Në planin e veprimit "Internet+Qarkullim" thuhet gjithashtu që brenda një ose dy vjetëve, në mbarë Kinën do të bëhen përpjekje të krijohen 200 qyteza pilot për futjen e tregtisë elektronike në zonat rurale dhe rritja e kësaj tregtie në këto zona do të jetë të paktën 30%.
Më parë, edhe funksionarët e Ministrisë së Financave kanë përmendur krijimin e një fondi të posaçëm prej 2 miliardë juanësh për të zgjidhur problemin e "kilometrit të fundit" në zonat rurale dhe për të mbështetur zhvillimin e tregtisë elektronike në zonat qendrore dhe perëndimore të Kinës. Kështu, ky fond do të përdoret kryesisht në qytete të vogla, qyteza dhe fshatra. Drejtori ekzekutiv i kompanisë "1000qing" Lu Zhenwang vuri në dukje që "kilometri i fundit" është një problem i shkaktuar nga mungesa e logjistikës.
"Është e vërtetë se tregtia elektronike në fshatra ka potencial të madh, por tani nuk është i përshtatshëm dërgimi i mallrave nga zonat urbane në zonat rurale, pasi nuk ka pika të mjaftueshme transporti. Në disa qyteza dhe fshatra madje nuk ka asnjë pikë shpërndarjeje. Në fazën fillestare, në zonat fshatare nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga shërbimet e dërgimit dhe ky është një faktor kryesor që ndikon në zhvillimin e tregtisë elektronike në fshatra," thotë Lu Zhenwang, drejtor ekzekutiv i kompanisë "1000qing".
Vitet e fundit tregtia elektronike ndërkufitare në Kinë, si blerjet nga jashtë, ka pasur zhvillim të vrullshëm. Në planin e veprimit "Internet+Qarkullim" përmendet gjithashtu që duhet zgjeruar më tej tregu i jashtëm, të nxiten kompanitë të krijojnë kanale shitjeje jashtë vendit dhe të krijojnë marka të vetat, si edhe të ndërtohen objektet përkatëse jashtë vendit, si magazina dhe pika shpërndarjeje, për të shtuar forcën e menaxhimit në mbarë botën. Ndërkohë, do të shfrytëzohet sistemi i bazuar te tregu, për të nxitur ndërtimin e 100 magazinave të tregtisë elektronike jashtë vendit brenda dy vjetëve. Zv.kryetari i Drejtorisë së Tregtisë Elektronike të Ministrisë së Tregtisë Nie Linhai analizon:
"Tregtia ndërkufitare është udhëheqëse në një sektor dhe investimet përkatëse shoqërore janë shumë të mëdha. Ndërtimi i magazinave jashtë vendit është një pjesë e rëndësishme. Nëpërmjet studimeve bazë, ne mund të gjejmë kërkesat e kompanive për biznesin e tyre jashtë vendit dhe mekanizmi i mbështetjes te tregu çon në ndërtimin e magazinave jashtë vendit. Tregtia elektronike ndërkufitare në fakt është një platformë e gjithanshme marketingu. Për shtimin e efektivitetit dhe uljen e kostos, duhet patjetër ndërtimi i magazinave jashtë vendit."
Krahas kësaj, në këtë plan veprimi kërkohet gjithashtu që Kina të përpiqet për të pasur iniciativën në hartimin e legjislacionit ndërkombëtar të tregtisë elektronike dhe për të drejtën e fjalës në zhvillimin e tregtisë elektronike ndërkufitare. Ndërkohë, Kina do të nisë ose do të marrë pjesë aktivisht në bisedimet dhe bashkëpunimin në biznesin elektronik dypalësh ose shumëpalësh brenda kornizës së APEK-ut, BRICS-it ose tre vendeve të Azisë Lindore (Kinë, Japoni, Kore e Jugut) etj., do të nxitë ndërtimin e "portit të informacionit Kinë-ASEAN" dhe do të mbështetë zhvillimin e tregtisë elektronike ndërkufitare mes vendeve përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë", duke shfrytëzuar fondet e Rrugës së Mëndafshit dhe Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore. (Jiang Lei)