Kryeministri britanik kërkon veprim për krizën e emigrantëve dhe ndihmë për Ukrainën
2024-07-20 10:55:39

Kryeministri britanik, Keir Starmer (Foto ATSH)

Kryeministri britanik, Keir Starmer (Foto ATSH)

Kryeministri britanik, Keir Starmer, u kërkoi liderëve europianë që të adresojnë krizën e emigracionit të paligjshëm dhe të qëndrojnë të vendosur në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ai kërkon të forcojë lidhjet e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, shkruan “ATSH”

Starmer shpreson se samiti i Komunitetit Politik Europian (EPC) do të ofrojë një mundësi për të rivendosur marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me fqinjët e saj, pas trazirave të viteve të Brexit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ai deklaroi gjatë samitit, të zhvilluar pranë Oksfordit, mbështetjen e qeverisë britanike për Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi Partia Konservatore, tashmë në opozitë, kishte aluduar për tërheqjen nga marrëveshja.

Starmer u tha liderëve të Europës se Mbretëria e Bashkuar do të ishte një mike dhe një partnere e gatshme për të punuar me ta, jo si pjesë e BE-së, por si pjesë e Europës.

Ai tha se samiti ishte një mundësi për të vendosur një rrugë të re mbi emigracionin e paligjshëm me bashkëpunim të shtuar.

“Ne duhet të kombinojmë burimet tona, të ndajmë informacionin sekret, të ndajmë taktikat, të mbyllim rrugët e kontrabandës dhe të shkatërrojmë bandat”,- tha ai.

Starmer tha se shkaqet rrënjësore që i largojnë njerëzit nga shtëpitë e tyre, të tilla si konflikti, ndryshimet klimaterike dhe varfëria ekstreme gjithashtu duhet të adresohen.

Për qasjen e Mbretërisë së Bashkuar nën administratën e tij të re, Starmer tha: “Ne do t’i qasemi kësaj çështjeje me njerëzim dhe me një respekt të thellë për të drejtën ndërkombëtare. Dhe kjo është arsyeja pse ne hoqëm skemën e pazbatueshme të Ruandës në ditën e parë. Dhe kjo është arsyeja pse ne kurrë nuk do të tërhiqemi nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut”, theksoi ai.

Samiti ofron një mundësi të hershme për Starmer që të vazhdojë përpara me përpjekjet për të ndërtuar lidhje më të ngushta me Europën, veçanërisht me 27 anëtarët e Bashkimit Europian.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ai dëshiron të arrijë një pakt sigurie me BE-në dhe gjithashtu të adresojë disa nga problemet tregtare, sipas marrëveshjes aktuale të Brexit.

EPC-ja ishte ideja e presidentit francez Emmanuel Macron dhe përfshin edhe 20 vende jo anëtare të BE-së, si Mbretëria e Bashkuar, si dhe bllokun prej 27 anëtarësh të BE-së. (Elona)