Kryeministri kinez Li Qiang / foto nga Xinhua
Kryeministri kinez Li Qiang u bëri thirrje Kinës dhe Afrikës të punojnë më ngushtë për ta ngritur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të tyre në nivele më të larta.
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar kino-afrikan shërben si një gur themeli i bashkëpunimit dypalësh dhe ofron mbështetje të fortë për përparimin e përbashkët të modernizimit, u shpreh Li në një fjalim në ceremoninë e hapjes së Konferencës së 8-të të Sipërmarrësve Kinezë dhe Afrikanë të mbajtur në Pekin.
Li vuri në dukje se të dy palët duhet të forcojnë më tej përshtatjen e tregjeve. Kina, tha ai, do të zgjerojë hyrjen e njëanshme në treg për vendet më pak të zhvilluara dhe do të zgjerojë kanalin e gjelbër për eksportet bujqësore afrikane në Kinë.
Pala kineze është gjithashtu e gatshme të punojë me palën afrikane për të forcuar hapjen e ndërsjellë dhe për të përshpejtuar procesin e negociatave e nënshkrimit të marrëveshjeve kuadër mbi zhvillimin e përbashkët të partneriteteve ekonomike, shtoi ai.
Li bëri thirrje për nxitje të mëtejshme të integrimit industrial, duke shprehur gatishmërinë e Kinës për të thelluar bashkëpunimin me Afrikën në zinxhirët industrialë, për të mbrojtur së bashku qëndrueshmërinë dhe funksionimin e mirë të zinxhirëve industrialë e furnizues globalë.
Ai theksoi po ashtu nevojën për të forcuar më tej vrullin e nxitur nga inovacioni, duke vënë në dukje që Kina është e gatshme të shtojë bashkëpunimin me Afrikën në fusha të tilla si ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale dhe energjia e re, duke nxitur kështu motorët e rinj të zhvillimit dhe duke eksploruar më shumë pika të reja rritjeje.
Rreth 1 000 veta ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së konferencës, duke përfshirë udhëheqësit afrikanë që morën pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë të vitit 2024 dhe përfaqësues të biznesit nga të dy palët.