Xie Xuren: "Do përpiqemi për të siguruar jetesë më të mirë"
Ministri i Financave i Kinës Xie Xuren u shpreh në një konferencë për shtyp gjatë sesionit të 5-të të legjislaturës së 11-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës tha se Ministria e Financave do të zbatojë parimin e përgjithshëm për përparimin e qëndrueshëm, do të zbatojë në mënyrë të duhur politikat aktive financiare dhe do të garantojë dhe të përmirësojë nivelin e jetesës së popullit.
Në bazë të situatës ekonomike brenda e jashtë Kinës, qeveria kineze ka vendosur zhvillimin e qëndrueshëm si pikë bazë për ekonominë kineze në 2012. Kjo do të thotë që qeveria qendrore do të kushtojë më shumë rëndësi stabilizimit të rritjes ekonomike dhe çmimit të mallrave, për rregullimin e strukturave ekonomike, përmirësimin e jetesës së popullit dhe për kontrollin e inflacionit.
"Këtë vit, do të zbatojmë politika aktive financiare. Duhet të ruajmë njëkohësisht vazhdueshmërinë dhe stabilitetin e politikave financiare, si dhe fokusimin, fleksibilitetin dhe parashikimin e makrokontrollit financiar." thotë Xie Xuren.
Këtë vit, do të vazhdojë të zbatohen politikat aktive financiare, të cilat do të përqendrohen në 4 drejtime. Së pari, do të përsoset më tej politika për uljen e taksave në mënyrë strukturore, për të pakësuar barrën e sipërmarrësve dhe banorëve të thjeshtë. Së dyti, do të shtohen më tej të ardhurat e banorëve në zonat urbane dhe rurale, për të forcuar aftësinë e konsumit. Së treti, do të përmirësohet më tej struktura e shpenzimeve financiare, për të garantuar dhe për të përmirësuar nivelin e jetesës së popullit. Së katërti, do të nxitet më tej rregullimi i strukturës ekonomike dhe zhvillimi i bashkërenditur rajonal, për të nxitur ndryshimin e mënyrës së zhvillimit ekonomik.
Xie Xuren u shpreh se rritja e shpejtë financiare në vitin e kaluar ka krijuar një bazë të mirë dhe të fortë për përmirësimin dhe garantimin e nivelit të jetesës së banorëve dhe për rregullimin e gjithanshëm të strukturës ekonomike.
"Të ardhurat financiare vijnë nga populli dhe duhet të përdoren për popullin. Të ardhurat financiare të shtetit duhet të përdoren për furnizimin e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve publike, për të plotësuar kërkesat e publikut. Kështu, rritja e të ardhurave financiare është në favor të përmirësimit të nivelit të jetesës, të rregullimit të strukturës ekonomike dhe të zhvillimit të gjithanshëm. Është një gjë shumë e mirë." thotë Xie Xuren.
Siç mësohet, këtë vit, Ministria e Financave e Kinës do të forcojë aftësinë konkurruese, do të çojë përpara kursimin e energjisë dhe pakësimin e lëshimit të gazrave me efektin serë dhe të shpejtojë eksplorimin e energjive të reja, të pastra dhe të përtëritshme. Ndërkohë, do të nxisë përmirësimin e strukturave industriale, posaçërisht në fushën bujqësore, ku do të bëhen më shumë investime dhe do të shtohet vëllimi i prodhimit. Krahas këtyre, do të nxitet zhvillimi i sektorëve të rinj strategjikë, si dhe modifikimi teknik dhe evolucioni industrial. Gjithashtu, Ministria e Financave do të marrë masa për të nxitur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të shtuar më shumë vende pune.
Xie Xuren theksoi se këtë vit, Kina do të zbatojë politikat financiare, do të shtojërregullimin strukturor dhe do të bëjë më shumë investime në përmirësimin e jetesës së banorëve. Ndër këto politika të reja, sipas Xie Xurenit, mbështetja do të fokusohet tek shtresat bazë, fshatrat, zonat rurale dhe me vështirësi ekonomike. Gjithashtu, do të nxiten edhe programet arsimore, shëndetësore dhe ato për garantimin e punësimit.
"Garantimi dhe përmirësimi i jetesës së banorëve është synimi thelbësor i zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe është prioritet i punës financiare. Për këtë arsye, ne e vendosim çdo vit në vendin e parë të punës sonë." thotë Xie Xuren.
Xie Xuren u shpreh se nga buxheti financiar për vitin 2012, investimet në arsim, shëndetësi, sigurimet shoqërore, punësim, banesa me çmim të ulët, etj. do të kalojnë mbi 1.3 trilionë juanë, shifër kjo 19.8% më shumë se në vitin 2011. Sipas planit financiar, këtë vit shpenzimet në arsim do të zënë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). (Jiang Lei/ Ardi Pulaj)