Një djalë i vogël i quajtur Ouyang Zhigang mund të thuhet se është vënësi i emrit që mban kompania. Në restorantin e saj Tao Huabi e linte nxënësin e varfër të hante falas, e madje jo rrallë i jepte edhe para. Ouyang Zhigang dhe shokët e tij të klasës shpesh shkonin për të ngrënë makarona te restoranti i vogël i Tao-s. Djaloshi i vogël Ouyang Zhigang nisi ta quante Tao Huabi-në "Laoganma" (që fjalë për fjalë do të thotë "kumbarë e vjetër", por "lao" në të vërtetë është një formë thirrjeje me respekt për të moshuarit dhe përkthimi më i saktë mbase do të ishte "gjyshja kumbarë"). Pa kaluar shumë, të gjithë shokët e Ouyang-ut nisën ta quanin po ashtu Tao Huabi-së "Laoganma" dhe ky emër nisi të përhapet, duke qenë pasqyrë e karakterit të dashur, zemërgjerë e të dhembshur të saj.
Shpejt Tao Huabi e pa se e kishte të vështirë të menaxhonte një biznes që po rritej me një shpejtësi pothuajse 50 për qind në vit. Dy djemtë e saj filluan ta ndihmonin, dhe ajo krijoi një ekip menaxhimi me të sapodiplomuar dhe menaxherë shitjesh me përvojë. Në vitin 1998, Tao Huabi filloi ta dërgonte stafin e saj të menaxhimit në Guangzhou, Shenzhen, Shangai dhe qytete të tjera për të hetuar tregjet dhe praktikat e përparuara të menaxhimit të kompanive të njohura atje.
Djali i Tao Huabi-së Li Guishan u bë presidenti i parë i kompanisë. Përveçse e ndihmonte në punët e përditshme të kompanisë, Li gjithashtu i mësoi së ëmës të shkruante emrin e vet, me qëllim që ajo të kishte kështu mundësi të nënshkruante dokumentet e kompanisë, edhe pse Tao Huabi e përshkruan procesin e të mësuarit si më të vështirë sesa prerja e specave djegës. Sidoqoftë, kur më në fund arriti të mësonte ta shkruante emrin e vet, Tao e ftoi të gjithë stafin e vet për darkë për të festuar
"Laoganma" është një kompani mjaft e veçantë. Ajo nuk ka zëvendëspresident ose zëvendësmenaxher të përgjithshëm. Kompania përbëhet nga pesë departamente.
Në vitin 1998, me ndihmën e djalit të saj Li Guishan, Tao formuloi rregulloren e "Laoganma"-së. Me dy fjalë pikat e kësaj rregulloreje ishin: "Jo përtaci" dhe "Jo intervista."
"Tao Huabi kishte stilin e vet të menaxhimit," tha Xiong Fang, lektor në Universitetin Guizhou dhe ish-gazetar. "E kam takuar më shumë se dy dhjetëvjeçarë më parë, kur fabrika e saj në Longdongbao, në rrethinat e qytetit, kishte vetëm 200 punëtorë. Meqenëse kishte vetëm pak vende për të ngrënë në atë kohë, Tao vendosi t'u sigurojë punonjësve të vet ushqim dhe strehim. Mbi 2000 punëtorët që ka tani kompania e saj, janë më të mirëtrajtuarit në Guiyang".
Tao Huabi është gjithashtu një biznesmene e njohur për korrektesën dhe ndershmërinë e vet: ajo kurrë nuk i shmanget pagimit të taksave.
Tao Huabi ka gjithashtu disa rregulla që kurrë nuk i ka shkelur, si për shembull, për të mos marrë kurrë kredi ose borxhe. "Deri më sot, unë nuk kam marrë borxh qoftë edhe një qindarkë", thotë ajo me krenari. Po ashtu, Tao Huabi është e vendosur të mos e kuotojë kompaninë e vet në tregun e aksioneve. "Unë nuk di asgjë për ofertën publike fillestare," thotë 68-vjeçarja me çiltërinë tipike që e karakterizon. "Unë bëj vetëm gjërat që di si t'i bëj, si për shembull, prodhimi i salcave më të mira."
E pa dyshim që Tao Huabi është një lloj krejt i veçantë sipërmarrëseje. Një herë, kur një grup biznesmenësh nga Hong-Kongu shkuan në "Laoganma", ata u takuan me Tao Huabi-në, të cilën e admironin, dhe nxorën kartëvizitat e tyre për t'i shkëmbyer me të sajën. Por Tao Huabi vuri buzën në gaz dhe tha: "Më falni, por nuk kam kartëvizitë." Biznesmenët panë njëri-tjetrin në sy shumë të habitur dhe pastaj iu drejtuan asaj: "Jeni e vetmja kryetare kompanie pa kartëvizitë që kemi hasur". Tao Huabi buzëqeshi përsëri dhe me një pyetje u përgjigj: "A nuk është 'Laoganma' kartëvizita më e mirë?"
Tao Huabi shprehet se filozofia e saj e menaxhimit është trajtimi i stafit të kompanisë si një familje. Punëtorët vazhdojnë ta quajnë atë "Laoganma", dhe jo zonja kryetare. Edhe pse nuk shkon më përditë në zyrë, Tao përsëri i di emrat e më shumë se gjysmës së punonjësve të kompanisë dhe mban mend disa nga ditëlindjet e tyre, dhe shkon në dasmën e çdo punëtori a punëtoreje që martohet.Tao është po ashtu edhe zbatuese e traditave të tilla, si vizitat e herëpashershme në shtëpitë e punëtorëve të vet dhe bërja e makaronave me dy vezë të ziera të qëruara brenda kur ata kanë ditëlindjen. Ajo po ashtu i përcjell vetë ata kur shkojnë me shërbim dhe u jep vezë të ziera me vete për t'i ngrënë gjatë udhëtimit, ashtu siç bën çdo nënë kineze kur përcjell fëmijët e vet për rrugë.
Në "Laoganma" tregojnë edhe për një rast të veçantë të përkujdesit të Tao Huabi-së për punëtorët dhe familjet e tyre. Një prej punëtorëve të kompanisë ishte një i ri nga fshati, i cili pas humbjes së prindërve të vet, kishte mbetur vetëm me dy vëllezërit më të vegjël. I riu kishte nisur të pinte duhan e alkool, duke shpenzuar për to shumicën e pagës së vet mujore. Tao Huabi mësoi për një gjë të tillë dhe u shqetësua shumë. Një ditë pas punës, ajo e ftoi të riun për darkë në një restorant dhe, pasi i vuri një shishe raki përpara, i tha: "Biri im, pi sa të duash alkool dhe duhan, por, duke filluar nga nesër, duhet t'i lësh që të dyja, se ke dy vëllezër të vegjël që duhet të shkojnë në shkollë, që të mos bëhen e pashkollë si unë, që nuk di të shkruaj as edhe një hieroglif." Përkujdesja dhe ngrohtësia e saj e prekën thellë djaloshin, i cili vërtet prej asaj dite e la si duhanin, ashtu edhe alkoolin, duke u mundësuar vëllezërve të vet të vazhdonin shkollën.
Një herë në një fjalim publik Tao Huabi u tha punonjësve: "Duke ju parë ju, fëmijët e mi, kuptova që nuk mundem ta marr kompaninë me vete. Unë kam punuar aq shumë, dhe e gjithë puna që kam bërë është për ju. A nuk mendoni edhe ju kështu? Prandaj, për hatër të vetes suaj, ju duhet të punoni edhe më shumë! "...
Tani fytyrën e Tao Huabi-së e gjen të etiketat e kavanozave me salcë djegëse që shiten në më shumë se 45 vende dhe rajone. Salca djegëse është një përbërës kryesor gatimi në familjet kineze dhe shitet pothuajse në çdo dyqan ushqimor në të gjithë vendin. Ndërsa emri "Laoganma" është bërë sinonim i kësaj salce.
Studentët kinezë që studiojnë jashtë vendit e kanë pagëzuar Tao Huabi-në edhe me një emër tjetër, "Mirësia", sepse salca e saj djegëse është si një bar për mallin që kanë për atdheun.
"Nuk e di mirë se në sa vende shitet 'Laoganma', por vetëm mund të them se ka 'Laoganma' kudo ka kinezë," thotë Tao Huabi.
Nga vetëm 100 kavanozat që dërgoi fillimisht në restorante, kompania e saj tani shet 1.3 milionë kavanoza me salcë djegëse në ditë, me një vlerë prodhimi që i kalon 4 miliardë juanët në vit.
Për shkak të suksesit të kompanisë së krijuar prej saj, Tao ka marrë shumë çmime e tituj në nivel kombëtar e province, duke përfshirë "Punëtore e dalluar", "Sipërmarrësja më e mirë" etj.
Për vite me radhë, Kompania e Ushqimeve me Shije të Veçantë "Laoganma" e Nanming-ut të Guiyang-ut ka krijuar vende pune për banorët vendorë dhe i ka ndihmuar fermerët të rritin speca djegës me një cilësi më të mirë. Një bazë e kultivimit të specave djegës prej 8000 hektarësh e ngritur nga "Laoganma" u ka siguruar mundësi punësimi qindra mijë familjeve fshatare.
"Si një biznesmene në Guizhou, e kam ndier nevojën për t'i shpërblyer shoqërisë," thotë Tao. "Laoganma" ka marrë pjesë tashmë në projekte të ndryshme bamirësie.
Tao Huabi e vë theksin në rëndësinë e sigurisë ushqimore dhe në nevojën e hartimit të ligjeve dhe rregulloreve për të shmangur produktet e rreme.
"Ne gjithmonë i kemi luftuar produktet e rreme, sepse, për shkak të cilësisë së dobët, ato janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve," thotë Tao Huabi.
Kompania "Laoganma" e ka luftuar prodhimin e produkteve të falsifikuara që nga viti 1998. Salca djegëse është përbërës i zakonshëm në Kinë dhe shumë njerëz dinë si ta bëjnë atë.
"Është me të vërtetë e vështirë për të luftuar produktet e rreme", thotë Tao Huabi. "Me një tigan dhe garuzhdë, të gjithë mund të bëjnë salcë djegëse, por shija është e ndryshme."
Kompania shpenzon rreth 30 milionë juanë në vit në luftën kurdër produkteve të rreme. Tani numri i produkteve të rreme në treg është ulur.
Pasuria e Tao Huabi-së arrin tashmë në 1.05 miliardë dollarë amerikanë. E megjithatë, ajo nuk mburret me pasurinë e saj dhe as nuk i lejon paratë që t'ia ndryshojë natyrën e vet. 68-vjeçarja ndjeu madje njëfarë pezmatimi kur në vitin 2005 dikush i lexoi lajmin se "Forbes"-i e kishte shpallur gruan më të pasur në provincën Guizhou. Miqtë, punëtorët e kompanisë së saj dhe bashkëpunëtorët e biznesit e dinë se, për "gjyshen kumbarë", të të dallojnë prej të tjerëve vetëm për shkak të pasurisë është fyerja më e madhe