20150609FEhulianwangjia |
Ditët e fundit, Ministria e Tregtisë e Kinës publikoi planin e veprimit "Internet+Qarkullim", sipas të cilit, deri në vitin 2016, vëllimi i tregtisë elektronike do të arrijë në 22 trilionë juanë dhe vëllimi i shitjeve me pakicë në internet në 5.5 trilionë juanë. Kjo do të thotë që sivjet dhe vitin e ardhshëm, rritja mesatare e tregtisë elektronike do të jetë rreth 40 %.
Në vitin 2014, vëllimi i tregtisë elektronike ishte afro 13 trilionë juanë, me një rritje 28.64 %, pothuajse katër herë më e madhe se rritja e GDP-së. Ndërkohë, rritja e shitjes me pakicë në internet ishte 37.7 % më e madhe se rritja e konsumit të zakonshëm. Kështu, mund të themi që tregtia elektronike është bërë një pikë e rëndësishme rritjeje për ekonominë kineze.
Në planin e veprimit "Internet+Qarkullim" të Ministrisë së Tregtisë të Kinës janë përcaktuar qartë gjashtë detyra kryesore: futja e tregtisë në internet në zonat rurale, në lagje dhe në qytetet e mesme dhe të vogla, nxitja e ndërlidhjes mes tregtisë tradicionale dhe asaj elektronike, nxitja e tregtisë elektronike ndërkufitare dhe shpejtimi i krijimit të kanaleve të shitjes jashtë vendit. Zv.drejtori i Drejtorisë së Tregtisë Elektronike pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës Nie Linhai bëri të ditur që ky plan veprimi është i përqendruar në katër pika:
"Pika e parë është futja e tregtisë elektronike në zonat rurale, sepse në tregun e konsumit, rritja në fshatra është shumë e madhe. Objektivat e planit 'Internet+' janë nxitja e konsumit dhe stabilizimi i punësimit. Për t'i realizuar këto objektiva, duhet të gjejmë patjetër zona të tilla me rritje më të shpejtë. E dyta është futja e tregtisë në internet në qytetet e mesme dhe të vogla, pasi në këto zona rritja e konsumit është mjaft më e madhe se në qytetet e mëdha. Rritja e konsumit në internet në qytetet e mëdha është afro 39 %, ndërsa në qytetet e mesme dhe të vogla mund të arrijë në mbi 55 %. E treta është futja e tregtisë në internet në lagje, ku do të ofrohen shërbime të gjithanshme dhe të përditshme. Këto të treja janë detyra brenda vendit. Ndërsa pika e katërt është tregtia elektronike ndërkufitare, që ka edhe ajo rritje shumë të madhe, mbi 40 %. Tani eksportet kineze po përballojnë një tryni shumë të madhe. Me tregtinë elektronike, kompanitë mund të kenë një forcë më të madhe konkurruese dhe, nëpërmjet ndryshimit të modelit të zhvillimit, konkurrueshmëria e vendit tonë mund të rritet në mënyrë të dukshme," thotë Nie Linhai, zv.drejtor i Drejtorisë së Tregtisë Elektronike pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës.
Sipas këtij plani veprimi, deri në fund të vitit 2016, vëllimi i tregtisë elektronike në Kinë do të arrijë në 22 trilionë juanë, kurse niveli i shitjes me pakicë në internet 5.5 trilionë juanë. Një gjë e tillë do të thotë që, brenda dy vjetëve të ardhshëm, vëllimi i tregtisë elektronike në Kinë mund të shënojë një rritje me 9 trilionë juanë. Nie Linhai u shpreh që, në përgjithësi, rritja mesatare vjetore do të jetë rreth 40 %, po zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shen Danyang është i mendimit që plani i veprimit "Internet+Qarkullim" përballet me dy vështirësi kryesore:
"E para është i ashtuquajturi 'kilometër i fundit' i tregtisë elektronike, pra faza përfundimtare e krijimit të ndërlidhshmërisë. Për ta zgjidhur këtë, duhet zhvilluar aktivisht tregtia elektronike në qytete të mesme dhe të vogla, si edhe në zonat fshatare, për të përmirësuar infrastrukturën. Ndërkohë, duhet të inkurajohen kompanitë të krijojnë magazina jashtë vendit, për të formuar një sistem ndërkombëtar logjistik. E dyta është që të kalojmë vështirësinë e '100 metrave të fundit'. Për këtë, duhet të inkurajojmë kompanitë të futen në lagje, duhet të shtohet ndërlidhja mes tregtisë tradicionale dhe asaj elektronike dhe të rinovohen mënyrat e shërbimit për qytetarët."