Rrëzëllitës, entuziast dhe plot gjallëri, kjo është përshtypja që të jep sipërmarrësi i ri Ou Chen. Ai dëshiron që të njëjtin mesazh e imazh t'u përcjellë bashkëmoshatarëve të vet.
Rruga e pazakontë, por e admirueshme, e Ou Chen-it drejt suksesit, ka treguar, por edhe ka formuar, karakterin e tij të pavarur.
30-vjeçari simpatik e ka kthyer vetveten në fytyrën publike të kompanisë, duke marrë pjesë në lojëra televizive a emisione të tjera, duke u shfaqur në tabelat e reklamave dhe duke qenë shumë aktiv në mediat sociale.
"E reklamoj vetë markën time, sepse mendoj se reputacioni dhe vlera e kompanisë janë të lidhura pazgjidhshmërisht me ato të drejtuesit të saj. Dhe kështu që zyrtari kryeekzekutiv natyrshëm bëhet fytyra publike e kompanisë," është mendimi i Ou Chen-it.
Një video-reklamë e Ou Chen-it është transmetuar në shumë stacione televizive dhe ka pasur mijëra komente në internet. Për ta përshkruar atë përdoruesit e internetit krijuan edhe termin "Stili Jumei".
"Të përpiqemi për ëndrrat tona, të jetojmë një jetë të mrekullueshme dhe të jemi vetvetja. Unë jam Leo Chen. Dua të përfaqësoj vetveten," thotë në këtë reklamë Ou Chen-i, i njohur pra gjithashtu edhe si Leo Chen.
"Shpresoj se, pavarësisht se çfarë ndodh, ne do të mbajmë një qëndrim optimist dhe do të përpiqemi për të ecur përpara së bashku. Të mos përballë trysnive të jetës," vazhdon Ou në video.
Kjo strategji promovuese e ka kthyer uebsajtin e Ou Chen-it në uebsajtin numër një të shitjes së produkteve kozmetike në Kinë. Ou Chen-i vlerëson se reklamimi i tij vetjak i ka kursyer kompanisë "Jumei" 100 milionë juanë shpenzime për reklama.
"Ndërsa të tjerët shpenzojnë shuma të mëdha parash, reklamat tona thjesht popullarizohen nëpërmjet emrit. Ndërsa firmat e tjera ftojnë njerëz për të reklamuar market e tyre, unë përdor vetëm veten time për të përfaqësuar kompaninë," shprehet Ou Chen-i.
Steve Jobs, ish-zyrtari kryeekzekutivi "Apple", dhe Jack Welch, ish-zyrtari kryeekzekutiv i "General Electric", kanë dëshmuar forcën e reklamimit vetjak nga zyrtarët kryeekzekutivë. Por ndërsa reputacioni i drejtuesve shndërrohet në një përbërës thelbësor të strategjisë së përgjithshme të reklamimit të një kompanie, Chen paralajmëron për rreziqet e një gjëje të tillë.
"Në Kinë ne kemi një thënie: 'Qëllo zogun që prin tufën'. Reklamimi personal mund ta promovojë një kompani, por edhe mund ta shkatërrojë atë. Në ditët e sotme fjalët e mia, paraqitja, e madje edhe jeta ime private mund të ndikojnë në reputacionin e kompanisë sime," thotë ai.
Yang Yi, zëvendësdrejtor i Institutit të Kërkimeve për Reklamat i Universitetit të Komunikimit të Kinës, shprehet se efektet e reklamimit vetjak janë më të ndjeshme kur madhështia dhe personaliteti i një zyrtari kryeekzekutiv janë në përputhje me imazhin dhe vlerat themelore të kompanisë së tij.
"Por kjo strategji," vëren Yang, "është e rrezikshme, pasi çdo skandal që përfshin zyrtarët kryeekzekutivë mund të vërë në rrezik imazhin e kompanisë."
Megjithatë, Yang e pranon gjithashtu se reklamimi i suksesshëm vetjak ul koston dhe klientët mund të ndihen më të afërt me kompaninë, pasi e identifikojnë veten me kryezyrtarët ekzekutivë.
Popullariteti në rritje i uebsajteve të rrjeteve sociale mundëson shpërndarjen e shpejtë të mesazheve reklamuese, duke bërë të mundur reklamimin në internet me kosto të ulët, por të efektshëm.
"Reklamat e mira nuk përhapen vetëm duke u mbështetur në vlerën e kostos, por edhe në reputacionin. Mesazhi i përfaqësimit të vetes sime i nxit klientët e mi që të marrin një qëndrim proaktiv në jetë. Në këtë mënyrë, vlera e reklamave tona e tejkalon vlerën e reklamave të shtrenjta, por sipërfaqësore," shprehet Ou Chen-i.
Lidhur me strategjinë e tij të ardhshme të reklamimit personal, Ou thotë se do të vazhdojë të shfaqet në reklamat e kompanisë dhe të përfshihet më tej në forcimin e markës.
Sigurisht Ou Chen-i dhe kompania e tij kanë njohur edhe kohë të vështira. Në përvjetorin e parë të "Jumei"-t, miliona blerës "vërshuan" në uebsajtin e tij pas fushatës agresive të promovimit, duke sjellë një mbingarkesë të serverit e më mosfunksionim të tij.
Ou Chen-i e pranoi në një program televiziv që ai dhe ekipi i tij nuk kishin arritur ta parashikonin një gjë të tillë.
Klientët, të zemëruar, shprehën dyshime ndaj "Jumei"-t me pyetje të tilla: "A mos vallë 'Jumei' ka probleme?" "Çfarë doni t'u thoni klientëve?" "Si do t'i kompensoni?"
Ou Chen-i u përgjigj me sinqeritet se ekipi i tij e kishte mbivlerësuar aftësinë logjistike të kompanisë dhe të linjave telefonike të shërbimit, por premtoi se "Jumei" do të jepte kompensim.
Ou vuri në dukje se ky incident ishte një mësim i mirë për përsosjen e punës prej tij dhe ekipit të tij.
Megjithatë, Ou Chen-i paralajmëron se sipërmarrja nuk është një veprimtari që mund të bëhet nga kushdo. Sipas tij, një sipërmarrës i ri duhet të zotërojë këto tre cilësi që të arrijë sukses:
"E para është vendosmëria, sepse fillimi i një biznesi kërkon guximin për të kuptuar rreziqet e mundshme që mund të lindin gjatë procesit dhe vendosmëri në vendimmarrje. Gjykimi vjen i dyti, sepse, si biznesmen, duhet ta udhëhiqni kompaninë në rrugën e duhur për të mos shkaktuar gabime fatalë për të gjithë sipërmarrjen. E treta vjen aftësia drejtuese, që është edhe më e rëndësishmja. Një themelues kompanie, ndër të tjera, duhet të bashkojë shumë njerëz. Pa drejtimin e duhur, e tërë struktura në mënyrë të pashmangshme do të ketë mungesë kohezioni dhe do të dështojë."
Ashtu si Ou Chen-i, sot gjithnjë e më shumë të rinj kinezë që kanë përfunduar studimet jashtë vendit kthehen në atdhe për të nisur sipërmarrjet e tyre. Ou Chen-i që pa dyshim është një shembull suksesi, i inkurajon të kthyerit të kuptojnë dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të filluar biznesin në Kinë. Për të shmangur dështimin, Ou Chen-i u sugjeron atyre që të fillojnë duke pasur si bazë ekipe të shkëlqyera dhe të kuptojnë tregun vendor; dhe, nëse është e nevojshme, të hyjnë në kompani të reja, por që janë deri diku të mëdha, të bëjnë përgatitje për një ose dy vjet, dhe pastaj të fillojnë bizneset e tyre.
"Jumei" pa dyshim ka ndryshuar stilin e jetesës së shumë vetave. Ou Chen-i dëshiron që një ndryshim i tillë të frymëzojë të tjerët të sjellin vetë atë që quhet "energji pozitive".
Sot, uebsajti i shitjes së produkteve kozmetike i Ou Chen-së zë një vend të veçantë ndër miliona femra kineze dhe në të njëjtën kohë ka frymëzuar shumë të tjerë për të nisur sipërmarrjet e tyre private. Për shumë të rinj, Ou Chen-i është bërë një superyll, një sipërmarrës i ri që përfaqëson brezin e të lindurve në vitet '80 e më pas të shekullit të kaluar. Në vitin 2011, në Forumin e 10-të të Biznesit të Kinës, Ou Chen-i u përfshi ndër "Sipërmarrësit e rinj kryesorë të Kinës". Në vitin 2012 dhe 2013 Ou Chen-i u përfshi në listën "30 nën 30" të "Forbes"-it, ku përfshihen 30 sipërmarrësit kryesorë kinezë nën 30 vjeç."
"Shpresoj që më shumë të rinj dhe të reja do të nisin bizneset e tyre, të luftojnë për veten e tyre dhe të krijojnë vlera të vërteta, ashtu si 'Jumei' i sotëm. 'Jumei' ka miliona blerës, të cilët, për shkak të tij, kanë një jetë më të bukur dhe më të këndshme," thotë Ou Chen-i.
Në maj 2014, "Jumei" u listua në Bursën e Nju-Jorkut. Që në ditën e parë të tregtimit, aksionet e tij u rritën 11 %, duke krijuar edhe miliarderin më të fundit të Kinës, Ou Chen-in, me 1.2 miliardë dollarë