Bashkimet dhe blerjet kanë qenë një pjesë e rëndësishme e strategjisë së HNA-së në të kaluarën, por, në kushtet e krizës ekonomike globale, ky grup ka marrë masa të ndryshme lidhur me përballimin e rreziqeve të ndryshme të mund të lindin në të ardhmen. "Ne kemi qenë të shpejtë në zbatimin e marrëveshjeve të bashkimeve e të blerjeve në të shkuarën. Megjithatë, tani ne i kemi ngadalësuar ritmet e këtyre bashkimeve e blerjeve dhe po përqendrohemi më shumë në integrimin e brendshëm të burimeve dhe të njësive të biznesit, për të forcuar konkurrueshmërinë tone themelore," thekson Chen Feng-u. Dhe më tej shton: "Procesi i ristrukturimit është ende në vijim. Deri më sot ne kemi mbyllur më shumë se 300 kompani dhe i kemi shkrirë pjesë të bizneseve të tyre në njësi të mëdha. Ne e kemi pakësuar numrin e njësive tona bazë të biznesit nga 8 në 5 (aviacion, logjistikë, financa, shërbime tregtare dhe turizëm). Në vitin 2012, të ardhurat e përgjithshme e grupit ishin 126 miliardë juanë, 17% më shumë se një vit më parë, dhe niveli i borxhit ra me 0.3 %.
Pra, me pak fjalë, ne e kemi konsoliduar dhe e kemi forcuar biznesin tonë në vitet e fundit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në vitet e ardhshme. Megjithatë, unë e di që ne ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë për të krijuar një sipërmarrje 'të shkëlqyer të klasit botëror'."
Ambiciet e Chen Feng-ut nuk mbarojnë me bërjen e HNA-së një sipërmarrje që renditet ndër 50 kompanitë kryesore në botë. Ai ka edhe një plan të madh. Chen Feng-u nuk dëshiron të flasë për familjen dhe jetën private, megjithatë shprehet: "Nuk është mirë që fëmijët e tu të kenë një pasuri të tillë."
Grupi HNA llogaritet se ka një vlerë prej 7 miliardë dollarësh. Chen Feng-u thotë se ai dhe gjashtë drejtues të tjerë të lartë, të cilët pothuajse kanë në pronësi të gjitha aksionet, kanë dhuruar 20 për qind të aksioneve të HNA-së, me vlerë pra 1.4 miliardë dollarë amerikanë, për një fond privat bamirësie.
Foto: 郑强 / 东方IC
Fondi, i quajtur "Ci Hang", sipas emrit të një perëndeshe kineze, është aksioneri më i madh i HNA-së, thekson Chen Feng-u.
Përveç dhurimit të 20 për qind të aksioneve të HNA-në për bamirësi, Chen-i prëmend se ai dhe partnerët e tij mendojnë të bëjnë të njëjtën gjë me pjesën tjetër të aksioneve të tyre kur të mos jenë më në këtë jetë.
Chen Feng-u studion kulturën tradicionale kineze dhe e nxit stafin e tij të bëjë të njëjtën gjë. Ai lexon letërsi, histori e filozofi dhe shkruan një përmbledhje prej 400 hieroglifesh në ditë për atë që ka mësuar. Kjo për të nuk është vetëm një ushtrim të mësuari, por edhe një formë meditimi që të çon në vetërealizim.
"Unë mundohem të promovoj mësimin e kulturës kineze, që përbëhet nga tre shtylla: taoizmi, budizmi dhe konfucizmi. Besoj se, në qoftë se kinezët nuk mësojnë dhe nuk kuptojnë vlerat thelbësore të kulturës tradicionale, nuk do të ketë themel për rritjen e ardhshme. Siç mësojmë në shkollat perëndimore të biznesit, fitimi vjen i pari. Në 100 vjetët e fundit a diçka e tillë, një korporatë është një përbindësh në vetvete, duke përpirë çdo burim prej nga mund të nxjerrë fitim, pa marrë parasysh dhe aq shumë mjedisin e mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë," thotë Chen Feng-u.
Selia e "Hainan Airlines"-it në Haikou, kryeqendra e provincës tropikale ishullore Hainan, ndodhet në një ndërtesë që duket si një Budë e ulur.
"Buda mbart vlerat më të larta," vë re Chen Feng-u, "dhe për kompaninë tonë objektivi më i lartë po ashtu janë këto tre vlera. Së pari është ndjenja e dashurisë dhe e dhembshurisë për çdo qenie njerëzore, së dyti është ndriçimi shpirtëror dhe urtësia, dhe së treti është përfitimi nga e gjithë shoqëria njerëzore."