foto nga CFP
Samiti i Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) për vitin 2024 u hap të enjten në Pekin. Në fjalimin e tij të mbajtur në ceremoninë e hapjes, presidenti i Kinës Xi Jinping propozoi ngritjen e marrëdhënieve të të gjitha vendeve afrikane që kanë lidhje diplomatike me Kinën, në marrëdhënie strategjike, dhe ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Afrikë në bashkësi me fate të përbashkëta. Njëkohësisht, pala kineze propozoi që Kina e Afrika të krijojnë bashkërisht "gjashtë modernizimet", duke shpallur "Dhjetë veprimet e partneritetit", të cilat qartësojnë më tej kursin e përpjekjeve dhe rrugën e realizimit të modernizimit të përbashkët nga Kina dhe Afrika.
Samiti i Pekinit meriton të konsiderohet si një tjetër gur kilometrik në bashkëpunimin kino-afrikan në epokën e re, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një artikull.
Presidenti i Botsvanës Mokgweetsi Masisi theksoi që ky është një moment historik në marrëdhëniet ndërmjet Afrikës e Kinës, duke shtuar se masat e reja të shpallura nga presidenti Xi, përfshirë politikën e hapjes së mëtejshme ndaj Afrikës, janë emocionuese dhe inkurajuese për palën afrikane.
foto nga CFP
Në këtë samit pala kineze shpalli se është e gatshme të zgjerojë hapjen e tregut të saj në mënyrë të vullnetshme e të njëanshme dhe vendosi t'u ofrojë të gjitha vendeve më të pazhvilluara që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën, duke përfshirë 33 vende afrikane, tarifa doganore zero për 100 % të produkteve të tyre. Kina është e gatshme të ndërtojë qarqe të bashkëpunimit industrial me Afrikën, të aktivizojë "Programin e fuqizimit të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla afrikane", të përkrahë ndërtimin e Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Afrikës, për të ngritur aftësinë e shëndetësisë publike të vendeve afrikane, të inkurajojë ndërmarrjet kineze dhe afrikane të investojnë e të ngrenë në mënyrë të ndërsjellë sipërmarrje, duke e lënë vlerën e shtuar industriale në Afrikë e duke krijuar të pakën 1 milion vende pune për banorët afrikanë ... Të gjitha këto masa tregojnë qartazi se Kina është e sinqertë në përkrahjen e zhvillimit të Afrikës, ndihmon për ngritjen e aftësisë së zhvillimit të pavarur të Afrikës dhe dëshiron që bashkëpunimi me Afrikën t'u sjellë të mira konkrete popujve afrikanë, vë në dukje në komentin e saj CMG-ja.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mbajti fjalim në ceremoninë e hapjes të samitit të FOCAC-ut 2024 / foto nga CFP
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres është i mendimit se bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Afrikës do të çojë në zbutjen e padrejtësive historike prej të cilave ka vuajtur Afrika dhe do ta ndihmojë këtë kontinent të realizojë paqen dhe zhvillimin.
"Popullsia e Kinës dhe ajo e Afrikës zënë një të tretën e popullisë së përgjithshme botërore. Pa modernizimin e Kinës dhe të Afrikës, nuk do të ketë modernizim të botës," theksoi presidenti Xi në fjalimin e tij. Plani i hartuar në këtë samit, jo vetëm tregon qartë kursin e përpjekjeve të përbashkëta të Kinës dhe të Afrikës, por dhe e lidh ngushtë zhvillimin e Afrikës me atë të Kinës e të botës, komenton CMG-ja, duke shtuar se pavarësisht nga pasiguritë dhe sfidat e ndryshme të situatës me ndryshime të papara gjatë një shekulli, drejtimi kryesor i përparimit njerëzor nuk do të ndryshojë. Promovimi i përbashkët i modernizimit nga Kina dhe Afrika do t'u sjellë popujve të tyre më shumë të mira, do të drejtojë zhvillimin dhe lulëzimin e Jugut Global dhe do t'i japë më shumë energji pozitive paqes e zhvillimit botëror. (Wang Lei/ Artan)