Xi Jinping-u udhëzon "Xiamen Airlines" të luajë rol aktiv në shkëmbimet përgjatë Ngushticës
2024-07-25 11:36:19

Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping e ka udhëzuar "Xiamen Airlines" të luajë një rol aktiv në shërbim të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe të nxitjes së shkëmbimeve e të bashkëpunimit përgjatë Ngushticës së Tajvanit.

Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i dha udhëzimet në një letër përgjigjeje ndaj punonjësve të kësaj shoqërie ajrore për 40-vjetorin e krijimit të saj.

Xiamen-i, një qytet bregdetar në pjesën perëndimore të Ngushticës së Tajvanit, është në pararojë të shkëmbimeve e integrimit mes dy brigjeve të kësaj ngushtice.

Gjatë detyrës si nënkryetar i bashkisë së qytetit, Xi e ndihmoi "Xiamen Airlines" të zgjidhte një sërë problemesh gjatë fazës fillestare të zhvillimit.

Në letër, ai tha që ka parë me kënaqësi se "Xiamen Airlines", që e filloi gjithçka nga zeroja, ka arritur zhvillim të shpejtë gjatë katër dekadave të fundit.

Xi u bëri thirrje anëtarëve të stafit të qëndrojnë të përkushtuar ndaj reformës dhe inovacionit, të rrisin konkurrencën thelbësore të kompanisë dhe të kontribuojnë më shumë në përparimin e zhvillimit me cilësi të lartë të aviacionit civil dhe rritjen e fuqisë së Kinës në transport.

"Xiamen Airlines", e themeluar në korrik 1984, është kompania e parë ajrore në Kinë që funksionon mbi bazën e një sistemi modern korporativ. Ajo aktualisht operon më shumë se 400 linja ajrore të brendshme e ndërkombëtare dhe u shërben afro 40 milionë udhëtarëve çdo vit. (Çang Çuo)