PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Xu Xin-i, gruaja që zgjedh gjithmonë "burrin e duhur"
2015-07-29 16:04:05 CRI Komenti juaj Printoni

Xu Xin-i është një grua me një fytyrë të ëmbël dhe një buzëqeshje të këndshme. Kjo grua me sy të zgjuar dhe një nuhatje të mprehtë ka pasuruar me dhjetëra kompani të vogla e të panjohura më parë. Tre nga sipërmarrësit që kanë pranuar këshillat e saj për investime, janë tashmë në listën e 100 njerëzve më të pasur të "Forbes"-it. Pa sytë e saj të zgjuar, këta emra nuk do të ishin të njohur. Megjithatë, kur vihet vetë në qendër të vëmendjes, ajo largohet në heshtje për te sipërmarrësi tjetër i etur për kapitale.

Bota e investimit të kapitaleve me rrezik është botë burrash. Megjithatë, një grua si Xu Xin-i ia ka përkushtuar veten karrierës në këtë sektor prej dy dhjetëvjeçarësh. Vitin e kaluar Xu Xin-i u rendit e dyta në listën e investitorëve të kapitaleve me rrezik të Kinës të revistës "Forbes", por Xu thotë se "Capital Today" që ajo ka krijuar dhe drejton, do të bëhet marka nr. 1 e investimeve të kapitaleve me rrezik në Kinë. Shumica e parave që menaxhon "Capital Today" janë nga qeveritë dhe kompanitë europiane dhe amerikane. Mjaft të huaj ia kanë lënë Xu Xin-it në dorë paratë e tyre dhe i besojnë asaj si këshilltare për investimet e tyre. Kur i pyet përse, ata të thonë se kjo grua kineze ka sy të mprehtë. Prandaj edhe Xu Xin-i ka marrë nofkën "snajperi": ajo qëllon gjithmonë në shenjë.

Në krahasim me kolegët e vet, Xu Xin-i ka një pamje të butë, por ajo gjithmonë merr vendime të prera dhe spikat në botën e kapitaleve. Xu Xin-i shprehet se intuita e gruas është asi në mëngën e saj. "Si të zgjedhësh njeriun e duhur është art. Ka kaq shumë sipërmarrës dhe kaq shumë projekte. Marrja e vendimit shpesh është çështje milionash. Kujt duhet t'ia japësh paratë e tua? Përveç bërjes së kërkimeve, edhe intuita është e domosdoshme. Intuita e një gruaje është veçanërisht e ndjeshme, kështu që unë gjej gjithmonë 'burrin e duhur'," thotë me të qeshur ajo.

Në vitin 1995, kur Xu Xin-i investoi në kompaninë e ushqimit dhe pijeve "Wahaha", askush nuk blinte apo pinte ujë me shishe në Kinë. Por intuita i tha Xu Xin-it se kjo industri do të kishte sukses. Kështu ajo dhe ekipi i saj vendosën të investojnë në "Wahaha". Sot "Wahaha" zë vendin e 19-të ndër kompanitë kineze për të ardhurat nga shitjet, me fitime që arrijnë në rreth 14 miliardë juanë (mbi 2 miliardë dollarë amerikanë), ndërsa themeluesi dhe pronari i saj Zong Qinghou arriti të jetë për disa kohë njeriu më i pasur në Kinën kontinentale.

Katër vjet më vonë, Xu Xin-i takoi themeluesin dhe kryezyrtarin ekzekutiv të "Netease"-it Ding Lei dhe e pyeti se në ç'vend renditej kompania e tij në sektorin e internetit. "E para," ia ktheu menjëherë Ding Lei. Në të vërtetë, "Netease" renditej e treta në atë kohë, por Xu Xin-it i la mbresa besimi i të riut, i cili është gjithashtu edhe i ndjeshëm ndaj mundësive të biznesit dhe i përkushtuar ndaj karrierës së vet, kështu që ajo investoi 5 milionë dollarë në kompaninë e Ding-ut. Pas katër vjetësh të tjerë, kur ishte vetëm 32 vjeç, Ding Lei do të bëhej njeriu më i pasur në pjesën kontinentale të Kinës, me një pasuri 7.6 miliardë dollarë. Xu Xin-i përsëri kishte qëlluar në shenjë.

Më pas do të vinte një tjetër investim edhe më spektakolar. "Capital Today" ishte e para firmë kapitalesh me rrezik që do të investonte në kompaninë e tregtisë elektronike JD.com. Kur kjo kompani u kuotua në bursë, Xu Xin-i fitoi më shumë se 100-fishin e investimit të vet fillestar prej 18 milionë juanësh.

Me kaq shumë histori suksesi, fama e Xu Xin-it është rritur. Çdo ditë shumë njerëz me ide të ndryshme duan ta takojnë atë. Xu Xin-i duhet të vendosë nëse duhet të investojë apo jo. Një herë dikush iu mburr: "Investoni tek unë, ju garantoj që për tre muaj do të jem njeriu më i pasur në Kinë!" Xu Xin-i iu përgjigj: "Besueshmëria jote është shumë e ulët!" Një tjetër i tha: "Nëse të ardhurat e kompanisë sime nuk dyfishohen, unë do të hidhem nga kjo ndërtesë!" Xu Xin-i ia ktheu e qetë: "Neve nuk na pëlqen rritja shumë e shpejtë. Mbajtja e një rritjeje të qëndrueshme është më e rëndësishme. "

Xu Xin-i është një njeri që i thotë gjërat hapur e drejtpërdrejt. Ajo, tek e fundit, e di se pasioni nuk është gjithçka. Ajo flet për cilësitë që duhet të kërkosh te dikush me qëllim që ai ose ajo të jenë zgjedhja e duhur. Së pari, sipërmarrësi ose sipërmarrësja duhet të kenë nuhatje për biznes, për të gjetur mundësitë e biznesit që janë të padukshme për të tjerët. Të tjerët mund të dorëzohen lehtë, por ai ose ajo lufton deri në fund, ndërsa kur të tjerët vazhdojnë përpara, e di kur është koha të tërhiqet. Së dyti, sipërmarrësi ose sipërmarrësja duhet të kenë pasur rezultare të mira. Xu Xin-i investon vetëm në një kompani që renditet në pesë vendet e para në sektorin e vet. Kina është shumë konkurruese. Nëse kompania e dikujt është renditur në pesëshen e parë, ai ose ajo duhet të jenë origjinalë. Xu Xin-i e pyet: "Ç'vendime të rëndësishme keni marrë? Si i keni marrë këto vendime?" Së treti, në qoftë se dikush ka aftësinë për të udhëhequr një ekip, kjo do të thotë se ai ose ajo është i zoti a e zonja në menaxhim. Shumë kompani janë në një gjendje pështjellimi, edhe pse mund të kenë vetëm 100 punonjës dhe vetë sipërmarrësi ose sipërmarrësja janë pengesa. Për të kuptuar këtë, Xu Xin-i vëren ndihmësin ose ndihmësen e tyre. Nëse ndihmësi ose ndihmësja kanë qenë me ta prej vitesh, atëherë kjo do të thotë se sipërmarrësi ose sipërmarrësja udhëheqës janë drejtues të fortë. Së katërti, sipërmarrësi ose sipërmarrësja duhet të kenë pasion e këmbëngulje dhe, së pesti, duhet të jenë të hapur, të qartë, të sinqertë dhe të besueshëm. Kjo është e rëndësishme për Xu Xin-in, pasi ajo do t'u japë një shumë të madhe parash.

"Është shumë e vështirë të fillosh një biznes. Dështimi është pothuajse i pashmangshëm, ndërsa suksesi është një rastësi. Në 'Silicon Valley' të Kalifornisë në ShBA, nga një milion ide sipërmarrjeje, vetëm gjashtë kanë sukses në bursë," vë në dukje Xu Xin-i. Më tej ajo shton: "Kur biznesi është në vështirësi, është si shpata e Demokleut mbi kokën tënde. Nuk mund të reshtësh së menduari: 'Në qoftë se dështoj, si do të përballem me punonjësit? Si do të përballem me aksionerët".

Sipas përvojës së Xu Xin-it, shumë sipërmarrës e fillojnë biznesin ngase duan të kenë një jetë më të mirë. Ata mund të fillojnë një sipërmarrje nga një impuls i çastit, por ata që ia dalin mbanë janë gjithmonë entuziastë për karrierën e tyre. Mund të duhen pesë ose dhjetë vjet për të pasur sukses, kështu që rruga është e gjatë dhe e vështirë. Nëse nuk keni shpirt sipërmarrës, është e vështirë të vazhdosh biznesin dhe të drejtosh ekipin tënd. Gjasat janë që të dështosh nëse punon e mendon vetëm për para, paralajmëron Xu Xin-i: "Në qoftë se qëllimi i vetëm janë thjesht paratë, unë këshilloj që të mos e fillosh biznesin."

1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China