Trump bisedon me Zelensky-n: Nëse zgjidhem president, zotohem t’i jap fund konfliktit Rusi-Ukrainë
2024-07-21 16:47:19

Trump-Zelensky (Foto Rtsh)

Trump-Zelensky (Foto Rtsh)

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump,, kandidat republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump bëri të ditur në “Truth Social” se gjatë bisedës me Zelensky-n u zotua se nëse zgjidhet president i SHBA-së do të synojë të vendosë paqen në botë dhe t'i japë fund konfliktit Rusi-Ukrainë, shkruan “RTSH”.

Ai vuri në dukje se lideri ukrainas dënoi atentatin ndaj Donald Trump dhe e uroi atë për Konventën Kombëtare Republikane të suksesshme në Milwaukee.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se nëse fiton zgjedhjet presidenciale këtë vit, ai synon të sjellë një zgjidhje të shpejtë të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Gjatë debatit parazgjedhor me presidentin amerikan Joe Biden më 27 qershor, Trump premtoi se, nëse rizgjidhet do të ishte në gjendje t'i jepte fund konfliktit përpara betimit të tij më 20 janar 2025. (Irma)