Bujqësia në ballkone, industria e re urbane
Bujqësia në ballkonet e shtëpive nuk është një koncept i ri dhe i panjohur, por në ditët e sotme gjithnjë e më shumë njerëz po kultivojnë perime dhe lule në ballkonet e tyre. Në fakt, kjo praktikë inovative, i ka dhënë një shtysë rritjes së një industrie alternative në Kinë, që sipas analistëve, ka potencial të madh për t'u shndërruar në një biznes fitimprurës.
Zonjusha Hu, jeton në Dongguan, që gjendet në provincën Guangdong, në pjesën jugore të Kinës. Ballkoni i saj është relativisht i madh dhe ajo ka përdorur një mënyrë interesante për të kultivuar aty perime. Ajo thotë se është shumë e kënaqur me prodhimet bujqësore që vjel nga ballkoni i banesës së saj.
"Domatet që i mbolla dhe i kultivova në ballkonin tim, janë shumë të shijshme, por njëkohësisht kanë edhe një shije shumë të ndryshme. Unë i kam krahasuar ato me domatet që kam blerë në treg. Domatet që kam kultivuar në ballkon kanë një shije më të fortë dhe më të mirë. Për më tepër, nuk të duhet të shpenzosh shumë kohë për të punuar dheun në vendin e posaçëm ku kam mbjellë domatet në ballkon. Është një mënyrë shumë e përshtatshme. Shpesh herë në shtëpinë time ftoj mikeshat e mia dhe i hamë domatet e ballkonit së bashku. Familja ime përbëhet nga tre persona, kështu që ne të tre nuk mund t'i hamë vetë të gjitha domatet", thotë zonjusha Hu.
Kultivimi në shtëpinë tënde i domateve, ashtu siç bën zonjusha Hu, nuk është një opsion i mirë vetëm për familjet. Një numër në rritje i sipërmarrjeve kanë nisur të eksperimetojnë me bujqësinë në ballkon. Disa kompani madje, po planifikojnë të përdorin edhe tarracat e ndërtesave të fabrikave të tyre për të kultivuar jo vetem perime, por edhe lule.
Kërkesa e tregut ka nxitur në mënyrë të efektshme bujqësinë në ballkon, por edhe atë në kopshte. Feng Yanquan, një person i cili është përfshirë në biznesin e bujqësisë në ballkon, shprehet se potenciali i tregut është shumë i madh.
"Ndërtesa e fabrikës zë një sipërfaqe prej një të pesëmëdhjetën e një hektari. Kompania mund të përdorë tarracën e ndërtesës, që ka një sipërfaqe të madhe për të mbjellë perime, fruta dhe lule. Kjo është një mundësi e mirë për të bërë biznes në Kinë. Tregu për të përdorur çatitë apo tarracat në këtë drejtim, ende nuk është zbular siç duhet. Unë mund të them se 99% e çative apo tarracave, nuk është eksploruar", thotë Feng Yanquan.
Në disa vende të ndryshme të botës, personat e përfshirë në bujqësinë e ballkoneve dhe çative marrin disa subvencione të veçanta. Përshembull, në Gjermani, bujqësia në ballkone dhe në çati praktikohet në më shumë se 80% të ndërtesave në vend. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Japoni, një praktikë e tillë, është gjithashtu shumë e popullarizuar.
Feng Yanquan shton se Kina duhet të ketë parasysh dhe të studiojë eksperiencën e bujqësisë në ballkone dhe çati në këto vende, ku ky lloj aktiviteti është përhapur mjaftueshëm.
"Në disa vende europiane, por edhe në vende të ndryshme të botës, çatia konsiderohet si një vend shumë i përshtatshëm për bujqësi. Gjithsesi, në Kinë, shumica e çative apo tarracave në shumë qytete janë të zbrazta. Ne shpresojmë që prodhimet tona, lulet, perimet e frutat, të reduktojnë jo vetëm efektin e urbanizimit masiv, që ka ndodhur në mjaft qytete, por edhe të na ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke reduktuar ndotjen e tij dhe gjithashtu të lëshimit të karbonit", thotë Feng Yanquan.
Gjithsesi, pavarësisht se perimet nuk kultivohen në një tokë të punueshme, por në ballkonet dhe çatitë e shtëpive, metodat efiçente të ujitjes dhe përdorimi i duhur i plehut, mbeten probleme të pazgjidhura për këtë industri të re urbane. (Ardi Pulaj)


















