BE-ja miratoi një tjetër paketë ndihme për rimëkëmbjen e Ukrainës
2024-07-26 18:11:48

BE-ja - Ukraina (Foto Atsh)

BE-ja - Ukraina (Foto Atsh)

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord të ofrojnë rreth 4.2 miliardë euro (4.6 miliardë dollarë) për të ndihmuar Ukrainën të rimëkëmbet pas konfliktit me Rusinë.

Vendimi u njoftua përmes një njoftimi në platformën “X” nga qeveria e Hungarisë, e cila është përgjegjëse për kryesimin e bisedimeve midis vendeve të BE-së si mbajtëse e presidencës së radhës të BE-së, shkruan “ATSH”.

Paratë janë të destinuara për qëllime civile, të tilla si rindërtimi i infrastrukturës. Ndihma vjen si pjesë e një programi shumëvjeçar mbështetës i BE-së, i propozuar fillimisht nga Komisioni Europian, i cili rekomandoi zhbllokimin e fondeve përpara vendimit të ambasadorëve.

Për shkak se vendimi është marrë në nivel diplomatik, në parim ka ende nevojë për miratim politik nga ministrat. Kjo do të arrihet përmes një procedure, ku vendeve u jepet një afat për të kundërshtuar.

Programi mbështetës parashikon një ndihmë financiare prej 50 miliardë euro për katër vjet. Rreth 33 miliardë euro nga ndihma do të paguhen si kredi, ndërsa pjesa tjetër do të jenë grante që nuk duhet të shlyhen.

Paratë nuk janë të lidhura me një fond të veçantë jashtë buxhetit që synon të mbështesë forcat e mbrojtjes së Ukrainës, e cila aktualisht është bllokuar nga një veto hungareze. (Irma)