Futja e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në vitin 2001 po e konfirmon përditë e më tepër vendin e Kinës në ekonominë botërore. Eksportet kineze janë nga më kompetitivet në botë.
Kina është aktualisht, por pritet të jetë dhe në të ardhmen, hapësira prodhuese më e kërkuar në botë nga ana e firmave dhe sipërmarrjeve të biznesit ndërkombëtar. Dhe kjo, jo vetëm sepse Kina po bëhet tregu më i madh në botë, por sepse ajo ka mundësi ta zgjerojë pa pushim hapësirën e saj "të dobishme për zhvillim" në veri dhe perëndim të territorit të saj duke mbetur kështu një zonë prodhuese nga më kompetitivet në botë.
Në fillim të reformës dhe të hapjes ndaj botës së jashtme, dera e vendit u hap gradualisht dhe shkëmbimet midis Kinës dhe botës së jashtme nisën të shtohen dita-ditës.
Kinezët ishin kureshtarë për të gjitha markat e huaja, prandaj në atë kohë ata ishin shumë të interesuar ndaj këtyre markave. Sot të gjitha këto kanë mbetur vetëm kujtime të brezit të mesëm. Me integrimin e Kinës me botën e jashtme, sidomos me zhvillimin e teknologjisë së prodhimit dhe kulturës së projektimit, në një sërë fushash markat vendëse janë bërë konkurruese të markave të njohura ndërkombëtare. Për shembull, në reklamat e kampionateve europiane të futbollit dhe të Kupës së Botës, markat kineze Li Ning dhe Hongxin Erke qëndrojnë përkrah markave ndërkombëtare NIKE dhe Adidas. Brezi i ri i kinezëve u rrit së bashku me këto marka vendëse, prandaj për ta, një palë këpucë Li Ning ose NIKE janë njësoj, pasi këto marka vlerësohen si të të njëjtit nivel, jo vetëm në Kinë por edhe jashtë saj.
Vitet e fundit, ndërmarrjet private me kapacitet të plotë prodhojnë produkte të markave të huaja. Pra, Kina sot quhet "fabrika e botës". Produktet me marka "MADE IN CHINA" të prodhuara nga Kina, shiten në supermarketet e mbarë botës. Kjo i ka dhënë kontributin e madh zhvillimit të ekonomisë kineze.