“Save the Children”: Mbi 12 milionë fëmijë skllevër në botë
2024-07-26 16:10:11

Save the children (Foto Rtsh)

Save the children (Foto Rtsh)

Në raportin e “Save the Children”, të publikuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Njerëzve, thuhet se janë pothuajse 50 milionë njerëz në mbarë botën që janë viktima të formave të ndryshme të skllavërisë moderne, nga të cilët mbi 12 milionë janë të mitur, sidomos në format e punës së detyruar, aktivitete të paligjshme dhe të martesa të detyruara, me një trend në rritje, shkruan “RTSH”.

“Ndër të miturit, 3.3 milionë janë të përfshirë në punë të detyruar, në fusha të tilla si punët shtëpiake, bujqësia, prodhimi, ndërtimi, lypja. apo aktivitete të paligjshme. Fenomeni i martesave të detyruara gjeografikisht prek më shumë Azinë Lindore (14.2 milionë njerëz të përfshirë në vitin 2021, më shumë se 66% e rasteve të vlerësuara), e ndjekur nga Afrika (3.2 milionë njerëz të përfshirë, 14.5 %), nga Europa dhe Azia Qendrore (2.3 milionë njerëz, 10.4%).

Shumica e martesave të detyruara organizohen nga prindërit e viktimave (në 73% të rasteve) ose nga të afërmit (16%) dhe shpesh lidhen me situata të cenueshmërisë së fortë, të tilla si robëria shtëpiake ose shfrytëzimi seksual”,- thuhet në raport.

“Nuk mund të mbyllim sytë para fenomenit të trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve, një tragjedi e përhapur në mbarë botën, por edhe e pranishme në Itali. Po flasim për fëmijë, vajza dhe adoleshentë të tradhtuar nga bota e të rriturve që shpërdoruan besimin e tyre dhe nëpërkëmbën ëndrrat e tyre. Kjo dosje i kushtohet historive të viktimave të mitura të trafikimit dhe shfrytëzimit të mirëpritur në qarkun e mbrojtjes italiane. Ata janë vetëm një pjesë e vogël, maja e ajsbergut e një fenomeni të përhapur”,- deklaroi Raffaela Milano, Drejtoreshë Kërkimore dhe Trajnuese e “Save the Children”. (Irma)