Takimi i dy presidentëve, Kina dhe Sudani i Jugut vendosin partneritet strategjik
2024-09-06 22:21:17


foto nga Xinhua

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij nga Sudani i Jugut Salva Kiir shpallën të premten në Pekin ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik.

Presidenti Salva Kiir ndodhet në kryeqytetin kinez për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024.

Presidenti Xi u shpreh në këtë takim se Kina është një ndër vendet e para që vendosën marrëdhënie diplomatike me Sudanin e Jugut. Gjatë 13 vjetëve, të dyja vendet kanë bashkëpunuar me respekt reciprok e me sinqeritet, duke synuar zhvillimin e përbashkët në të ardhmen. Kina është e gatshme të ndajë plotësisht me Sudanin e Jugut përvojën e vet dhe mundësitë e zhvillimit, duke vazhduar zbatimin e projekteve të arsimit profesional dhe duke forcuar bashkëpunimin dypalësh në sektorët e naftës, minierave dhe bujqësisë, në ndihmë të shumëllojshmërisë ekonomike të Sudanit të Jugut.

Xi u shpreh më tej se pala kineze e përkrah Sudanin e Jugut të nxitë procesin kalimtar politik në mënyrë të qëndrueshme, kundërshton ndërhyrjen e forcave të jashtme në punët e brendshme të Sudanit të Jugut dhe përkrah popullin e këtij vendi që të marrë në dorë fatet e veta. Ai uroi që Sudani i Jugut të realizojë sa më parë paqen e zhvillimin afatgjatë. Pala kineze do të vazhdojë të flasë për të drejtën lidhur me Sudanin e Jugut në OKB dhe në organizata të tjera shumëpalëshe, në mbrojtje të të drejtave e interesave të ligjshme të këtij vendi.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Nga ana e tij, presideti Kiiri theksoi se Sudani i Jugut është i gatshëm që të zbatojë aktivisht "Dhjetë veprimet e partneritetit" bashkërisht me Kinën. Kina ka qenë mike e Sudanit të Jugut dhe, falë ndihmave kineze, ekonomia e Sudanit të Jugut ka qenë në gjendje të rimëkëmbet dhe të përmirësohet jetesa e popullit të tij. Kiiri vuri në dukje më tej që vendi i tij do t'i përmbahet politikës së "Një Kine" dhe shpreson të zhvillojë më tej partneritetin strategjik me Kinën, duke u përpjekur të krijojë për ndërmarrjet kineze një mjedis të mirë biznesi. (Wang Lei/ Artan)