20150721HP01 |
Me urbanizimin e shpejtë, kërkesa për të marrë banesa me qira në qytetet e mëdha kineze ka ardhur duke u rritur. Një sondazh i fundit tregoi se në kryeqytetin e Kinës Pekin, rreth 9.5 milionë veta, ose 45 % e numrit të përgjithshëm të banorëve të qytetit, jetojnë me qira. Megjithatë, kërkesa e lartë për shtëpi me qira nuk ka sjellë doemos edhe rritjen e cilësisë.
Për ta trajtuar këtë problem, Xiong Lin-i themeloi në vitin 2011 "Ziroom"-in, një markë në pronësi të grupit të pasurive të patundshme "Homelink". Kompania "Ziroom" shihet si një yll në ngjitje në tregun e qiradhënies së banesave në Kinë.
Tregu i pasurive të patundshme llogaritet se zë 15-20 % të GDP-së së Kinës. Pasuritë e patundshme po ashtu janë në zemër të sektorit të shërbimeve, që nga ana e tij është edhe ai në lulëzim. Megjithatë, cilësia mbetet për të dëshiruar.
"Bëra një kërkim në vitin 2010 dhe pashë që në një apartament kuzhina ishte e zbrazët, teksa banorët e gjashtë dhomave me qira kishin vetëm një banjë të përbashkët. U befasova, sepse jeta jonë është përmirësuar kaq shumë gjatë këtyre viteve, po kushtet e banimit të të rinjve janë edhe më të këqija sesa ato të kohës kur u diplomova unë," shprehet Xiong Lin-i, themeluesi dhe kryezyrtari ekzekutiv i "Ziroom"-it.
Tashmë shumica e biznesit të qiradhënies së banesave ka kaluar në internet. Shumë uebsajte nisën të kenë faqe për dhënien e shtëpive me qira dhe mediat sociale janë bërë një platformë e rëndësishme për njerëzit që kërkojnë të gjejnë një vend për të jetuar.
Tregu ishte në amulli kur Xiong Lin-i hyri në biznesin e dhënies së shtëpive me qira në vitin 2011. Ai vendosi të heqë dorë nga modeli tradicional i biznesit në pasuritë e patundshme, duke mobiluar dhe më pas duke dhënë me qira ndërtesa të tëra. Ndërtesat e para të tilla ishin projektuar për të qenë praktike dhe orenditë ishin nga IKEA.
Në vitin 2012 Xiong Lin-i krijoi uebsajtin "ziroom.com" për të ofruar shërbimin e tij të ri nëpërmjet mobelit të ashtuquajtur "nga interneti në jashtë internetit".
"Ne e zgjeruam sferën tonë të biznesit dhe krijuam shërbimin e qiradhënies së shtëpive në internet. Të gjitha produktet dhe shërbimet tona janë strukturuar sipas modelit 'nga interneti në jashtë internetit," tregon Xiong Lin-i.
Kompania "Ziroom" pati 10 mijë klientë në gjashtë muajt e parë që prej themelimit të vet, falë mundësive që ofron interneti, dhe tani ka më shumë se 80 mijë dhoma dhe më shumë se 200 mijë qiramarrës. Deri në fund të vitit të kaluar kompania kishte mbi 1000 punonjës, ndërsa të ardhurat vjetore arritën në 2 miliardë juanë (afro 330 milionë dollarë amerikanë).
"Ziroom"-i u krijua kur biznesi i pasurive të patundshme po kalonte një periudhë stabilizimi pas një rritjeje të shpejtë, por jo gjithmonë të shëndetshme, dhe kur çmimet po uleshin, ndryshe nga më parë kur kompanitë e këtij sektori siguronin fitime të mëdha. Përse një kompani si "Ziroom" vendosi të hyjë në treg, ndërsa ritmet e rritjes së sektorit të pasurive të patundshme janë ngadalësuar?
Në Kinë shtëpia është një element i rëndësishëm dhe zakonisht çiftet e reja kanë blerë një të tillë para se të martohen. Por tani kjo mendësi duket se po ndryshon, duke iu afruar më shumë asaj perëndimore dhe duke sjellë forcimin e tregut të qiradhënies së shtëpive në vend të blerjes së tyre.
Kompania "Ziroom" ka si objektiv të vetin kryesisht qiramarrësit në moshë të re, pikërisht sipas modelit të biznesit "nga interneti në jashtë internetit".
Për modelin e biznesit "nga interneti në jashtë internetit" flitet shumë në vitet e fundit. Ai është në thelb një model i ri biznesi për industrinë e shërbimit, që u lejon konsumatorët të bëjnë kërkime e të paguajnë në internet, ndërsa shërbimin e përfitojnë jashtë internetit. Po si e zbaton "Ziroom"-i këtë lloj modeli dhe si e bën ky model "Ziroom"-in të jetë ndryshe nga homologët e vet? Jia Ning, zv.drejtore e Qendrës së Rasteve të Biznesit të Universitetit "Qinghua", thekson: "Mendoj se do të ketë mundësi shumë të mira për kompanitë private të qiradhënies së shtëpive si 'Ziroom'-i. Këto kompani qiradhënieje janë në thelb ndërmjetës mes pronarëve të pasurive të patundshme dhe njerëzve që duan të marrin me qira, kështu që biznesi i tyre do të lulëzojë në qoftë se si oferta, ashtu edhe kërkesa, janë të larta. Për sa i përket ofertës, ajo ka pasur ngadalësim në tregun e shitjes së pasurive të patundshme. Besoj se kjo do ta shtyjë një pjesë të pronarëve të këtyre pasurive të hyjnë në biznesin e dhënies me qira. Në të vërtetë, tashmë në Kinë ka një numër të madh apartamentesh të zbrazëta. Këto apartamente vitin e kaluar zunë 22 % të numrit të përgjithshëm, krahasuar me vetëm 3-4 % në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara. Por në kushtet kur tregu i pasurive të patundshme në Kinë po stabilizohet, kostoja e mbajtjes së apartamenteve të zbrazëta do të ngrihet. Prandaj, besoj se kjo do t'i shtyjë pronarët e pasurive të patundshme t'i japin ato me qira."
Kur "Ziroom"-i vendosi të hyjë në treg, kishte dy kompani të mëdha që qiradhënies së shtëpive në internet, që kishin më shumë oferta sesa "Ziroom"-i. Këto kompani bënë përpjekjen e parë të madhe për të ndryshuar rolin tradicional të agjencive të pasurive të patundshme, duke e kaluar qiradhënien në internet. Ato janë në të vërtetë platforma informacioni në internet për dhënien e banesave me qira, duke ua lehtësuar mundimin njerëzve që duan të marrin një apartament me qira. Por ky model biznesi është i shoqëruar me sfida. Një prej tyre është e ashtuquajtura "josimetri e informacionit", në kuptimin që këto uebsajte të qiradhënies së shtëpive nuk marrin përgjegjësinë për të verifikuar vërtetësinë e informacionit që publikojnë, pra nuk mund të kontrollojnë informacionet e rreme për banesat dhe vlerën e qirasë. Një tjetër sfidë është efektshmëria. Meqenëse ato janë platforma të hapura, çdokush mund të postojë informacione për dhënie me qira në këto uebsajte, por jo rrallë, edhe pasi apartamenti është dhënë me qira, informacioni nuk përditësohet dhe kjo ua vështirëson punën atyre që duan të marrin me qira një dhomë a një apartament për të jetuar. Dhe së fundmi, tjetër problem është shërbimi i kufizuar. Sapo dikush gjen atë për të cilën është i/e interesuar, pjesa tjetër e procesit të marrjes me qira bëhet jashtë internetit, në mënyrë të pavarur nga këto uebsajte. Pikërisht këto probleme kishin nevojë për zgjidhje, duke krijuar mundësi biznesi për kompani si "Ziroom"-i.
"Ziroom"-i aktualisht e ushtron veprimtarinë e vet në dy metropolet kineze: Pekin dhe Shangai, duke u përpjekur të triumfojë në një treg të ashpër konkurrues, duke u ofruar klientëve sa më shumë shërbime.
Xiong Lin-i është ende në të 30-tat dhe ka dy grada "master", një në shkencat kompjuterike dhe një në administrim biznesi. "Kam marrë shtëpi me qira në Pekin dhe në shumë qytete të tjera në mbarë botën. Shpeshherë them me të qeshur se jam një qiramarrës me përvojë, kështu që e di se çfarë kërkojnë ata që marrin shtëpi me qira," thekson Xiong Lin-i.
Në të vërtetë, rrallë qiramarrësit gjejnë atë që kërkojnë. Një studim i Universitetit të Ekonomisë e të Financave të Shangait tregoi se qiradhënia renditej e fundit për tre vjet radhas ndër 30 kategoritë e sektorit të shërbimeve në Kinë për sa i përket kënaqësisë së konsumatorit.
"Si në Pekin, ashtu edhe në Shangai e në çfarëdo qyteti tjetër të botës, banesat që jepen me qira, janë të cilësisë më të ulët. Askush nuk po punonte për të ofruar apartamente më të mira," vë në dukje Xiong Lin-i.
Dhe Xiong-u donte ta ndryshonte një gjë të tillë. Ai dhe ekipi i tij udhëtuan jashtë vendit për të hetuar tregun e pasurive të patundshme aty, duke u orvatur në të njëjtën kohë për të gjetur një model më të mirë biznesi. "Në të vërtetë, modeli që ndjekim ne në Kinë nuk i ngjan asnjë modeli tjetër në botë, sepse asnjë vend tjetër nuk ka të njëjtin numër të rinjsh që kanë nevojë për strehim," vëren Xiong Lin-i. "Prandaj, ndonëse kemi gjëra për të mësuar, nuk mundemi thjesht të kopjojmë nga vendet e tjera. Ne kemi nevojë për zgjidhje të veçanta për Kinën."