PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Thjeshtësia e shkëlqyer" e Jiang Qiong Er-it
2014-09-23 14:35:21 CRI Komenti juaj Printoni


 

"Shang Xia" aktualisht ka produkte në disa kategori, të tilla si mobilie, objekte porcelani, artikuj shtëpiakë, veshje dhe stoli.

Jiang Qiong Er-I, e cila quhet edhe si bashkëthemeluesja vizionare e "Shang Xia"-së, shprehet: "Nuk ka kufij kur vjen puna për t'u prekur nga diçka e bukur. Çdo njeri në botë kërkon përsosmërinë. Për sa kohë që është një produkt cilësor me dizajn bashkëkohor lindor të spikatur, ai është i dëshiruar. Dizajni i produkteve të 'Shang Xia'-së i ka rrënjët në kulturën kineze. 'Shang Xia' ka për qëllim promovimin e zejtarisë kineze. Veprat historike të artit mbahen në muze, por zejtaria hyn në jetën e njerëzve. Produktet e 'Shang Xia'-së nuk janë antike, ato janë bashkëkohore dhe kanë një funksion në jetën e njerëzve."

Jiang Qiong Er-i vijon më tej: "'Shang Xia' përpiqet të bëjë vepra të pavdekshme, ashtu si orenditë e dinastisë Ming, të cilat janë vlerësuar nëpër shekuj deri në ditët e sotme. Ne mundohemi të sjellim në jetë edhe një herë bukurinë dhe cilësinë e zejeve kineze."

Jiang Qiong Er-i shprehet se, në të vërtetë, përpara se të jetë një biznes i suksesshëm, motivimi më i rëndësishëm për projektin "Shang Xia" ka të bëjë me vlerat kulturore dhe shoqërore.

Sigurisht, Jiang Qiong Er-i e pranon se, gjatë viteve të luftës dhe urisë që kanë goditur shpesh Kinën në të shkuarën, estetika e jashtëzakonshme kineze ra në harresë. "Kina ka një trashëgimi shumë të pasur mijëravjeçare të zejtarisë, por kjo traditë është ndërprerë shumë herë përgjatë kohërave," thotë ajo. "E vetmja gjë që kishte rëndësi në ato kohëra ishte që të gjeje ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë."

"Por tani ekonomia është duke lulëzuar," vijon Jiang Qiong Er-i. "Prandaj, kjo është një periudhë shumë e mirë që ne të rizbulojmë vlerat tona tradicionale!" Dhe shton: "Kina ka marrë tani rol drejtues në ekonominë botërore. Në 50 vjetët e ardhshëm, Kina do ta udhëheqë botën edhe në kulturë."

"Shang Xia" është një markë dhe një firmë që dallon nga të tjerat: "Ne nuk e bëjmë marketing," shpjegon Jiang Qiong Er-i. "Ne nuk ftojmë njerëz të famshëm për të promovuar produktet tona, sepse vëmendja duhet të jetë mbi produktet, jo mbi këta njerëz të famshëm. Ne i lëmë objektet të flasin për veten e tyre, në vend që të flasin nëpërmjet fjalëve të të tjerëve. Ne ofrojmë sende të bëra sipas traditës më të mirë të zejtarisë kineze." "'Shang Xia', thotë ajo, "nuk ka të bëjë thjesht me logon e markës; por me njerëzit dhe emocionet. Siç është edhe një thënie kineze, 'Jepu ndjenja objekteve'. Unë mendoj se koha dhe emocionet janë dy nga gjërat më të çmuara që kemi në botë."

Dhe më tej Jiang Qiong Er-ithekson: "Markat e tjera mund të ketë një plan të veçantë biznesi. Ato investojnë dhe mendojnë të korrin frytet e fitimeve brenda një kohe të caktuar. Por ne kemi nevojë për durim që marka të zhvillohen." "'Shang Xia' është një projekt afatgjatë," thotë ajo. "Ne jemi si bujqit, e kultivojmë tokën për brezat e ardhshëm. Ne jemi të përkushtuar që projekti 'Shang Xia' të jetojë më gjatë se ne."

Jiang Qiong Er-i shprehet se "Shang Xia" synon sjelljen e trashëgimisë nga e kaluara në të ardhmen, kështu që, sipas saj, është përtej kohës, përtej hapësirës. "Ne jemi duke kërkuar për të arritur njëfarë përjetësie, shprehet Jiang Qiong Er-i. "'Shang Xia' nuk më takon mua a ndonjë tjetri, por i takon kulturës kineze dhe i takon, për këtë arsye, mbarë botës në përgjithësi."

Ëndrra e "Shang Xia"-së është që të rizbulojë ato elemente të kulturës kineze që po bien në harresë, pastaj t'i ringjallë e t'i rivlerësojë ato, për t'i trashëguar për brezat e ardhshëm, duke u bërë pjesë e stilit bashkëkohor të jetesës. Pikërisht gjetja e baraspeshës mes trashëgimisë dhe risive duket se është një nga premtimet më të mëdha që "Shang Xia" i bën konsumatorit.

Në të vërtetë, kur e pyet nëse, përveç idesë për të pasur një biznes të suksesshëm, ishte një nga motivet e saj vetjake që e shtyu për krijimin e "Shang Xia"-së ringjallja e interesit te trashëgimia artistike dhe e zejtarisë e Kinës dhe frika se mos brezi i ri do të humbiste lidhjet me rrënjët ose se veprat e zejtarisë kineze ishin të rrezikuara në njëfarë mënyre, Jiang Qiong Er-i shpjegon: "Nuk duhet të harrojmë se Kina ka një kulturë 5000-vjeçare. Është një kulturë kaq e pasur dhe frymëzuese. Por, nëse brezave të rinj ua tregojmë këtë kulturë në një mënyrë tradicionale, sigurisht nuk do të jetë interesante për ta. Nëse, nga ana tjetër, ne ndajmë me ta kulturën dhe traditat në një mënyrë inovative, në qoftë se ata ndihen të befasuar nga kultura e tyre, atëherë rezultati mund të jetë shumë i ndryshëm. Ne duam ta bindim këtë brez të ri që 'Shang Xia' është një ftesë për të rizbuluar kulturën e tyre dhe për ta sjellë këtë trashëgimi në jetën tonë bashkëkohore."

Më tej 38-vjeçarja vazhdon: "Sot, të gjithë mjeshtërit e zejtarisë kineze janë në moshën e prindërve dhe gjyshërve tanë. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më pak të rinj dhe të reja duan të mësojnë këto zeje, edhe për arsye se kërkohet durim dhe një kohë e gjatë. Prandaj, është koha për t'i marrë këto mjeshtëri tradicionale, për t'i ripërkthyer ato me dizajne dhe funksione të reja, të cilët përputhen me jetën e sotme tonë. Ne duhet të ofrojmë një treg të ri për to dhe gjithashtu të rritim nivelin shoqëror të mjeshtërve të zejtarisë."

Në të vërtetë, Jiang Qiong Er-i e pranon se sfida kryesore për vetë "Shang Xia"-në ka qenë për të gjetur mjeshtër zejtarie të gatshëm për t'ua kushtuar aftësitë dhe kohën e tyre ëndrrave të saj. "Gjetja e tyre ishte mjaft një proces i komplikuar. Krijuam një komitet me ekspertë muzesh, historianë dhe profesorë, të cilët na ndihmuan. Ne duhej të pushtonim zemrat e këtyre mjeshtërve. Gjithçka lidhej jo me paranë, por me shkëmbimin emocional, me ndarjen e ëndrrave, me ndarjen e të njëjtave vlera", vë në dukje Jiang Qiong Er-i, duke shtuar se mënyra më e mirë për të shfaqur respektin e falënderuar këta zejtarë ishte të kaloje disa kohë me ta për të mësuar zanatet e tyre.

Por Jiang Qiong Er-i e pranon se vetëm "Shang Xia" nuk mund të sjellë rilindjen e zejtarisë kineze. "Ne i mirëpresim të gjitha markat dhe projektet të cilat mund të bashkohen me ne dhe ta bëjmë këtë gjë së bashku. Ka një tjetër thënie kineze sipas së cilës: "Konkurrenca sjell përmirësimin". Prandaj, ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë dhe të punojmë e kërkojmë rrugë të reja me njerëz ose marka të tjera që janë të interesuara për trashëgiminë dhe risinë kur vjen fjala te zejtaria."

Mbështetur në suksesin e dyqanit të parë dhe të vetëm deri atëherë në Shangai, vitin e kaluar Jiang Qiong Er-i hapi një dyqan i dytë të "Shang Xia-së në Paris. Jiang Qiong Er-i thotë se dyqani në Paris ka një mjedis jo të njëjtë me atë në Shangai. "Zbukurimi i brendshëm," sqaron ajo, "ndonëse i rrënjosur në kulturën kineze, ka për qëllim dialogun me kulturën vendore franceze. Materiali i përdorur është i ndryshëm me materialin e përdorur në Kinë."

Jiang Qiong Er-i shprehet se "Shang Xia" do të hapë dyqane edhe në metropole të tjera, por përsëri Parisi do të mbetet i veçantë për të, jo vetëm sepse aty është qendra e "babait" të Shang Xia-së, "Hermes"-it, por edhe sepse vetë ajo gjeti në Paris dashurinë, njeriun që është tashmë babai i dy fëmijëve të saj. E ndonëse ka bërë emër në biznes brenda e jashtë vendit, Jiang Qiong Er-i shprehet: "Familja ime ka qenë suksesi im më i madh deri më tani. Dashuria që më jep ajo përmban aq shumë energji pozitive"

Në fund të fundit, Jiang Qiong Er-i e di se vetëm një shpirt i bukur, me paqe e dashuri, është i aftë për të bërë vepra të mira si në art e biznes, ashtu edhe në jetë.


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China