Vështirësi për shitjen e arit
Çmimi i arit është rritur në muajt e fundit dhe njerëzit besojnë se ari është një ilaç i mirë për inflacionin. Por së fundi, ata që investojnë në ar, po përballen me një tjetër problem. Ata kanë kuptuar se është bërë shumë e vështirë shitja e tij.
Zoti Zhang do të shesë produktet e tij prej ari, por asnjë argjendari, dyqan apo bankë në Pekin nuk pranon që t'i blejë ato.
"Këto kuaj dekorativë prej ari m'u dhanë si dhuratë nga shokët dhe tani dua që t'i shes. Kam qënë në shumë argjendari dhe dyqane në qendra tregtare në Pekin dhe të gjithë shitësit kanë refuzuar që t'i blejnë. Ata kërkojnë faturën e blerjes së tyre dhe thonë se blejnë vetëm arin që kanë shitur vetë". thotë Zhang.
Aktualisht, shumë klientë shkojnë në argjendari për të pyetur se si mund t'i shesin produktet e tyre të arit. Përgjigjia që marrin është se në shumicën e dyqaneve mund të gjejnë shërbime si shitjen e arit të vjetër dhe këmbimin me të ri, apo blerjen e arit që kanë shitur vetë këto dyqane më parë. Bankat që shesin ar, gjithashtu blejnë vetëm atë që ato vetë kanë shitur. Si pasojë, klientët ankohen se shitja e arit është bërë e vështirë.
Por argjendaritë nga ana tjetër kanë vështirësi, si përshembull në identifikimin e cilësisë, peshën dhe kushtet e produkteve të arit. Që nga themelimi në 2002 i "Shanghai Gold Exchange", sigurohet cilësia e burimeve të arit. Por ekspertët theksojnë se mungesa e një platforme të unifikuar për blerjen e arit ka krijuar kaosin e tanishëm në këtë biznes. Fu Peng, një analist i "Galaxy Futures Company", shpjegon problemin
"Tani për tani, produktet e arit shiten përkrah atyre false në tregun e arit. Kur shkon për të blerë, mund të gjesh lloje dhe marka të ndryshme ari. Për shkak të mungesës së kontrolleve, kompanitë duhet të verifikojnë vetë produktet, gjë që rrit koston e të blerit sërish të arit. Prandaj, në të ardhmen, tregu i arit do të kërkojë më shumë standarde. Duhet të ketë vetëm disa prodhues të autorizuar dhe monitorimi i tyre duhet të forcohet. Duke bërë një gjë të tillë, kostoja e riblerjes së arit mund të reduktohet." thotë Fu.

Tre produkte kryesore domiojnë tregun e arit: zbukurimet, dekoracionet dhe shufrat e arit. Aktualisht, çmimi për tregtimin e shufrave të arit është 20 juanë për një gram dhe 50 juanë për gram për llojet e tjera të produkteve. Për më tepër, shumica e argjendarive apo dyqaneve i kërkojnë klientëve që të tregojnë çertifikatën dhe faturën e produkteve të tyre të arit. Në të njëjtën kohë, këto produkte duhet të jenë në gjendje të mirë. Ekspertët e ndryshëm thonë se klientët i kanë parasysh këto kërkesa përpara se të shesin produktet e arit. Analisti Fu Peng sugjeron se ari është mënyrë e mirë për të shmangur rreziqet.
"Ari është pagesa finale ndërkombëtare. Nëse ndodh diçka, ari pranohet në të gjithë botën." u shpreh Fu.
Sipas rregulloreve, tregtia me ar duhet të tatohet me 17% të TVSH-së dhe 5% me taksën e konsumit. Të gjitha këto e bëjnë tregtinë e arit mjaft të shtrenjtë. Të gjitha argjendaritë apo bankat verifikojnë pastërtinë e një produkti ari përpara se ta blejnë atë dhe në shumicën e rasteve, procesi i ekzaminimit e dëmton produktin. Nëse pastërtia e tij nuk përmbush kushtet, argjendaritë apo bankat nuk e blejnë produktin dhe konsumatorët mbeten pa e shitur atë. (Ardi Pulaj)


















