FIFA shtyn vendimin mbi propozimin palestinez për të pezulluar Izraelin nga futbolli ndërkombëtar
2024-07-21 16:08:49

Fifa (Foto Anadolu)

Fifa (Foto Anadolu)

FIFA, organi menaxhues i futbollit botëror, ka shtyrë vendimin mbi propozimin palestinez për të pezulluar Izraelin nga futbolli ndërkombëtar.

“Një vlerësim i pavarur ligjor i propozimeve të Federatës Palestineze të Futbollit kundër Federatës së Futbollit të Izraelit do t’i jepej Këshillit të FIFA-s deri më 20 korrik 2024”,- bëhet e ditur në një deklaratë të FIFA-s.

“Pas kërkesave për një zgjatje nga të dyja palët për të paraqitur pozicionet e tyre përkatëse, siç parashikohet nga FIFA, nevojitet më shumë kohë për të përfunduar këtë proces me kujdesin dhe plotësinë e duhur”,- shtoi FIFA.

Vlerësimi do të ndahet me Këshillin e FIFA-s për çdo vendim të mëvonshëm jo më vonë se 31 gushti, shkruan “ATSH”.

Prandaj, ekipi kombëtar i futbollit izraelit mund të luajë në Lojërat Olimpike të Parisit që do të fillojnë më 26 korrik. Ndeshja për medaljen e artë olimpike për meshkuj do të mbahet më 9 gusht.

Në maj, gjatë Kongresit të 74-t në Bangkok, presidenti i Shoqatës Palestineze të Futbollit, Jibril Rajoub, bëri thirrje për pezullimin e menjëhershëm të Izraelit nga organi menaxhues botëror për futbollin, duke thënë: “Edhe sa duhet të vuajë familja e futbollit palestinez që FIFA të veprojë me të njëjtën ashpërsi dhe urgjencë si në raste të tjera?”.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor 2023. Më shumë se 38.800 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe mbi 89.400 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. (Irma)