Presidenti estonez Alar Karis dhe Kristen Michal (Foto Postimes)
Parlamenti i Estonisë (Riigikogu) i dha të hënën Kristen Michal, kandidatit të Partisë Reformuese për kryeministër, një mandat për të formuar një qeveri të re, shkruan “Xinhua”.
Në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, 64 deputetë votuan për t'i dhënë mandatin Michal, ndërsa 27 votuan kundër.
Përpara votimit, Michal bëri një përmbledhje të arsyeve për formimin e qeverisë. Më pas, deputetët kryesisht opozitarë i bënë pyetje kritike kryeministrit të caktuar dhe kritikuan marrëveshjen e koalicionit, veçanërisht rritjen e taksave që parashikon.
Michal tha se rritja e taksave justifikohej nga nevoja për të rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë e brendshme.
Kryeministri i emëruar premtoi gjithashtu shkurtime të shpenzimeve dhe reforma në qeverisje, si dhe hapa për të stimuluar rritjen ekonomike dhe kalimin në një ekonomi të gjelbër. (Irma)