon në 20 - 25 për qind në vit.

Produktet e mëndafshit të grupit tregtohen tashmë në dhjetëra vende dhe rajone, dhe kompania nxjerr më shumë se 2000 modele të reja veshjesh përvit.

Gjatë Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i mbajtur në Shangai në vitin 2001, 300 veshje mëndafshi nga "Wensli" iu bënë dhurata të nivelit të lartë shtetëror bashkëshorteve të mysafirëve të shquar që merrnin pjesë në samit. Veshjet e kësaj marke kanë qenë edhe pjesë e Lojërave Olimpike të Pekinit 2008 dhe të Ekspozitës Botërore të Shangait 2010.

Sipas Shen-it, që është po ashtu edhe zëvendëskryetare e Shoqatës Kineze të Mëndafshit, edhe pse Kina është prodhuesja më e madhe e mëndafshit në botë, shumica e kompanive të mëndafshit nuk bëjnë shumë para. Shen Aiqin-i e ka zgjeruar kompaninë e vet në disa drejtime: përveç prodhimit të veshjeve të mëndafshit, edhe në shitjen e veshjeve me pakicë, pasuritë e patundshme, industrinë farmaceutike, industrinë ushqimore etj.

Puna dyzetvjeçare e Shen Aiqin-it është shpërblyer jo vetëm materialisht. Përveçse "Wensli" është shpallur tashmë një markë e njohur në shkallë kombëtare në Kinë, edhe vetë Shen Aiqin-i ka marrë me dhjetëra çmime e tituj.

"Paqja është vlera e njerëzve të 'Wensli'-së. Përparimi vjen nga paqja në familje dhe shkëlqimi nga paqja në kompani," thotë Shen-i. Dhe shton duke folur në mënyrë të figurshme: 'Wensli' do të shpalosë krahët e vet për të fluturuar dhe për të siguruar përparimin e industrisë tradicionale kineze të mëndafshit."

Shen-i përmend shpesh se Kina ka mëndafshin më të mirë në botë, dhe Hangzhou është i njohur si kryeqyteti i mëndafshit i Kinës, me mijëra vjet të traditës së bërjes së mëndafshit të mirë në vend.

Në vitin 2010 Shen Aiqin-i ia la drejtimin e kompanisë së bijës, Tu Hongyan-it, teksa vetë vazhdon të jetë kryetare nderi.

Trashëgimi i biznesit është pak a shumë si kalimi i fronit nga mbreti te princi. Por, ndërsa vazhdimësia e drejtimit të biznesit nga babai te djali mund të jetë më e zakonshme, ka një numër në rritje vajzash, veçanërisht në Kinë, që po marrin në dorë frenat e biznesit të familjes.

Të pasurit e një numri më të madh trashëgimtaresh femra është një lajm i mirë, pasi faktet kanë treguar se procesi i kalimit të skeptrit të biznesit te një vajzë, vijon me më pak probleme. Zakonisht, një ndër periudhat më të rrezikshme në një biznes familjar, është pikërisht ajo kur drejtimi kalon nga një brez në tjetrin. Megjithatë, vajzat duket të kenë aftësi më të mira menaxhimi dhe komunikimi, të cilat janë jetike për procesin e kalimit të biznesit, ndërsa marrëdhëniet baba/bir priren të kenë më shumë konflikte.

Por, sidoqoftë, jo gjithçka shkon vaj kur gratë ose vajzat udhëheqin firmën e familjes. Kur vajza merr nga prindërit e vet rolin udhëheqës, sfida më e madhe mund të jetë bashkëshorti i saj. Mund të jetë e vështirë për një burrë të pranojë se e shoqja është më e fuqishme dhe më e pasur se ai vetë. Në këto kushte, gjatë procesit të planifikimit të vazhdimësisë dhe të tranzicionit, bashkëshortët duhet të gjejnë një ekuilibër.

1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China