Shefi i NATO-s: Europa duhet të përgatitet për shumë vite të tjera konflikt në Ukrainë
2024-07-20 11:08:58

Stoltenberg (Foto RTSH)

Stoltenberg (Foto RTSH)

Europa duhet të përgatitet për të paktën 10 vite të tjera konflikt në Ukrainë, ka paralajmëruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai tha se sa më shumë të angazhohet aleanca ushtarake perëndimore për situatën, aq më shpejt do të arrihet një zgjidhje, shkruan “RTSH”.

Stoltenberg u kërkoi anëtarëve europianë të NATO-s të rrisin angazhimet e tyre, mes frikës se burimet amerikane mund të shkurtohen, apo edhe të ndalohen, nëse Donald Trump fiton një mandat të dytë si president i SHBA-së në nëntor.

NATO ka njoftuar se një njësi komanduese për të koordinuar mbështetjen për Ukrainën do të operojë në Gjermani nga shtatori.

“Kjo do të ofrojë më shumë parashikueshmëri, llogaridhënie dhe mbështetje dhe gjithashtu do të demonstrojë angazhimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur Ukrainën”,- tha Stoltenberg.

I pyetur nëse një mandat i dytë i Trump mund të nënkuptojë financim më të ulët për NATO-n, Stoltenberg tha: “Gjëja e duhur për të bërë pavarësisht se çfarë mendoni për angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s është të investojmë më shumë në mbrojtjen tonë. Para së gjithash, rrit gjasat që SHBA-ja të mbeten një aleat i fortë. Së dyti, nëse ndodh diçka vërtet e keqe, atëherë është mirë të kemi aftësi më të forta mbrojtëse europiane dhe kanadeze”. (Elona)