Raporti: Shkalla e mbijetesës relative 5-vjeçare të kancerit në Kinë u rrit me 43.7 për qind në 2019-2021
2024-07-24 15:44:43

CFP

CFP

Shkalla e mbijetesës relative 5-vjeçare e standardizuar sipas moshës në Kinë për të gjitha kanceret e kombinuara ishte 43.7 për qind midis viteve 2019 dhe 2021, u bë e ditur në një raport të publikuar në Gazetën e Qendrës Kombëtare të Kancerit, shkruan “Xinhua”.

Shkalla e mbijetesës u rrit me rreth shtatë pikë përqindje krahasuar me dekadën e mëparshme, thuhet në raport.

Gjetjet e studimit tregojnë se vendi ka përmbushur objektivin e përkohshëm të Programit të Kinës së Shëndetshme (2019-2030) për përmirësimin e rezultateve të kancerit, që është arritja e një norme 5-vjeçare të mbijetesës së kancerit prej 43.3 për qind për të gjitha kanceret e kombinuara deri në vitin 2022.

Ekipi hulumtues mblodhi të dhëna nga mbi 6.41 milionë pacientë me kancer të sapodiagnostikuar nga 281 regjistra të kancerit në të gjithë Kinën nga viti 2008 deri në vitin 2019. Studiuesit vëzhguan përmirësime të konsiderueshme të mbijetesës për kanceret e mushkërive, prostatës, kockave, mitrës, gjirit, qafës së mitrës, nazofaringut, laringut dhe fshikëzës gjatë periudhës midis 2008 dhe 2019.

Përmirësimi në shkallën e mbijetesës së kancerit mund t'i atribuohet reformave të mëdha të kujdesit shëndetësor të Kinës dhe përparimeve teknologjike, të cilat mundësonin diagnozën e hershme, trajtim më efektiv dhe menaxhim më të mirë të kujdesit ndaj kancerit, thuhet në raport.

Studimi zbuloi gjithashtu se tetë lloje të kancerit, duke përfshirë tiroiden, gjirin, testikujt, fshikëzën, prostatën, veshkat, mitrën dhe qafën e mitrës kishin një shkallë mbijetese 5-vjeçare prej mbi 60 për qind.

Sipas raportit, kanceri i pankreasit kishte shkallën më të ulët të mbijetesës (8.5 për qind), ndërsa kanceri i tiroides kishte shkallën më të lartë të mbijetesës (92.9 për qind) midis të gjitha llojeve të kancerit. (Irma)