OBSH: Europa duhet të vazhdojë me luftën kundër HIV-it
2024-07-21 17:04:17

Obsh (Foto Atsh)

Obsh (Foto Atsh)

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën thirrje për një luftë të vendosur kundër HIV-it dhe stigmës së lidhur me të në Europë, në kuadër të një konference ndërkombëtare për SIDA-n që pritet të nisë të hënën në Gjermani, shkruan “ATSH”.

“Ndërsa numri i infeksioneve dhe vdekjeve të reja po rritet në Europë, situata epidemike ndryshon shumë në të gjithë rajonin. Është një kontrast dramatik”,- deklaroi drejtori për Europën i OBSH-së, Hans Kluge.

Ai tha se disa vende e kanë ndaluar pothuajse tërësisht transmetimin e HIV-it dhe ishin në prag të mundësisë për të thënë se fundi i SIDA-s ishte në dukje. Ndërkohë, sipas tij, në vende të tjera, nivelet e vdekjeve mbetën në mënyrë të papranueshme të larta.

“Diagnozat e fundit të HIV-it mbeten një problem sot. Nevojiten veprime urgjente për të adresuar stigmatizimin e gjerë të të prekurve, pasi kjo po pengonte përparimin”,- tha Kluge.

Ai shprehu bindjen se Konferenca Botërore e SIDA-s që nis në Mynih do ta kthejë këtë çështje në fokus më të mprehtë.

Rajoni europian i OBSH-së përfshin rreth 50 vende. Sipas Kluges, rreth 3 milionë njerëz jetojnë me HIV në këtë rajon, nga rreth 39 milionë në mbarë botën. (Irma)