PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Chen Feng-u, biznesmeni budist
2015-01-13 09:59:51 CRI Komenti juaj Printoni

Njëzet vjet më parë, Chen Feng-u tërhiqte lart e poshtë karrocën që përdoret për ushqimet dhe pijet në "Boeing 737" të vetëm që kishte kompania e tij ajrore që sapo kishte krijuar. Ndërsa sot ai kontrollon një flotë prej 483 aeroplanësh dhe ka një aeroplan të vetin, një "Gulfstream G550". E megjithatë… "Unë bëj një jetë të thjeshtë," thotë Chen Feng-u, ithtar i budizmit. "Ndryshe nga biznesmenë të tjerë, nuk e pi alkool e as duhan dhe nuk shkoj nëpër darka ose bankete."

Chen Feng-u ka lindur në Pekin. Ai u detyrua të largohet nga shkolla në adoleshencën e tij të hershme, pas shpërthimit të Revolucionit Kulturor në vitin 1966. Ndryshe nga shumica e të rinjve të cilët duhej të punonin në bujqësi, Chen Feng-u u caktua të punonte për forcat ajrore në provincën perëndimore të Sichuan-it. Kur Revolucioni Kulturor përfundoi në vitin 1976, përvoja dhjetëvjeçare e fituar e bëri Chen-in që të gjejë një vend pune në Administratën e Aviacionit Civil të Kinës në Pekin.


Foto: 木森 / 东方IC

Në vitin 1984 Chen Feng-u fitoi një bursë - një nga 20 të ofruara në Kinë - për të studiuar në një shkollë të transportit ajror në Gjermani, të drejtuar nga "Lufthansa".

Në vitin 1989 Chen Feng-u nisi punë në zyrën e kredive të Bankës Botërore në Haikou, kryeqendra e provincës Hainan. Një vit më pas, pushteti vendor i Hainan-it e punësoi për të krijuar kompaninë e parë ajrore të provincës. Ndërsa autoritetet e Hainan-it i dhanë vetëm 1.4 milionë dollarë për nisjen e kësaj sipërmarrjeje, Chen Feng-u mblodhi 41 milionë dollarë nga investitorët vendas, para se të arrinte me sukses të bindte edhe Xhorxh Sorosin për të investuar.

Për miliarderin amerikan, 25 milionë dollarë nuk ishin ndonjë gjë e madhe. Për Chen Feng-un, ato ishin shumë më tepër.

"Emri i Soros-it na ndihmoi për imazhin tonë," thotë ai.

Ndoshta edhe më i dobishëm ka qenë zhvillimi i Hainanit, provincës më të vogël të Kinës, me një popullsi prej 9 milionë banorësh. Në pesë vjet, ekonomia e ishullit ka pasur rritje vjetore mesatarisht 11.7 për qind, në krahasim me shifrën kombëtare prej 9.2 për qind.

Sot, në Sanya në kësaj province, fshatrat shekullore të peshkimit janë zëvendësuar nga resorte, dhe barkave të vjetra ua kanë zënë vendin jahtet luksoze. Përgjatë plazheve me rërë ngrihen hotele moderne, duke përfshirë edhe "Ritz-Carlton"-in, për të cilin kompania që e ka në zotërim - "Marriott International" - thotë se është pasuria e vet më fitimprurëse në mbarë botën.

Peter Churchouse, kryetar i firmës "Portwood Capital" me qendër në Hong-Kong, shprehet se, krahasuar me gjendjen e mëparshme në Hainan, "fjala 'fenomenale' nuk do të ishte e tepërt për të treguar shkallën e ndryshimit."

Askush më mirë se Chen Feng-u nuk e ka shfrytëzuar këtë ndryshim të ishullit tropikal kinez. Vitet e fundit, numri i vizitorëve në Hainan ka pasur një rritje dyshifrore, duke arritur në dhjetëra milionë. Dhe gati gjysma e atyre që vijnë nga ajri, fluturojnë me aeroplanët e kompanisë "Hainan Airlines", pjesë e grupit HNA dhe kompania kryesore e tij.

Chen Feng-u madje fitonedhe nga ata që udhëtojnë me kompanitë ajrore rivale: ai zotëron të dy aeroportet e Hainan-it, si dhe hotele dhe agjenci udhëtimi në këtë provincë, dhe HNA është edhe grupi më i madh i ndërtimit në Haikou, kryeqendra e provincës.

"Është e pamundur të vizitosh Hainanin dhe të mos futësh një juan në xhepin e Chen-it," shprehet Albert Louie, themelues i firmës së konsultimit "A. Louie Associates", që merret me konsultimet për investitorët e huaj në Kinë. Dhe më tej shton: "Chen Feng-u është i zgjuar, i zoti dhe i guximshëm,"

"Hainan Airlines" është kompania më e madhe publike e Chen-it, me një vlerë tregu prej 3.6 miliardë dollarësh amerikanë. Së bashku me pesë kompani ajrore më të vogla të saj, "Hainan Airlines" zotëron 15 për qind në tregun e Kinës, sipas Qendrës për Aviacionin "Capa".

Vetëm tre transportuesit shtetërorë, të njohur si "Tre të Mëdhenjtë" – "Air China", "China Southern Airlines" dhe "China Eastern Airlines" - kanë pjesë më të madhe në tregun kinez, tregu i dytë për nga madhësia i aviacionit në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Foto: 王军_海南 / 东方IC

Po ndryshe nga "Tre të Mëdhenjtë", që janë përfshirë në aleanca të ndryshme, "Hainan Airlines" nuk e ka bërë një gjë të tillë. Megjithatë, Chen Feng-u shprehet: "Edhe pse 'Hainan Airlines' nuk i është bashkuar ndonjërës nga aleancat ajrore ndërkombëtare, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo kompani ajrore në botë dhe ta zgjerojmë tregun tonë më tej. Për shembull, në vitin 2012, 'Hainan Airlines' nënshkroi marrëveshje me 'American Airlines' dhe 'Etihad Airways' të Emirateve të Bashkuara Arabe, prej të cilave kemi përfituar në masë të madhe. Një nga rrjedhojat e këtij bashkëpunimi është se tani 'Hainan Airlines' ka një pjesë tregu prej më shumë se 48 % të rrugës ajrore Pekin-Seattle."

Aktualisht, "Hainan Airlines" ka firmosur kryesisht marrëveshje dypalëshe transporti. Ajo ka nënshkruar deri tani marrëveshje dypalëshe fluturimi me më shumë se 100 kompani ajrore ndërkombëtare dhe marrëveshje për shitje reciproke biletash për fluturime ajrore në më shumë se 70 vende.

"Hainan Airlines është një nga kompanitë ajrore që parapëlqej më shumë," thotë Allan Zeman, drejtues i "Wynn Resorts" me bazë Las Vegas, kompania e të cilit, "Lan Kwai Fong", ka investime në të gjithë Kinën. "Shërbimi në klasin e parë është i shkëlqyer dhe aeroplanët janë relativisht të rinj."

Në vitin 2006, pas zgjerimit në të gjithë Kinën kontinentale, Chen Feng-u i ktheu sytë nga Hong-Kongu, duke blerë "Hong-Kong Airlines", si edhe "Hong Kong Express Airways", të cilën më pas e ktheu një linjë ajrore me kosto të ulët.

Chen Feng-u dhe grupi i tij HNA kanë shpenzuar më shumë se 3 miliardë dollarë amerikanë në blerjet jashtë vetëm në shtatë vjetët e fundit. Më e spikatura ndër to ishte blerja nga "General Electric" në vitin 2011 për 1.05 miliardë dollarë amerikanë e "GE SeaCo", kompania e pestë për nga madhësia në botë e qiradhënies së anijeve.

HNA pagoi po ashtu 259 milionë dollarë amerikanë për një godinë zyrash në Manhattan të Nju-Jorkut, që ishte në prag të mbylljes, dhe 126 milionë dollarë amerikanë për "Cassa Hotel New York" pranë Qendrës "Rockefeller".

Ndërsa në Europën Perëndimore Grupi HNAka blerë tashmë 24 për qind të zinxhirit të madh të hoteleve të biznesit në Spanjë, "NH Hoteles", për 397 milionë dollarë amerikanë, dhe 48 për qind të kompanisë ajrore numër dy të Francës, "Aigle Azur Transports Aeriens", për 51.8 milionë euro.Kjo shënoi herën e parë që një kompani kineze investonte në një kompani ajrore europiane.

Po ashtu, në vitin 2011, Grupi HNAinvestoi 27 milionë dollarë amerikanë për të blerë "ACT Cargo Airlines" në Turqi. Grupi HNA është shtrirë edhe në Afrikë, duke krijuar në Ganë kompaninë ajrore "Africa World Airlines", për të shfrytëzuar potencialin shumë të madh që ka sektori i trasnportit ajror në tregjet e reja, siç janë vendet e këtij kontinenti.

Marrëveshje të tilla do ta bënin Grupin HNA, nëse do të bëhej publik, një ndër 250 kompanitë kryesore në botë për sa u përket aseteve, sipas të dhënave nga "Bloomberg".

Chen Feng-u thekson: "Asetet janë ende të lira në ShBA e Evropë dhe ne do të vazhdojmë t'i blejmë ato. Ne kemi nevojë për një numër kompanish të klasit botëror nga Kina për të ndihmuar në rritjen ekonomike të vendit, dhe HNA do të jetë një nga ato. Ne duam të jemi kudo. "

Chen Feng-u tregon ambiciet e tij: "Deri në vitin 2020, ne mund të bëhemi një nga 100 kompanitë kryesore botërore dhe deri në vitin 2030 duam të jemi në 50-shen e parë."

Kjo është një ambicie e njohur për sipërmarrësit kinezë. Që prej fillimi të krizës financiare globale në vitin 2008, kompanitë kineze kanë kryer blerje jashtë vendit me vlerë qindra milionë dollarë amerikanë. Dhe gjithnjë e më shumë biznesmenët privatë si Chen Feng-u po dalin në krye të investimeve kineze jashtë vendit.

Si një grup i madh sipërmarrjesh që u përkasin sektorëve të ndryshëm, biznesit e Grupit HNA mbulojnë logjistikën, transportin ajror, menaxhimin e aeroporteve, menaxhimin e hoteleve, pasuritë e patundshme, shitjen me pakicë, turizmin dhe sektorë të tjerë të ngjashëm. Ky grup ka rreth 120 000 punonjës dhe vepron në 12 vende të botës, teksa selitë i ka në Hainan dhe Pekin të Kinës. Grupi HNA synon të bëhet një kompani udhëheqëse në botë për sa i përket ofrimit të shërbimeve të integruara në sektorin e turizmit, transportit dhe logjistikës. Ai synon ta arrijë këtë nëpërmjet blerjeve strategjike dhe rritjes, dhe përmes ofrimit të shërbimeve të plota për organizatat dhe individët.

Kur e pyet se çfarë i duhet Grupit HNA për t'u bërë një sipërmarrje e "shkëlqyer", Chen përgjigjet: "Mendoj se janë tre kritere. E para, të ardhurat tona duhet të arrijnë nivelin e 100 kompanive të renditura të parat në listën e 500 kompanive kryesore të revistës 'Fortune', domethënë, ndërmjet 600 miliardë dhe 1 trilion juanë (afro 100 miliardë dhe 160 miliardë dollarë amerikanë). Së dyti, ne duhet të kemi një kulturë të fortë korporative për të krijuar marka të klasit botëror. Së treti, duhet të mbajmë përgjegjësitë tona shoqërore për sa i përket mirëqenies së njerëzve. Misioni i korporatës për të bërë fitime një herë më në fund do të bjerë ndesh me interesat publike. Kultura jonë korporative është që të përpiqemi dhe t'i ndërthurim këto dy interesa. Ne nuk do t'i dëmtojmë përfitimet publike për interesat e biznesit tonë."

Më tej Chen Feng-uvë në dukje: "Përveç aviacionit, ne po synojmë drejt modeleve të reja të biznesit edhe në sektorë të tjerë, si për shembull në shërbimet financiare. Kështë, Grupi HNA ka krijuar disa kompani që ofrojnë të ashtuquajturat 'qira financiare' (ku qiramarrësi merr përsipër fitimet e rreziqet nga zotërimi i një pasurie, teksa pronësia i mbetet kompanisë financiare), për projekte infrastrukturore dhe sektorin e transportit ajror e atij detar.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit HNA ka marrë një numër çmimesh prestigjoze në sektorët në të cilët e ushtron veprimtarinë e vet, duke përfshirë Kupën "Shqiponja e Artë" dhe "Çmimin e Artë të Shërbimit për Udhëtarët " nga Administrata e Aviacionit Civil e Kinës, që jepen për nivelin më të lartë të sigurisë dhe të shërbimit. HNA po ashtu ka fituar për dhjetë vjet rresht "Çmimin e komenteve të udhëtarëve" e tetë herë çmimin e parë kombëtar të përpikmërisë së fluturimeve, që pasqyron paraqitjen e mirë dhe vendin e tij të respektuar në treg.

"Kur krijuam 'Hainan Airlines', synonim të dallonim nga të tjerët si një kompani plotësisht e orientuar drejt shërbimit, duke filluar që nga vetja ime. Unë shtyja karrocën duke u shërbyer udhëtarëve për të vendosur një standard dhe për të bërë një ndryshim," vë në pah Chen Feng-u.

I pyetur se cilat janë strategji të tjera për rritjen e Grupit HNA, Chen Feng-u shprehet: "Risitë. 'Hainan Airlines' u bë e para ndërmarrje e përbashkët në sektorin e transportit ajror në Kinë, kur tërhoqi investimet e Xhorxh Sorosit në mes të viteve '90 të shekullit të kaluar. Po ashtu, kur kompanitë e mëdha ajrore gjendeshin ende duke luftuar me njëra-tjetrën në tregjet e linjave kryesore, ne ishim të parët që u fokusuam në rrugët ajrore rajonale dhe në shërbimet ajrore për korporatat."


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China