20190923hp-1 |
Jiang Qiong Er-i është ndër ata dizenjues bashkëkohorë kinezë me reputacion ndërkombëtar që trashëgon nëpërmjet kompanisë "Shang Xia", ku ajo është drejtoresha artistike dhe zyrtarja kryeekzekutive, bukurinë e kulturës kineze. Modelet e Jiang Qiong Er-it ndërthurin mrekullisht elegancën e risive e të përfytyrimit. Vizioni i saj ndërkombëtar dhe shpirti i hapur, ndërthurur me sfondin e saj kulturor, i mundëson krijueshmërisë së Jiang Qiong Er-it të shpërfaqë më së miri e lirisht vetveten, duke ruajtur e respektuar traditën, si atë të vendit të vet e të Lindjes në përgjithësi, ashtu edhe traditën perëndimore. Jiang Qiong Er-i është në krye të një grupi dizenjuesish që prodhojnë koleksione që mishërojnë frymën e kulturës kineze, por duke e zhvilluar atë më tej e duke e ndërthurur me modernitetin, duke krijuar një estetikë të re për shekullin XXI.
Shangai nuk ka qenë gjithmonë ai qyteti rrëzëllitës futuristik që është sot, i mbushur me rrokaqiej, rrugë me tre nivele dhe "Ferrari". Në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur Jiang Qiong Er-i ishte një vajzë e vogël, njerëzit përdornin kryesisht biçikletat si mjet transporti dhe shkonin nëpër parqe në ditët e pushimit. E një gjë të tillë bënin edhe prindërit e Jiang Qiong Er-it. Ata udhëtonin edhe në të gjithë vendin për t'u treguar të dy fëmijëve të tyre, Jiang Qiong Er-it dhe vëllait të saj të madh, bukuritë e natyrës së Kinës. Në shtëpi ata pastaj vizatonin atë që kishin parë: për shembull, zambakët e ujit dhe mjellmat.
foto nga BAIDU
Jiang Qiong Er-i filloi të vizatonte që kur ishte dy vjeç e gjysmë. Në familjen e saj të gjithë mund të vizatonin e pikturonin. Gjyshi i saj nga nëna, Jiang Xuan Yi, ishte një piktor i famshëm. Jiang Xuan Yi i përket atij brezi të piktorëve kinezë të lindur në shekullin kur artistët europianë dhe amerikanë po ndërmerrnin "Udhëtimin për në Lindje", kurse ai vetë studioi jashtë vendit dhe u ndikua nga teknikat e pikturës perëndimore. Babai i Jiang Qiong Er-it, Xing Tong He, është arkitekti i Muzeut të Shangait, ku ndodhen kryevepra të çmuara të artit kinez, si objekte prej porcelani, piktura, bukurshkrime, bizhuteri nefriti dhe mobilie antike druri. Prandaj, nuk është krejtësisht një rastësi që këto janë objektet që Jiang Qiong Er-i i hulumton dhe i riinterpreton tani me kompaninë e saj "Shang Xia" nën patronazhin e markës luksoze "Hermes". Edhe pse "luksoze" është një fjalë që më mirë të shmanget kur flet me Jiang Qiong Er-in. Për të, ky është një term marketingu i përdorur për prirjet e modës që mund të bëhen demode në sezonin në vijim. Sipas Jiang Qiong Er-it, luksi ynë i vërtetë në ditët e sotme janë vetëm koha dhe emocioni.
Jiang Qiong Er-i ishte aq e talentuar në vizatim e më pas pikturë në fëmijëri, saqë dy prej figurave më të njohura të artit tradicional kinez, piktori Cheng Shi Fa dhe bukurshkruesi Han Tian Yon, vendosën ta pranojnë si nxënëse të tyre. Një herë në javë Jiang Qiong Er-i shkonte te shtëpitë e mësuesve të saj dhe u tregonte pikturat dhe bukurshkrimet që kishte bërë, për të përfunduar shpesh në diskutime etike-filozofike me ta.
Kur Jiang Qiong Er-i ishte gjashtë vjeçe dhe vëllai i saj nëntë, një regjisor bëri një film dokumentar për këta dy fëmijë të talentuar. Në fund të dokumentarit, Jiang Qiong Er-in e pyesin se çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet. Vogëlushja përgjigjet: "Unë dua ta pikturoj botën me ngjyra të ndritshme me penelat e mi ..."
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Jiang Qiong Er-i nisi studimet në Universitetin prestigjioz "Tongji" të qytetit të vet të Lindjes, Shangai, në degën art e dizenjim. Fillimisht ajo kishte vendosur që, pas diplomimit, të niste studimet për gradën "master" në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por gjatë vitit të fundit të universitetit Jiang Qiong Er-i bëri një udhëtim nëpër Europë dhe u mrekullua aq shumë nga kultura e pasur e këtij kontinenti, saqë zgjodhi të vazhdonte studimet në Shkollën e Lartë Kombëtare të Arteve Dekorative në Paris, dhe ta bënte masterin për dizajn orendish. Dhe kjo zgjedhje e bërë nga Jiang Qiong Er-i do t'ia ndryshonte plotësisht jetën. Prindërit e saj nuk e kuptuan ndryshimin e papritur të planeve të së bijës - Jiang Qiong Er-i nuk mund as të fliste frëngjisht në atë kohë - por ata, thotë Jiang Qiong Er-i, "gjithmonë më linin të bëja atë që doja të bëja. Ata më besonin mua krejtësisht. Unë jam tepër me fat që kam prindër të tillë..."
Jiang Qiong Er-i ndihet me fat po ashtu që ka pasur mundësinë për të njohur të dy kulturat, si atë kineze, ashtu edhe atë perëndimore.
Pas kthimit në Kinë nga Franca ajo eksperimentoi me shumë teknika dhe zbuloi tek kultura e saj e dyfishtë, perëndimore e lindore, një burim të veçantë frymëzimi, ashtu siç e gjeti këtë burim frymëzimi edhe tek historia e lashtë e Kinës dhe e qytetërimit kinez. Duke u njohur me të gjitha fushat e artit, Jiang Qiong Er-i filloi të kuptojë e vlerësojë gjithnjë e më shumë trashëgiminë e pasur kulturore të vendit ku ka lindur. Duke mësuar për zejtarinë kineze dhe për mjeshtërinë e zejtarëve kinezë, ajo u ndie e ngazëllyer nga forca dhe bukuria e veprave të tyre. Kjo e nxiti ëndrrën e saj për t'ia bërë të njohur këtë mjeshtëri dhe këto vepra botës.
Së bashku me ish-profesorin e saj nga Shangai dhe një tjetër shoqe, Jiang Qiong Er-i krijoi në qytetin e vet të lindjes një kompani dizajni, duke hapur brenda një kohe të shkurtër katër dyqane. E gjithë kjo para se të mbushte të 30-tat. Më pas, në vitin 2006, Jiang Qiong Er-i u ftua nga "Hermes"-i të ishte dizenjuesja e parë kineze e vitrinave të dyqaneve të kësaj firme mallrash luksi në Kinë. Më pas, gjatë një darke pune, Jiang Qiong Er-i u njoh me zyrtarin kryeekzekutiv të "Hermes"-it Patrick Thomas dhe drejtorin e përgjithshëm artistik Pierre-Alexis Dumas. Patrick Thomas-i kishte menduar prej kohësh për të krijuar një degë të kompanisë pariziane në Kinë. Dhe ja, Jiang Qiong Er-i doli se ishte partnerja e përkryer për të realizuar këtë ëndërr të tij. "Ishte si një nga ato takimet e para të suksesshme mes një çifti," kujton Jiang Qiong Er-i. "Ne biseduam, shkëmbyen mendime dhe zbuluam se kishim të përbashkët të njëjtin vizion dhe pasion për përsosmërinë e zejtarisë, kulturën kineze dhe për një dialog në mes të traditës dhe inovacionit, si dhe trashëgimisë dhe emocionit. Ne pastaj filluam të krijojmë bashkërisht filozofinë dhe vlerat thelbësore për ëndrrën e "Shang Xia"-së." "'Shang Xia'," shton Jiang Qiong Er-i, "është pikërisht rezultat i këtij takimi të bukur mes meje dhe 'Hermesit'."
E pyetur se përse "Hermes"-i ka vendosur për të krijuar një markë kineze në vend që të shesë produktet e veta në Kinë, Jiang Qiong Er-i shprehet: "'Hermes'-i dëshiron të mbjellë farat e filozofisë së vet në një tokë tjetër. Filozofia e tij është që të përdorë materialet më të mira dhe mjeshtërinë më të mirë për të sjellë në jetë një objekt me dizajn bashkëkohor. Do të ishte më se e saktë të thuhej se 'Hermes'-i është babai i 'Shang Xia'-së, ndërsa kultura kineze është nëna e saj. Marka jonë synon promovimin e një stili jetese dhe estetike lindore. Ne mund të kishim shtuar fjalët 'Nga 'Hermes-i' në logon e 'Shang Xia'-së dhe shitjet do të kishin njohur rritje. Por 'Shang Xia' kurrë nuk e ka pasur për qëllim që të rritet nën hijen e një marke tjetër, për shkak se ka personalitetin e vet." "Shang Xia", vazhdon ajo, nuk është ndonjë degë dytësore e "Hermes"-it; por ka të përbashkët me të angazhimin për cilësi, por me frymëzim kinez." "'Shang Xia' është një markë e pavarur, një markë që ka identitetin e vet," vë në dukje Jiang Qiong Er-i.
Por përse Jiang Qiong Er-i ka vendosur ta quajë kompaninë e vet "Shang Xia"? Në gjuhën kineze shang do të thotë "lart", ndërsa xia "poshtë." Atëherë, çfarë do të thotë ky emër? Për të shpjeguar këtë Jiang Qiong Er-i fillon të filozofojë, dhe filozofia është një ndër pasionet e saj. "Këto dy karaktere," thotë Jiang Qiong Er-i, "përfaqësojnë një filozofi të jetës: qarkullimin e energjive të ndryshme, takimin në mes së kaluarës dhe së ardhmes, tradicionales dhe risisë, zejtarisë dhe modeleve bashkëkohore dhe kështu me radhë. Për mua 'lart e poshtë" lidhet me bashkëjetesën harmonike të të gjitha kundërtive prej të cilave jemi të rrethuar: njerëzve dhe natyrës, traditës dhe modernitetit, lindjes dhe perëndimit. Pa të kaluar nuk ka të tashme - dhe afërmendsh që nuk ka as të ardhme."
Jiang Qiong Er-i shton se "Shang Xia" simbolizon një mënyrë jetese të ekuilibruar dhe harmonike nga sfera shoqërore në atë private, nga qyteti në natyrë. Bëhet fjalë për një lloj të caktuar të asaj që Jiang Qiong Er-i e quan "thjeshtësi e shkëlqyer": dizajne të thjeshta, mjeshtëri e shkëlqyer, materialet më të mira. "Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se fjalët shang (lart) dhe xia (poshtë) përfaqësojnë në mënyrë të përkryer këtë koncept dhe nuk ka përkthim që mund t'i zëvendësojë," thotë Jiang Qiong Er-i.