Investimet kineze në rritje në botë sjellin në vëmendje çështjet e sigurisë
Ekspertët shprehen se Kina duhet të forcojë bashkëpunimin me qeveritë e vendeve të ndryshme për të ruajtur sigurinë e shtetasve të saj, por kompanitë dhe personat që veprojnë jashtë kufijve të Kinës, duhet të kenë më shumë përgjegjësi për sjelljet e tyre.
Me numrin në rritje të kompanive kineze që investojnë jashtë kufijve, ruajtja e personelit dhe aseteve, është kthyer në një çështje emergjente. Rrëmbimet e kohëve të fundit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, rajone ku Kina ka investuar shumë, tregojnë rreziqet në rritje me të cilat përballen qytetarët.
Shumë anëtarë të Konferencës Konsultative të Popullit kinez kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë çështje dhe kanë bërë thirrje për një plan konkret masash për mbrojtjen e kinezëve dhe kompanive që operojnë jashtë Kinës.
Drejtori ekzekutiv i TCL Corp, Han Fangmin, thotë se shumica e kompanive kineze që veprojnë jashtë vendit, janë të ekspozuara ndaj sulmeve terroriste, për shkak të mungesës së trajnimeve kundër terrorizmit.
Ai sugjeton se kompanitë kineze të sigurisë duhet të lejohen që të veprojnë jashtë Kinës, sidomos në zonat me rrezik të lartë. Zv/ministri i jashtëm Zhang Zhijun përmend çështjet ligjore si pengesë dhe merr si shembull incidentet kontroversiale që kanë pasur në qendër firmat amerikane në Irak. Çështja e sigurisë, thotë ai, duhet zgjidhur nëpërmjet negociatave mes qeverive.
"Mbrojtja jonë konsullore nuk është e mjaftueshme. Mbrojtja e shtetasve kinezë jashtë vendit po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe përbën një sfidë për Ministrinë e Jashtme", thotë zv/ministri i jashtëm Zhang Zhijun.
Më shumë se 18 mijë kompani kineze operojnë në rreth 170 vende. Ato kanë të punësuar rreth 1.2 milionë kinezë. Ndërkohë ka të paktën 1.2 milionë studentë kinezë në mbarë botën.
I dërguari i posaçëm i Kinës për Lindjen e Mesme, Wu Sike, thotë se kompanitë duhet të jenë të ndërgjegjëshme për rreziqet në destinacionet ku investojnë dhe të kryejnë një studim të territorit që përpara se të ndërmarrin nismën e tyre ekonomike.
Gjithashtu, sipas Wu Sike, vendosja e një marrëdhënieje të mirë me qeveritë e huaja dhe miqësinë me banorët dhe komunitetet lokale, duke respektuar traditat dhe zakonet e tyre, është një mënyrë e mirë për të garantuar sigurinë e kompanive kineze.
"Kina është duke kërkuar investime të qëndrueshme dhe të marrë pjesë në një lojë ku fitojnë të gjithë", shprehet I dërguari i posaçëm i Kinës për Lindjen e Mesme, Wu Sike. (Ardi Pulaj)