Gjykata e Lartë e Kinës zotohet të forcojë mbrojtjen e bazuar në ligj për ndërmarrjet private
2024-07-26 15:54:10

CFP

CFP

Gjykatat kineze do të punojnë për të siguruar mbrojtjen e bazuar në ligj të të drejtave pronësore dhe të të drejtave të personalitetit të ndërmarrjeve private dhe sipërmarrësve, bëri të ditur Gjykata e Lartë Popullore, shkruan “Xinhua”.

Gjykata ka kërkuar masa efektive për të parandaluar ndërhyrjen administrative dhe penale në mosmarrëveshjet ekonomike dhe për të minimizuar ndikimin negativ të padive në operacionet e biznesit dhe prodhimin në masën më të madhe të mundshme.

Gjykata e Lartë u bëri thirrje gjykatave popullore në nivele të ndryshme për të ndihmuar në adresimin e shqetësimeve urgjente të ndërmarrjeve private, veçanërisht ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

Gjykata gjithashtu premtoi përpjekje për të luftuar abuzimin e pushtetit, duke promovuar mbrojtjen e drejtë dhe të arsyeshme gjyqësore dhe forcimin e mbrojtjes për inovacionin e teknologjisë shkencore.

Të dhënat treguan se në gjysmën e parë të vitit janë zgjidhur rreth 1.27 milionë çështje tregtare të shkallës së parë në të gjithë vendin, me një rënie prej 13.5 për qind në baza vjetore.

Kina do të përmirësojë sistemin e të drejtave pronësore për të siguruar mbrojtjen e bazuar në ligj dhe të barabartë të të drejtave pronësore të subjekteve ekonomike nën të gjitha format e pronësisë, do të forcojë zbatimin e ligjit dhe administratën e drejtësisë për të mbrojtur të drejtat e pronës dhe për të parandaluar dhe korrigjuar ndërhyrjen administrative dhe penale në mosmarrëveshjet ekonomike, sipas rezolutës së miratuar së fundmi për thellimin e mëtejshëm të reformës në mënyrë gjithëpërfshirëse për të çuar përpara modernizimin kinez. (Irma)