Komiteti i Trashëgimisë Botërore mbështet veprimet e shtetit shqiptar në Butrint e Berat-Gjirokastër
2024-07-26 14:49:35

Foto nga ATSH

Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në sesionin e 46-të, të zhvilluar në New Delhi, Indi, miratoi dy vendime për qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare të Butrintit dhe Berat-Gjirokastrës.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në një njoftim për mediet, bëri të ditur se projektvendimi për Rajonin e Liqenit të Ohrit është planifikuar për t’u diskutuar në sesionin e vitit të ardhshëm, shkruan “ATSH”.

Në njoftim thuhet se MEKI mbështet pa asnjë rezervë projektvendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe Komitetit të Trashëgimisë Botërore me zyrtarizimin e një qëndrimi unanim, të konsideruar si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional.

“Fakti që në 90% të pikave përmbajtësore të vendimit për Butrintin mirëpriten dhe mbështeten veprimet e shtetit palë, është shumë inkurajuese. Edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi”,- shkruhet në njoftimin e MEKI-t.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e Trashëgimisë Botërore. Grupi teknik i punës po e ndjek me ritëm të lartë këtë detyrë që do të plotësohet sipas një kalendari të dakordësuar me UNESCO-n.

“Zhvillimet e vrullshme të vendit nuk tolerojnë asnjë shpërqendrim të vëmendjes, energjive dhe profesionalizmit, jo vetëm të MEKI-t, por edhe të institucioneve të tjera publike, pushtetit vendor, studiuesve dhe gjithë partnerëve të trashëgimisë kulturore”,- thuhet në njoftim. (Irma)