MJK: Mirëpresim Brazilin që t'i bashkohet nismës "Një brez, një rrugë" dhe të realizojë një "supergol" në të
2024-07-25 20:24:56

Brazili është një “mbretëri futbolli” dhe Kina mirëpret që ky vend amerikanojugor t'i bashkohet sa më shpejt nismës "Një brez, një rrugë" e të realizojë një "supergol botëror" në këtë nismë. Kështu u shpreh në një konferencë për shtypin të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning në përgjigje të komenteve të presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Brazilit e Kinës.

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Kohët e fundit presidenti brazilian shprehu në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Xinhua” dëshirën për të formuar një partneritet strategjik të ri me Kinën, për të forcuar bashkëpunimin me Kinën në fushën e shkencës, teknologjisë, prodhimit të mikroçipave e softuerëve etj., dhe për t’i promovuar marrëdhëniet dypalëshe drejt një "madhështie dhe prosperiteti të pakufishëm". Kina është një partnere e rëndësishme për rritjen ekonomike e zhvillimin teknologjik të Brazilit dhe do të jetë gjithmonë një partnere bashkëpunimi prioritare. Brazili dëshiron të bashkëpunojë me Kinën në luftën kundër urisë, u shpreh ai. Pala kineze shpreson të diskutojë mbi nismën "Një brez, një rrugë" me palën braziliane dhe Brazili është i interesuar të dijë se "në cilin stadium" dhe "në cilin pozicion" do të luajë. “Ne nuk duam të jemi lojtarë stoli, por duam të luajmë në formacionin kryesor," u shpreh Lula.

foto: VCG

foto: VCG

Në përgjigjen e saj, Mao Ning theksoi: "Kina dhe Brazili janë dy vende të mëdha në zhvillim e tregje të reja të rëndësishme, dhe janë partnerë strategjikë gjithëpërfshirës të njëri-tjetrit. Kina e vlerëson shumë zhvillimin e marrëdhënieve me Brazilin dhe u jep atyre gjithmonë përparësi në diplomacinë e saj. Kina dëshiron ta përdorë rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve për të promovuar integrimin e nismës 'Një brez, një rrugë' me strategjinë e 'riindustrializimit' të Brazilit dhe për ta çuar bashkëpunimin praktik dypalësh në të gjitha fushat në nivele më të larta e më cilësore, duke sjellë përfitime më të mira për të dy popujt dhe duke kontribuuar në zhvillimin dhe begatinë e botës." (Li Huailiang/Artan)