20150127hp02 |
Për Alionën çdo punë ka vështirësitë e veta, por sigurisht ato mund të kalohen. "Vështirësitë hasen, pavarësisht nga profesioni që zgjedhim, andaj dhe gjithçka varet vetëm nga karakteri, vendosmëria dhe puna jote. Është e rëndësishme që, edhe nëse përpara teje nuk ka pasur shembuj pozitivë, të jesh aq e guximshme, sa t'u tregosh të gjithëve se si duhet të jetë mënyra e duhur e të bërit të gjërave," thekson Aliona.
Kur kujton vështirësitë e kohës së rinisë, ajo vë në dukje: "Brezi im ia doli e shumë nga bashkëmoshatarët e mi janë të suksesshëm tashmë, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Vërtetuam se pengesat dhe vështirësitë më të mëdha janë ato që i vëmë vetes, ndaj është i papranueshëm çfarëdo justifikimi nga të rinjtë sot, që kanë shumë mundësi, zgjedhje, alternativa".
Aliona beson se në biznes shpërblehesh me dy gjëra: përvojë dhe para. Por këto të dytat, sipas saj, vijnë pasi ke fituar të parën, që të ndihmon për të gjetur zgjidhje në çastet e vështira dhe të bën të marrësh vendimet e duhura. Prandaj mendon se këmbimi i përvojës mbetet mënyrë e shkëlqyer për t'u rritur dhe për të ecur përpara.
Aliona Zeqiri është zbatuesja më e mirë e fjalës së urtë "Punën e sotme mos e lër për nesër" dhe nuk largohet kurrë nga zyra pa mbaruar punët e ditës, por, kur del prej saj, gjithçka lidhur me punën e lë pas dhe në mendje ka vetëm familjen. Nëna e dy fëmijëve përpiqet të ruajë një ekuilibër në jetë, megjithëse sigurisht puna i zë pjesën më të madhe të kohës: "Mundohem të kaloj sa më shumë kohë me familjen në një ditë pak të ngarkuar. Dua të jem në çastet më të rëndësishme të fëmijëve, se, nëse nuk u jap sot një model familjar të mirë, ata nuk do ta kenë një të tillë në jetën e tyre." Dhe më tej shprehet: "Ndihem krenare për raportin e sinqertë që kam me vajzën, sot e rritur, kënaqem me kohën kur flasim gjatë për gjëra të ndryshme. Ndërsa djali i vogël më ka sjellë buzëqeshjen dhe gëzimin, më çlodh e më dhuron paqe".
Ndërsa për bashkëshortin znj Zeqiri thotë: "Ai e kupton ritmin tim dhe më plotëson kur mungoj. Jam me fat se kam partner të mrekullueshëm, bashkë kemi ndërtuar e rrisim familjen me parimet që ndajmë." Nga puna Aliona merr shumë kënaqësi, por e pranon: "Pa familjen, mbështetjen dhe frymëzimin e saj, nuk do të ndihesha grua e plotësuar në biznes. Kjo gjendje shpirtërore me jep mundësinë të krijoj ekuilibrin e nevojshëm mes familjes dhe punës sime".
Pasioni i Aliona Zeqiri në kohën e lirë, e njëkohësisht mënyra e shpërblimit të vetes pas punës së lodhshme e suksesit që pason, janë udhëtimet.
"Një pjesë e udhëtimeve janë për arsye pune dhe këto janë më të shpeshtat", tregon ajo. "Por shpesh kam nevojë të lëviz me familjen time, qoftë në kërkim të një aventure të re, qoftë edhe thjesht për t'u larguar nga zhurma e për t'u qetësuar. Sa herë që arrij të firmos një kontratë të rëndësishme apo realizoj një qëllim, festoj me udhëtimin e radhës".
Po cili do të jetë destinacioni i radhës për Aliona Zeqirin? Kjo mund të dihet vetëm pas suksesit të radhës. Por ajo që është e sigurt edhe se, për Aliona Zeqirin, vetëm qielli është limit...