I ftuari që do të intervistojmë sot është Presidenti i Zimbabve, Mnangagwa, i cili ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë. Para 60 vjetësh ai ka ardhur në Kinë për herë të parë për studime.
CMG: Një pjesë e rëndësishme e këtij forumi është diskutimi se si të punojmë së bashku për të promovuar modernizimin. Shumë liderë afrikanë, përfshirë edhe ju, zoti President, keni mbërritur në Kinë disa ditë përpara dhe keni udhëtuar në qytete të ndryshme, me qëllim për të njohur më thellësisht procesin e modernizimit të Kinës. Ju vizituat disa qytete në provincat Jiangsu, Hunan dhe Guangdong Çfarë keni parë? Cilat përvoja të Kinës mendoni se mund të frymëzojnë procesin e modernizimit të vendit tuaj?
Emmerson Dambudzo Mnangagwa: Erdha në Kinë 61 vjet më parë dhe qëndrova për një kohë. Unë e kuptoj Kinën e para 60 vjetëve dhe Kinën e tanishme. Gjatë 60 viteve të fundit, e kam vizituar Kinën shumë herë dhe kam dëshmuar me sytë e mi procesin e zhvillimit dhe modernizimit të shpejtë të qyteteve kineze.
Pekini 61 vjet më parë dhe Pekini i sotëm janë nga dy botë të ndryshme. Jam i mahnitur nga Pekini i sotëm. Kina ka përjetuar ndryshime të jashtëzakonshme dhe ka promovuar shumë modernizimin dhe industrializimin. Jeta e sotme është vërtet e ndryshme nga ajo para 60 viteve. Për sa kohë që ne fokusohemi në përdorimin e burimeve të brendshme për të ndërtuar vendin tonë dhe të gjithë marrin përgjegjësi, ne mund ta ndërtojmë vendin sipas vizionit tonë dhe të arrijmë qëllimet që duam.
CMG: Gjatë vizitës suaj në Shenzhen, vizituat disa kompani kineze përfshirë BYD dhe Huawei. Kur provuat automjetin me energji të re, thatë se ishte aq i rehatshëm sa pothuajse të bënte të flije. Zoti President, duket se jeni shumë i interesuar për të eksploruar fusha të reja bashkëpunimi midis dy vendeve, si teknologjia e gjelbër dhe transformimi dixhital. A është e vërtetë kjo?
Mnangagwa: Personalisht, i admiroj shumë arritjet aktuale të Kinës. Gjatë vizitës sime në këto kompani, fola për situatën e Kinës të 60 viteve më parë dhe për ndryshimet e sotme. Kështu, u thashë atyre, dua që Zimbabve të rritet me hapa të mëdhenj. Ne duhet të sigurohemi që të jemi të përsosur në transformimin dhe modernizimin tonë të shpejtë.
CMG: Ndoshta keni vënë re gjithashtu se vendet pjesëmarrëse në këtë forum po diskutojnë me entuziazëm për të shkruar një kapitull të ri të një komuniteti Kinë-Afrikë me një të ardhme të përbashkët. Cili është këndvështrimi juaj për këtë?
Mnangagwa: Për sa i përket vizionit, çdo vend afrikan ka burimet e veta natyrore. Për shembull, në Zimbabve, kemi përcaktuar tre pika gjatë diskutimit tonë: së pari, ne duhet të vazhdojmë të sigurojmë modernizimin dhe mekanizimin për të ruajtur sigurinë ushqimore të vendit, së dyti, ne duhet të ndërtojmë infrastrukturën për t'u bërë shtylla e modernizimit dhe industrializimit të Zimbabvesë; së treti, nuk duhet të harrojmë kush jemi, nuk mund të harrojmë kulturën dhe arsimin tonë. Arsimi ynë duhet të jetë bazuar në kulturën tonë, duke përfshirë shkencën, teknologjinë dhe inovacionin. Në mënyrë të ngjashme, zhvillimi ynë duhet të bazohet në kulturën tonë dhe ne nuk duhet të humbasim karakteristikat tona. Zhvillimi juaj ka karakteristika kineze. Kështu i ka edhe zhvillimi ynë.(Xu Guang)