Wang Yi takon kreun e delegacionit të Fatahut, Mahmoud al-Aloul
2024-07-24 19:58:43

Ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua me Mahmoud al-Aloul, zv.kryetarin e Komitetit Qendror të Fatahut dhe kreun e delegacionit të kësaj partie, para nënshkrimit të "Deklaratës së Pekinit".

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Wang Yi i përcolli Al-Aloul-it përshëndetjet e presidentit Xi Jinping për presidentin Abbas dhe theksoi se, pavarësisht ndryshimeve në arenën ndërkombëtare, Kina do të vijojë të mbështesë me vendosmëri kauzën e drejtë të popullit palestinez. Konflikti në Gazë ka shkaktuar një katastrofë të madhe humanitare, duke tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare te çështja palestineze.

Përparësi e momentit është që, duke u nisur nga interesat themelore të të gjithë popullit palestinez, të shfrytëzohet mundësia, të kërkohet konsensusi dhe të nxitet uniteti e pajtimi i madh ndërmjet fraksioneve, duke krijuar një qëndrim më të unifikuar dhe duke përcaktuar objektiva të përbashkët, për të krijuar kushtet e nevojshme për një armëpushim të përhershëm në Gaza, për arritjen e pavarësisë dhe për zbatimin e "zgjidhjes me dy shtete".

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Foto nga ministria e Jashtme e Kinës

Mahmoud al-Aloul shprehu nga ana e tij mirënjohjen e sinqertë për përpjekjet e Kinës për promovimin e pajtimit dhe tha se palestinezët kurrë nuk do ta harrojnë ndihmën e vendosur e të vazhdueshme të Kinës përgjatë dekadave. "Kina është një vend mik dhe vëlla i vërtetë për popullin palestinez, dhe mbështetja e palëkundur e Kinës na bën të ndihemi se nuk jemi vetëm. Fatahu do të bëjë çmos për të promovuar pajtimin e unitetin ndërmjet fraksioneve dhe për të kontribuuar në zgjidhjen përfundimtare të çështjes palestineze," tha ai. (Li Huailiang/Artan)