foto nga Xinhua
Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të premten në Pekin me kryetarin e Këshillit Sovran të Sudanit Abdel Fattah al-Burhan, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Samitin e Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) të vitit 2024.
Xi Jinping vuri në dukje se Kina dhe Sudani janë vende miq të mirë, që kanë kaluar bashkë vuajtje dhe vështirësi. Pala kineze e çmon miqësinë tradicionale dhe besimin e fortë të ndërsjellë ndërmjet të dy vendeve dhe është e gatshme të nxitë zhvillimin e qëndrueshëm të partneritetit strategjik Kinë-Sudan dhe të ngrejë cilësinë e bashkëpunimit dypalësh.
Më tej presidenti i Kinës theksoi se pala kineze i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të gjendjes së tanishme në Sudan dhe i përkrah përpjekjet e palës sudaneze për mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të vendit dhe për ta marrë në duart e veta fatin dhe të ardhmen e vendit. Ai shprehu shpresën se Sudani do të rivendosë sa më shpejt paqen dhe qëndrueshmërinë e do të rikthehet në binarët e zhvillimit, dhe populli sudanez do të jetojë në qetësi. Pala kineze do të vijojë të mbrojë të drejtën lidhur me Sudanin në mekanizmat shumëpalësh, duke përfshirë OKB-në, duke nxitur një mjedis të mirë të jashtëm për zgjidhjen politike të çështjes së Sudanit.
Al-Burhan vuri në dukje nga ana e tij se marrëdhëniet sudanezo-kineze janë shumë miqësore e të forta. Populli sudanez ndien mirënjohje të madhe dhe respekt të thellë për Kinën, që e ka përkrahur gjithmonë Sudanin në mekanizmat e ndryshëm, duke përfshirë OKB-në, për mbrojtjen e sovranitetit e të pavarësisë dhe për kundërshtimin e ndërhyrjes së jashtme, duke dhënë kontribut të madh në ndërtimin infrastrukturor e në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe të përmirësimit të jetës së popullit të Sudanit.
Al-Burhan u shpreh më tej që pala sudaneze ndjek me vendosmëri politikën e "Një Kine" dhe kundërshton të gjitha veprimet që cenojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës. Ai vlerësoi lart "Dhjetë veprimet e partneritetit", të deklaruara nga presidenti Xi Jinping në këtë samit dhe shprehu besimin se kjo do të jetë në dobi të madhe për Sudanin që të shkëputet nga vuajtjet e luftës dhe të realizojë paqen e zhvillimin. (Wang Lei/ Artan)