20150721HP02 |
Dhe kështu, kompania vendosi të ofrojë atë që e quan "shërbim të mirëmbajtjes së shtëpisë". Secila prej ndërtesave të saj ka 3-4 amvisa, që i ndihmojnë banorët e tyre në punët e përditshme të shtëpisë, por edhe në shërbime të tjera, si plotësimi i formularëve të regjistrimit në polici, kryerja e pagesave në internet etj.
"Ziroom"-i gjithashtu e vë theksin në dizajnin e brendshëm dhe mobilimin e apartamenteve të saj, për t'i bërë klientët e vet të ndihen sa më shumë të jetë e mundur si në shtëpitë e tyre. Grupi i projektuesve i kompanisë "Ziroom" krijon një larmi stilesh prej nga qiramarrësit mund të zgjedhin, duke i mobiluar sipas dëshirave të tyre. Mobilimi synon të gjejë një ekuilibër ndërmjet pamjes dhe funksionalitetit.
"Shumë nga klientët tanë hyjnë në këto apartamente duke marrë me vete çanta e valixhe me gjërat e tyre, por apartamentet janë të vogla. Për këtë arsye, ne krijojmë hapësirë për t'i vendosur këto çanta e valixhe nën shtrat," shprehet Hui Lei, drejtore e marrëdhënieve publike e "Ziroom"-it. "Të gjitha tryezat dhe karriget janë të lëvizshme. Nuk ka vend të mjaftueshëm edhe për tryezë buke, edhe për tryezë pune, prandaj e njëjta tryezë mund të lëvizet e të përdoret për të dyja këto funksione."
Kompania ofron edhe shërbime të tjera. Në disa nga ndërtesat e "Ziroom"-it ka zona për sport e zbavitje falas. Themeluesi i kompanisë Xiong Lin beson se këto shërbime do t'i bëjnë klientët të jenë besnikë ndaj "Ziroom"-it dhe do të tërheqin më shumë klientë të tjerë.
Lidhur me risitë e modelit të biznesit të "Ziroom"-it, zv.drejtorja e Qendrës së Rasteve të Biznesit të Universitetit "Qinghua" Jia Ning shprehet: "Mendoj se kompania ka disa risi. Së pari, ajo është në të vërtetë një kompani e ashtuquajtur 'e biznesit të konsumatorit'. Kam pasur një bisedë me kryezyrtarin ekzekutiv të 'Ziroom'-it Xiong Lin, i cili ka studiuar për master në administrim biznesi në universitetin tonë. E para gjë që tha ai është që 'Ziroom'-i është një kompani produktesh e jo shërbimi, në kuptimin që i marrin apartamentet nga pronarët, i rimobilojnë ato dhe i japin me qira në emër të këtyre pronarëve. Pra, në thelb, ata promovojnë një produkt. Po ashtu jam e mendimit se një tjetër risi është standardizimi. Të gjithë apartamentet që jep me qira 'Ziroom'-i janë mjaft të standardizuar, që do të thotë se në cilindo prej tyre të hysh, gjen të njëjtën cilësi dhe të njëjtin mobilim bazë. Tjetër risi është transparenca: nuk ka informacione të rreme, fotografi të rreme të dhomës apo apartamentit apo çmime të rreme. Një risi e fundit është vënia në qendër e klientit, që do të thotë se kompania është e fokusuar në plotësimin e nevojave të klientëve, në dallimin e gjërave për të cilat klientët kanë vërtet nevojë, për të ofruar shërbimin përkatës dhe për të përmbushur atë që presin klientët."
Rreth 100 000 prej rreth 230 000 studentëve të diplomuar në universitetet e Pekinit sivjet do të qëndrojnë në kryeqytet, sipas statistikave të publikuara nga Zyra e Burimeve Njerëzore dhe e Sigurimeve Shoqërore e Pekinit. Megjithatë, shumë prej tyre nuk kanë para të mjaftueshme për të marrë me qira një apartament normal. Një apartament një dhomë e një kuzhinë në Pekin kushton mesatarisht 2000 mijë juanë në muaj (rreth 600 dollarë amerikanë) dhe fillimisht paguhen tre muaj qira, së bashku me një muaj depozitë, e madje jo rrallë edhe dy. Kështu që pagesa fillestare mund të shkojë rreth 10 000 juanë dhe mjaft të rinj nuk kanë aq para. Prandaj ata janë grupi që synon "Ziroom"-i.
Kompania shpalli Planin "Haiyan" në vitin 2013 për të tërhequr qiramarrësit e rinj. Plani ofron çmime të volitshme për të diplomuarit, duke përfshirë edhe heqjen e depozitave dhe pagimin e qirasë në baza mujore.
"Ka një histori interesante se përse ky plan është quajtur 'Haiyan', rrëfen Xiong Lin-i. "Rreth dy vjet më parë po flisja me një punonjëse të re që sapo ishte diplomuar. Ajo quhet Chu Haiyan. Duke diskutuar me të, m'u kujtua që periudha kur studentët diplomoheshin po afrohej, prandaj e pyeta se çfarë mund të bënim për të ndihmuar të diplomuarit e rinj. Mendimi i saj ishte që të mos merrnim paratë e depozitës, pagesa e qirasë të bëhej muaj për muaj dhe jo tre muaj njeherësh dhe të shtonim disa shërbime,"
Xiong-u vendosi t'i pranojë sugjerimet e Chu Haiyan-it, por plani që mori emrin e saj, solli trysni mbi financat e "Ziroom"-it.
"Plani 'Haiyan' zgjati 103 ditë, dhe ne investuam 60 milionë juanë për të. Kjo ishte një shumë e madhe dhe ne mund ta kishim depozituar në bankë për të nxjerrë fitime nga interesat. Por sidoqoftë, fitimi ynë më i madh është që tërhoqëm shumë klientë të moshave të reja, dhe kjo na solli një emër të mirë në universitete," shprehet Miao Xi, drejtore e marketingut e kompanisë "Ziroom".
Kompania "Ziroom" e promovoi planin e vet në një numër universitetesh. Më shumë se 3000 të sapodiplomuar u bënë klientë të kompanisë në vitin 2013, ndërsa një vit më pas ky numër arriti në pothuajse 10000.
"Ziroom"-i vazhdon të përmirësojë shërbimet dhe gjithashtu ka krijuar edhe aplikacionin e vet për smartfona. "Kam besim se aplikacioni ynë në celular do të tërheqë më shumë porosi sesa kompjuterat në të ardhmen," shprehet kryezyrtari teknologjik i "Ziroom"-it Wang Jianzhi.
Shumë nga pjesëtarët e ekipit të zhvillimit të "Ziroom"-it vijnë nga kompanitë kryesore të internetit të Kinës. Aplikacioni i "Ziroom"-it është përditësuar rreth dhjetë herë që prej publikimit të vet në vitin 2013 dhe tani ka më shumë se 10 mijë përdorues.
Po cilat janë sfidat përpara "Ziroom"-it? Zv.drejtorja e Qendrës së Rasteve të Biznesit të Universitetit "Qinghua" Jia Ning mendon se sfida kryesore është oferta. "Ziroom"-i duhet të sigurojë apartamente në zona të mira e me çmime të arsyeshme, por sigurisht për një gjë të tillë përpiqen edhe agjencitë e tjera të pasurive të patundshme, prandaj konkurrenca është e madhe. Një sfidë e dytë, sipas znj. Jia Ning, është financimi. Kompania "Ziroom" bën investime shumë të mëdha në apartamentet e veta, kryesisht për rimobilimin e tyre, prandaj kompania duhet të mendojë për gjetjen e fondeve për këtë qëllim. Një sfidë e tretë sipas zv.drejtores së Qendrës së Rasteve të Biznesit të Universitetit "Qinghua" Jia Ning është menaxhimi i brendshëm. "Ziroom"-i u ofron shërbime 200 mijë klientëve, prandaj zgjerimi i mëtejshëm i kompanisë do të jetë një sfidë e madhe, dhe e këtillë do të jetë edhe cilësia e shërbimit. Shërbimi është një prej atyre aspekteve që e dallojnë "Ziroom"-in nga rivalët e vet, prandaj ruajtja e kësaj cilësie gjatë zhvillimit është një prej sfidave të kompanisë. E megjithatë "Ziroom"-i dhe Xiong Lin-i nuk u druhen sfidave.