20150127hp01 |
Presidentja e "A&A Group" Aliona Zeqiri hyri në rrugën e biznesit që në moshë të re, ndërsa sot, si drejtuese e një grupi me veprimtari në shumë fusha, është kthyer në shembull të potencialit të gruas shqiptare në sipërmarrje.
Në vitin 1996 Aliona Zeqiri punonte si përkthyese në ambasadën gjermane dhe i ati ishte avokat. Në atë kohë shumë kompani gjermane kërkonin të gjenin partnerë në Shqipëri dhe të kishin njohje të ligjeve shqiptare. Kështu, me ndihmën edhe të të atit, Aliona hapi biznesin e parë në fushën e shërbimeve, "A&A Business Consulting", ku punoi me emra të mëdhenj të biznesit gjerman dhe më pas u bë përfaqësuese e njërit prej tyre. Më vonë, në vitin 2002, Aliona Zeqiri krijoi kompaninë "A&A International", duke e ndier se mund ta zgjeronte veprimtarinë e vet, mes të tjerash, edhe me agjenci doganore. "Kisha përvojë dhe e dija se nuk do të rrezikonim. Ishte e para kompani e mirëfilltë biznesi, që ka sot ekskluzivitetin e shërbimit cargo në aeroportin e Rinasit", shprehet ajo.
Në vitin 2006 znj. Zeqiri krijoi agjencinë turistike "Ana Travel & Tours", ndërsa pas një viti kompanitë "Ana Airport Gastronomy" dhe "Catering Airline", për të mbërritur te "Altego". Të gjitha këto kompani zotërohen 100 % prej saj, duke përbërë bazën e "A&A Group".
"Çdo biznes nuk ka pasur investime të mëdha, sepse secili ka nisjen e vet. Ato nuk kishin nevojë për para, por për tru dhe menaxhim," shprehet Aliona Zeqiri.
Kompanitë e Alionës janë të parat në fushën e tyre në Shqipëri, të vlerësuara me çmimet ISO 9001:2000 për menaxhim, shërbim dhe konsulencë, si dhe ISO 22000:2005 për prodhimet ushqimore.
Në vitin 2007, "A&A Group" fitoi në Londër "Kurorën e artë të cilësisë", duke treguar standardet ndërkombëtare të kompanive të grupit dhe duke treguar se ato janë partnere seriozë për sipërmarrjet e huaja që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri.
Terminali i rikonstruktuar i Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza" të kryeqytetit shqiptar ofron risi në strukturë dhe koncept, falë edhe ndihmesës së Alionës, e cila, kur vendosi të investonte tek dy baret aty, e kishte shumë të qartë çka synonte të arrinte.
"Më pëlqente ideja e kafe-bareve në aeroport, kur mendoja për njerëzit që do shkelnin aty për herë të parë, për ata që udhëtojnë shpesh, ata që presin të afërmit prej vitesh pa parë apo që i përcjellin me lot në sy. Aeroporti është dëshmitar emocionesh. Më pëlqente shumë që të menaxhoja këtë pjesë të aeroportit: imagjinoja aromën ekzotike të kafesë, pritjen që duhet të jetë sa më e lehtë, atë pëshpëritje të këndshme që kanë aeroportet. Kisha shumë ide dhe mezi po prisja që t'i materializoja," tregon Aliona.
Ajo konkurroi në tenderin e organizuar nga kompania gjermane menaxhuese e aeroportit, "Hochtief Airport Retail", e cila e përzgjodhi Aliona Zeqirin si personin idetë e të cilit përputheshin më mirë me vizionin për terminalin e ri. Kështu, kompania e saj "Altego" fitoi një kontratë nënkoncesioni 7-vjeçare për biznesin e ushqimit, pijeve dhe shërbimit në aeroport, ku "Altego" hapi baret "Albania" dhe "Airport".
Edhe kompania tjetër "Catering Airline" e Aliona Zeqirit ka futur koncepte të reja. Njëra nga linjat e saj nisi të furnizojë me produkte ushqimore të freskëta dy baret e kompanisë dhe më pas edhe zyrat e nënkontraktoreve të tjerë aty, ndërsa një linjë e dytë siguron meny të veçanta për linjat ajrore, si dhe për kompani të njohura.
Në të dy bizneset Aliona Zeqiri zbaton sistemin gjerman të menaxhimit, ku gjithçka kontrollohet me përsosmëri dhe ku pika më e rëndësishme është stafi. "Mendoj që, nëse zgjedh një staf të mirë, atëherë ke arritur pjesën më të madhe të suksesit. Unë jam shumë e kënaqur nga stafi im. Gjithnjë kam pasur bashkëpunëtorët më të mirë. Nëse jam këtu ku jam, kjo është edhe falë aftësive dhe dedikimit të tyre, ndaj i vlerësoj shumë," shprehet znj. Zeqiri.
Më pas Aliona Zeqiri ia doli të finalizojë një projekt tjetër ambicioz, duke fituar në një garë të vështirë një tender lidhur me fazën B të terminalit të ri në aeroportin e Rinasit. E dinte që nuk do të ishte e lehtë, por motoja e saj është "Asgjë nuk është e pamundur!". Dhe kështu, midis shumë kompanive që konkurronin, kompania e Alionës "Altego" u zgjodh përgjegjëse për shërbimet ndaj klientëve. "Duhet të tejkaloja veten dhe idetë me baret 'Albania' dhe 'Airport'," shprehet Aliona Zeqiri. Megjithëse biznesi është një garë, Aliona në radhë të parë përpiqet të konkurrojë me veten. Çdo ditë të re ajo përpiqet të jetë më e zonja dhe më e suksesshme se një ditë më parë, të arrijë më shumë sesa ka arritur. "Askush nuk është perfekt, por kërkesa për të shkëlqyer të motivon. Është një garë që nuk ka fund, por që të çon patjetër në sukses", thotë ajo. Megjithatë, për të fituar në garën për shërbimet në Rinas, znj. Zeqiri u lidh me "Segafredo"-n, duke ia dalë të marrë ekskluzivitetin e firmës së njohur për aeroportin shqiptar dhe objekte te tjera të rëndësisë së veçantë.
"'Segafredo' është më shumë se një kafe. Esenca e kompanisë është stili italian i të jetuarit, i reflektuar në gjithë baret e saj dhe, sigurisht, kafenë e famshme të njohur në mbarë botën", thekson Aliona. "Duke ditur që standartet për terminalin e ri ishin shumë të larta, doja që projekti im t'i arrinte e, pse jo, dhe t'i tejkalonte ato. Kështu që vendosa të bashkëpunoja dhe të sillja këtë kompani të madhe", shpjegon Aliona.
"Segafredo", kompani udhëheqëse në prodhimin e ekspresit të kafesë në Itali dhe mbarë botën, me mbi 20 vjet përvojë dhe me mbi 500 degë në mbarë botën, ishte një aleat i fortë për planet e Alionës.
Aliona Zeqiri mendon se arsimimi është mjaft u rëndësishëm për të pasur sukses në menaxhimin e një biznesi. Përveç diplomimit në dy fakultete - të gjuhëve të huaja dhe drejtësisë - në Universitetin e Tiranës, Aliona ka kryer disa specializime pasuniversitare në Gjermani. Kështu, në vitin 1995-1996, ajo u specializua në Universitetin e Frajburgut për marketing ndërkombëtar, në vitin 1997 në Institutin "Carl Duisberg" për menaxhim, në vitet 1998-1999 në Universitetin e Lajpcigut për promocion tregtar e menaxhim ndërkombëtar, ndërkohë që ka gradën "master" në drejtësi.
Në zyrën e Aliona Zeqirit gjen të shkruar shprehjen "Success is a journey, not a destination" (Suksesi është një udhëtim, nuk është destinacion), ndërsa mbi tryezën e punës ka një imitim të statujës së çmimeve "Oskar", që mban mbishkrimin "You deserve an award" (Ti e meriton një çmim).
Dhe Departamenti amerikan i Shtetit e shpalli Aliona Zeqirin "Gruaja e suksesit në biznes" në vitin 2005, duke e përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në Programin Ndërkombëtar të Lidershipit në ShBA, nëpërmjet të cilit ajo pati mundësinë që për një muaj të vizitojë kompanitë më të mëdha amerikane, si "Trump", "Google", "Worldbank" etj., ku u njoh nga afër me funksiononimin e tyre dhe u ndie pjesë e kulturës amerikane të punës. "Europiane nga jetesa, amerikane nga vrulli me të cilin punoj", e përkufizon veten Aliona Zeqiri.
Gjatë më shumë se dy dhjetëvjeçarëve në krye të kompanive të saj, Aliona Zeqiri ia ka dalë të ketë sukses në një mjedis të mbizotëruar nga meshkujt dhe ku konkurrenca është e ashpër. Për të, të drejtosh disa kompani biznesi, nuk është e lehtë, veçanërisht për një grua, por thotë: "Jemi përgjegjëse për sjelljet e veprimet tona dhe kjo na jep fuqi shumë të madhe."
Aliona Zeqiri e njeh fuqinë e gruas, ndaj në stafin e saj 70 % janë femra,
Sidoqoftë, për Alionën, ndryshimin në biznes nuk e bën gjinia, por aftësitë. Sipas saj, për të pasur një kompani të suksesshme dhe për të marrë vendimet e duhura, një grua duhet të ndihet e fortë. Ajo mendon se vështirësia më e madhe për një grua që të shkojë te suksesi, mbetet vetvetja.
Aliona Zeqiri mendon se gratë në biznes fuqizojnë njëra-tjetrën. "Është e rëndësishme të bashkëpunojmë dhe të krijojmë më shumë mundësi," shprehet ajo. Dhe shton: "Aspekti pozitiv është kontributi që gratë e suksesshme japin me punën e përditshme, historia që lënë pas, rruga që shtrojnë për brezin e ri. Si drejtuese, jam e rreptë me veten, përpiqem të ngre standardet për të gjithë. Si grua në biznes, jam e kujdesshme dhe dua që edhe gra të tjera të shkëlqejnë në atë që bëjnë dhe një ditë të bëhen si unë."
Aliona Zeqiri përpiqet të luftojë sa mundet paragjykimet dhe stereotipat ndaj grave në biznes. "Femrat vërtet punojnë shumë për t'ia dalë," thotë ajo. "Në biznes, nëse nuk di ta bësh punën tënde, nuk ka rëndësi fare se sa e bukur je. Nëse nuk je e zonja, nuk do zgjasësh shumë në këtë mjedis."
"Kurrë nuk kam ëndërruar që gratë të kenë më shumë pushtet se burrat, por që të kenë fuqi e pushtet ndaj vetes, po, kjo është sfida më e madhe", thotë Aliona Zeqiri.
Sipas saj, meqë gratë shqiptare nuk kanë një histori të gjatë përfshirjeje në biznes, ato duhet të mësojnë nga përvoja e grave biznesmene në botë, të njohin etikën e tyre të punës, rrugën që kanë përshkuar dhe pengesat që kanë hasur. "Rolin më të madh në fuqizimin e grave në biznes e ka këmbimi i ideve edhe me ndërtimin e rrjeteve përtej kufijve të Shqipërisë, sepse kjo i ndihmon ato të hapin horizontin, të mendojnë ndryshe, të shohin këndvështrime të reja," shprehet Aliona Zeqiri.
Aliona thekson se gratë e suksesshme duhet të ndihmojnë të tjerat, por beson tek mundësitë që u duhen dhënë të rejave, që të kuptojnë se puna, këmbëngulja dhe mësimi nga dështimet e bën një njeri të suksesshëm: "Është e rëndësishme që vajzat e reja të dëgjojnë nga gratë e suksesshme se nuk është e pamundur të rrëzosh barrierat nëse lufton stereotipat dhe nëse mbështetesh në dijet dhe vlerat e tua. Ato duhet të dinë të luftojnë me forcë për idetë, pa humbur besimin që kur hasin pengesat e para." Lidhur me suksesin, znj. Aliona vë në dukje: "Mendoj se ajo që quajmë 'sukses', është në të vërtetë karakteri ynë, që na bën ta arrijmë diçka ose jo. Nëse kemi guximin t'i vlerësojmë gjërat si duhet dhe të kuptojmë se si na kanë përkufizuar, mund të ndryshojmë fatin dhe të bëhemi të suksesshme." Dhe shtonr: "Të ndihmosh sipërmarrjet femërore që të kthehen në histori suksesi, është trashëgimia që lëmë pas".
Për konkurrencën, Aliona Zeqiri mendon: "Çdo njeri që ndihet i plotësuar dhe i sigurt, nuk ka frikë nga konkurrenca, por përpiqet të japë sa më shumë nga përvoja e vet".