BE ndan 10 milionë euro ndihmë për ushtrinë e Armenisë
2024-07-24 15:21:29

Armenia (Foto Rtsh)

Armenia (Foto Rtsh)

Bashkimi Europian njoftoi miratimin e një pakete ndihme prej 10 milionë eurosh për ushtrinë armene, duke shënuar herën e parë që blloku prej 27 anëtarësh vendosi të mbështesë Jerevanin zyrtar përmes Fondit Europian të Paqes, shkruan “RTSH”.

Paketa e miratuar do të sigurohet në kuadër të partneritetit të BE-së me Armeninë, i cili bazohet në vlerat e përbashkëta dhe synon promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Armeni dhe Kaukazin e Jugut.

Paketa e ndihmës synon të forcojë kapacitetet logjistike të Forcave të Armatosura Armene dhe të kontribuojë në përmirësimin e mbrojtjes së civilëve në kriza dhe situata emergjente.

Ajo synon gjithashtu të rrisë qëndrueshmërinë e Armenisë dhe të përshpejtojë ndërveprimin e Forcave të saj të Armatosura në rast të pjesëmarrjes së mundshme të ardhshme të vendit në misionet dhe operacionet ushtarake ndërkombëtare, përfshirë ato të dislokuara nga BE-ja.

Ministri i Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan, përmes një deklarate në “X”, përshëndeti miratimin e paketës së mbështetjes si dhe synimin e BE-së për të nisur bisedimet për liberalizimin e vizave me Armeninë. (Irma)