Presidenti kinez Xi Jinping u takua të premten paradite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me presidentin e Burundit Evariste Ndayishimiye, i cili merr pjesë në Samitin e Pekinit të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë. Të dy krerët e shtetit njoftuan ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Burundi në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik.
Xi Jinping-u vuri në dukje se, përgjatë viteve, marrëdhëniet ndërmjet Kinës e Burundit i kanë qëndruar provës së luhatjeve të situatës ndërkombëtare dhe të dy vendet janë bërë partnerë të vërtetë që e respektojnë njëri-tjetrin dhe kërkojnë zhvillim të përbashkët. Përparimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve Kinë-Burundi është në interes të të dy vendeve dhe shërben gjithashtu si një model për bashkimin dhe forcimin e vendeve të Jugut Global. Samiti i Pekinit i Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë ka përcaktuar drejtimin e zhvillimit të marrëdhënieve kino-afrikane në fazën tjetër, u ka sjellë një shtysë të re përpjekjeve të përbashkëta të Kinës e Afrikës për të promovuar modernizimin dhe është një moment historik në marrëdhëniet kino-afrikane. Xi shprehu shpresën që të dyja palët do ta shfrytëzojnë këtë samit si një rast për të nxitur më tej zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Burundi.
Evariste Ndayishimiye tha nga ana e tij se i ka bërë shumë përshtypje vizita në Kinë vitin e kaluar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Universiadës së Chengdu-së dhe për t'u takuar me presidentin Xi Jinping. "Jam shumë i lumtur që vizitoj përsëri Kinën e bukur dhe miqësore. E uroj Kinën për organizimin e suksesshëm të Samitit të Pekinit të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë," u shpreh Ndayishimiye. Ai shtoi se Burundi mbështet plotësisht 'Dhjetë veprimet e partneritetit' të shpallura nga presidenti Xi Jinping për të promovuar modernizimin e Afrikës e të Kinës dhe vlerëson nismat e paraqitura nga presidenti Xi, si ndërtimi i bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.
Gjatë samitit, Kina dhe Burundi nënshkruan një sërë dokumentesh bashkëpunimi dypalësh në fusha të tilla si plani i bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", partneriteti ekonomik i zhvillimit të përbashkët, bashkëpunimi bujqësor dhe eksporti i kokrrave të kafesë në Kinë etj. (Çang Çuo)