Pavijoni ka dy kate dhe ndahet në disa pjesë. Me të hyrë brenda, të bie në sy imitimi i një kështjelle, që përfaqëson kulturën e vjetër dhe qëndresën e shqiptarëve. Brenda kështjellës ndodhet një fotografi e madhe e Butrintit të lashtë, ndërsa në frëngjijtë e saj ka pamje nga vende të tjera me vlerë arkeologjike, historike, etnografike e arkitekturore, si Apolonia, Berati, Gjirokastra, Kruja etj.
Pasi kalojmë historinë dhe kulturën shqiptare, na del përpara natyra e bukur e Shqipërisë: qielli i kaltër, retë e bardha dhe malet e larta. Shqipëria quhet edhe "vendi i shqiponjave", pasi pjesën dërrmuese të saj e zënë malet. Prandaj shumçka shqiptare është e lidhur ngushtë me malet. Përveç natyrës, paraqiten edhe zhvillimi dhe potencialet e Shqipërisë në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjisë së gjelbër etj.
Po të ecim më tej na del përpara një shatërvan dhe sipër tij është një reliev i hartës së Shqipërisë, të cilën duket sikur shatërvani e lag me ujë, këtë burim jete. Shatërvani rrethohet nga breza drite në ngjyrat e ylberit. Këto drita janë me teknologjinë LED, prandaj ndryshojnë pandërprerë, duke e bërë ylberin të duket më i bukur dhe duke simbolizuar larminë e jetës së qytetit. Pastaj, disa shkallë të ngjitin në kat të dytë, që është edhe maja e ylberit. Nga ajo lartësi mund të shohim në një ekran të madh zhvillimin e madh që ka arritur Shqipëria në vitet e fundit, si edhe jetën e ardhshme të bukur.