PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Historia "pikante" e Tao Huabi-së
2015-05-21 11:14:45 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetarja e bordit të Kompanisë së Ushqimeve me Shije të Veçantë "Laoganma" të Nanming-ut të Guiyang-ut Tao Huabi nuk ka shkuar asnjë ditë në shkollë dhe nuk di shkrim e këndim, por megjithatë kjo nuk e ka penguar që falë diçkaje që ajo di ta bëjë shumë mirë, salcës djegëse.

Tao Huabi ka lindur në një fshat të largët në kontenë Meitan të provincës Guizhou në Kinën Jugperëndimore. Familja e saj ishte shumë e varfër dhe Tao Huabi nuk arriti dot të shkojë në shkollë. Kur ishte 20 vjeçe ajo u martua me një gjeolog. Pas pak i shoqi shkoi me punë në Kinën Jugore dhe Tao Huabi e ndoqi pas. Meqë ushqimi aty ishte shumë i butë për shijen e saj, pasi provincat e Kinës Jugperëndimore si Guizhou janë të njohura për ushqimin djegës, ajo i hidhte një salcë pikante që e bënte vetë në shtëpi, për t'i dhënë më shumë shije.

Për fat të keq, pas disa vjetësh bashkëshorti i Tao Huabi-së vdiq nga një sëmundje, duke e lënë atë të rriste e vetme dy fëmijët e tyre. Duke mos ditur as shkrim e këndim dhe pa ndonjë mjeshtëri të veçantë, për të mbijetuar e veja e re nuk kishte zgjidhje tjetër, përveçse të punonte si shitëse ambulante.

Tao Huabi nisi ta sigurojë bukën e gojës për veten dhe fëmijët duke bërë djathë soje natën dhe duke e marrë atë në një shportë të nesërmen për ta shitur pranë një shkolle në Longdongbao, në distriktin Nanming të qytetit Guiyang, që është kryeqendra e provincës Guizhou.

Tao Huabi i blinte përbërësit që i duheshin, në një dyqan 5 kilometra larg. Ajo shkonte aty me autobusin e parë kur kishte mundësi, por shoferi shpesh nuk e linte të hipte, sepse autobusi zakonisht kishte shumë veta dhe shporta e saj e madhe zinte mjaft vend. Kështu që, në më të shumtën e rasteve, asaj i duhej të zbriste dhe ta mbante në shpinë shportën e madhe e të rëndë deri në shtëpi."Jeta ishte shumë e rëndë në ato kohë," thotë ajo. "Megjithatë, unë nuk qava as në situatat më të vështira. Kisha dy djem për të ushqyer."

Me gjithë lodhjen, Tao Huabi e shiste djathin e vet të sojës me çmim të ulët, gjë që tërhoqi nxënës nga shkollat profesionale aty pranë. Bujaria e saj shkonte edhe më tej. Ndonëse edhe vetë e varfër e me dy fëmijë për të rritur, ajo i linte nxënësit nga familjet në gjendje jo të mirë ekonomike të blinin me listë, të cilën më vonë e griste.

Në vitin 1989 Tao Huabi, me të gjitha kursimet që kishte, hapi një restorant të vogël po në Longdongbao, të cilin e quajti "Shihui". Restoranti ishte i specializuar në një gjellë që hahet zakonisht në verë e që quhet liangfen (fjalë për fjalë "makarona të ftohta"), sigurisht të ndrequra me salcën djegëse që Tao Huabi e bënte vetë. Në të vërtetë, liangfen-i është një gjellë që parapëlqehet më shumë në Kinën Veriore, si në Pekin e provincën Shaanxi, por ndeshet edhe në Guizhou dhe në provincën fqinje me të të Sichuan-it, që gjithashtu është një provincë mjaft e njohur për ushqimet djegëse. "Ne e quanim atë që hapi Tao Huabi, restorant, por, përveç murit të mbrapmë, që ishte pjesë e oborrit të një ndërtese të pushtetit vendor, i ashtuquajturi restorant ishte më shumë një kioskë në anë të rrugës, e ndërtuar me copa tullash e asfalti dhe mbeturina të tjera," kujton zoti Han, një klient i rregullt para më shumë se 20 vjetësh.

Makaronat e ftohta liangfen nisën të ishin aq të pëlqyera dhe shija që salca u jepte atyre ishte aq e këndshme, saqë shumë klientë blinin kavanoza me salcë prej Tao Huabi-së për ta çuar në shtëpi, ndërsa edhe shumë nga restorantet përreth nisën ta përdorin atë.

"Pak nga pak kuptova se njerëzit, më shumë se për makaronat, vinin për salcën djegëse," thotë Tao Huabi.

Në vitin 1994 filloi ndërtimi i unazës në qytetin Guiyang dhe Longdongbao, ku ndodhej restoranti, u bë një pikë kryesore qarkullimi. Klientët kryesorë të restorantit të Tao Huabi-së ishin shoferët e kamionave, të cilët në njëfarë mënyre dolën se ishin edhe agjentë të vyer reklamash. Ata e përhapën famën e salcës djegëse të Tao Huabi-së nëpër shumë familje të qytetit Guiyang e madje më gjerë, edhe në pjesë të tjera të Guizhou-t e provinca të tjera. Shumë njerëz shkonin nga qyteti Guiyang në restorantin e Tao Huabi-së në rrethinë vetëm për të blerë salcën e saj djegëse.

Tao Huabi filloi ta shiste gjysmën e rezervave të saj të salcës djegëse, por shpejt vuri re se e kishte të vështirë të përmbushte kërkesat. Në nëntor 1994 ajo nisi të fokusohet në prodhimin e salcës djegëse dhe një muaj më pas, në dhjetor, ajo e ripagëzoi restorantin "Shihui", duke e quajtur Dyqani i Ushqimeve me Shije të Veçantëi Tao-s i Nanming-ut të Guiyang-ut, dhe filloi tregtimin e produkteve të salcës djegëse, përveç makaronave.

Por edhe ky rregullim në strukturën e prodhimit nuk arriti të përmbushë kërkesat e njerëzve për salcën djegëse të Tao-s. Zyrtarët e Drejtorisë së Tregtisë dhe Industrisë të Nanming-ut u përpoqën ta bindin Taon të heqë dorë nga restoranti dhe të hapë një fabrikë për prodhimin e salcës djegëse, por fillimisht ajo nuk pranoi.

Arsyeja e Tao Huabi-së ishte e thjeshtë: "Po ta mbyll restorantin, ku do të hanë nxënësit?"

"Kjo ishte përgjigjja e saj sa herë që e hapnim këtë bisedë," tregon zëvendësdrejtori i atëhershëm i zyrës së nëndistriktit Longtongbao Liao Zhenglin.

Më në fund, edhe nxënësit për të cilët ajo shqetësohej, filluan t'i bënin thirrje Tao Huabi-së të niste prodhimin në shkallë të gjerë të salcës së saj. Dhe kështu, në gusht 1996, Tao më në fund u bind dhe mori me qira dy ndërtesa nga pushteti vendor për të ngritur fabrikën e saj.

Fabrika e hapur nga Tao Huabi në fillim kishte vetëm 40 punëtorë dhe çdo gjë bëhej me dorë. Punëtorët ankoheshin se, nga prerja e specave të kuq, u digjnin sytë. Tao Huabi punonte bashkë me ta dhe u tregonte mënyrën më të mirë për të mos pasur një problem të tillë. "Mendoni sikur specat e kuq janë mollë. Kështu sytë nuk do t'ju djegin më," i mësonte.

Tao Huabi në atë kohë flinte në fabrikë, sepse, siç thoshte, "tingujt e prodhimit më bënin që të më zinte gjumi ëmbël."

Tao Huabi i dërgoi produktet e para në ushqimore, restorante dhe mensa duke i mbajtur në shpinë. Pas një jave provë, të gjithë klientët e saj i shtuan porositë, të cilat nisën të vinin edhe nga qytete të tjera.

Dhe kështu biznesi i Tao Huabi-së vazhdoi të rritej shpejt dhe në vitin 1997 numri i punëtorëve të fabrikës u rrit nga 40 në 200. Në gusht të po atij viti Tao Huabi krijoi Kompaninë e Ushqimeve me Shije të Veçantë "Laoganma" të Nanming-ut të Guiyang-ut.

1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China